English

Politikë dhe drogë ndërmjet Tiranës dhe Moskës, Kosova në mes

Nga Genc Mlloja Vizita e drejtorit të Agjencisë Federale të Kontrollit të Trafikut të Narkotikëve të Rusisë, zotit Viktor Ivanov, në Shqipëri javën e shkuar, ishte një përpjekje tjetër, jo të pakta këto gjatë viteve të fundit, të bëra prej Tiranës dhe Moskës, për të rigjallëruar marrëdhëniet bilaterale, të cilat vazhdojnë të jenë në një nivel të ulët politik dhe ekonomik. Veç disa vizitave të rralla dhe marrëveshjeve sporadike që së shumti arkivohen, nuk ka ndonjë gjë për t’u shënuar në lidhjet shqiptaro-ruse sa u përket sektorëve jetikë, sikurse janë ekonomia apo shkenca dhe teknika, politika e diplomacia, mbrojtja dhe ambienti. Bashkëpunimi në aspektin politik është problem më vete se, sado që thuhet se është në nivel të mirë dhe të dy vendet nuk kanë ‘probleme të pazgjidhura’, në të vërtetë ka një mosbesim të plotë. Diçka i ‘mundon’ marrëdhëniet shqiptaro-ruse për t’u klasifikuar me të vërtetë të mira. E në përgjithësi, të dyja palët nuk e kanë fshehur se janë të pakënaqura për këtë nivel të marrëdhënieve, duke mos ngurruar në çdo rast të premtojnë vullnet për rritje të këtij niveli.

Pikërisht në këtë situatë, vizita e bosit të autoritetit rus të antitrafikut të drogës u pa si mundësi nga të dyja palët për t’i dhënë rëndësi ngjarjes, që u duk në agjendën e qëndrimit të tij treditor në Tiranë. Gati-gati ajo e kaloi karakterin teknik antidrogë, duke marrë ngjyra të një vizite me karakter politik

Të mos shkojmë më larg, por të kujtojmë se, z. Ivanov dhe delegacionin e tij, e priti kreu i qeverisë shqiptare, z. Sali Berisha.

Do të pyesja në parantezë a do të kishte pritur z. Vladimir Putin apo z. Dimitri Medvedev një autoritet shqiptar të këtij niveli në Moskë? Unë hamendësoj se jo, por do të dëshiroja të isha i gabuar.

E dyta, dëshmi e natyrës ‘pak’ të stisur politike të misionit të z. Ivanov në Tiranë mund të duket te kujdesi i z. Berisha, për t’i kërkuar atij që t’u përcjellë përshëndetjet e tij kryeministrit Putin dhe presidentit Medvedev. Kjo u transmetua nga zyra e shtypit e Kryeministrisë pas takimit zyrtar, si një ndër pjesët më të rëndësishme të bisedimeve.

Ndërkohë, angazhimet e të dyja palëve të shprehura edhe në marrëveshjen e nënshkruar midis Ministrisë shqiptare të Brendshme dhe Shërbimit Federal të Kontrollit të Trafikut të Narkotikëve të Rusisë, më 26 gusht të këtij viti, janë për t’u përshëndetur dhe për Shqipërinë janë një plus. Një gjë pozitive kjo se, veç Rusisë, në çdo raport të Bashkimit Evropian apo të institucioneve përkatëse amerikane, Shqipëria ka qenë në krye të vendeve transit të drogës dhe përshkruhej si vend me kufij ‘porozë’ sa i përket këtij trafiku, edhe atij të qenieve njerëzore. Aq më tepër, Shqipëria nuk i rezultonte antidrogës ruse si destinacion i drejtpërdrejtë i drogës nga Afganistani; ishte ndryshuar kursi.

Prandaj është normale deklarata e kryeministrit Berisha që i theksoi shefit rus të antidrogës se qeveria e tij konsideron prioritet të madh luftën kundër drogës dhe krimit të organizuar në tërësi, duke vlerësuar në këtë kontekst si shumë të rëndësishëm e të domosdoshëm bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.

Z. Ivanov, në çdo deklaratë kur përmendte bashkëpunimin me Shqipërinë, shtonte edhe vendet e tjera të Ballkanit, disa prej të cilëve ai i kishte vizituar (Serbi e Maqedoni), duke nënshkruar me ata po të njëjtën marrëveshje si atë me Shqipërinë. Ndërkohë, Moska ka folur për krijimin e një quinteti antidrogë ballkanik. Shumë gjëra nuk njihen lidhur me këtë, por duket përpjekja ruse për të qenë violinë e parë në këtë iniciativë. Dhe e dyta, dhe kjo del nga shtypi i këtyre ditëve, ndër të tjera ‘detyra e këtij kuinteti është krasitja e narko-klasterit kosovar’.

Z. Ivanovi ishte konsekuent, foli pa kurrfarë diplomacie në mes të Tiranës, sa i përket Kosovës, duke e fajësuar si qendra e prodhimit të drogave të ndryshme me infrastrukturën përkatëse në Evropë dhe për këtë i referohej edhe Evropolit.

Autoritetet e Prishtinës e kanë shprehur gjithnjë gatishmërinë dhe vendosmërinë e tyre për luftë pa kompromis, kundër kultivimit e trafikut të lëndëve narkotike dhe u kanë shpallur luftë narkotrafikantëve. Dhe shtrirja e autoritetit të qeverisë së kryeministrit Hashim Thaçi në veri të vendit, kishte si një ndër synimet kryesore goditjen e rrjetit të baronëve të drogës që kalonin nga Serbia në Kosovë ose anasjelltas në kufirin serbo-kosovar të kontrolluar nga strukturat paralele serbe në veri të vendit.

Si iniciator i një quinteti antidrogë rajonal, z. Ivanov do të kishte bërë mirë t’u trokiste në derë autoriteteve të Prishtinës, prej nga mund ta merrte në mënyrë të drejtpërdrejtë një përgjigje të saktë të autoriteteve të saj, meqenëse bëhet fjalë për një çështje kaq të rëndësishme.

Nuk besoj se autoritetet e Tiranës të kenë marrë përsipër të luajnë rolin e ndërmjetësit sa i përket këtij aspekti me Prishtinën.

Pra, nëse flitet për sundim të vërtetë të ligjit dhe siguri në Ballkan, kjo nuk arrihet pa Kosovën, pa shtrirjen e plotë të autoritetit të Prishtinës në veri të vendit.

Ashtu sikurse i ka armiqësore marrëdhëniet me Prishtinën edhe marrëdhëniet e Moskës me Tiranën, vazhdojnë të kenë në sfond hijen e kësaj armiqësie dhe Beogradin dhe kësisoj, të influencohen nga qëndrimet obstruksioniste serbe ndaj Kosovës.

Arrij deri aty sa të shpreh habi, por edhe shumë kënaqësi që u realizua vizita e z. Ivanov në këto momente, dhe këtë e theksoj, kur politika dhe propaganda ruse është më e egër se vetë ajo serbe kundër Kosovës e integritetit të saj territorial, e aspiratave integruese në Bashkimin Evropian.

Në Beograd z. Ivanov fliste për përpjekje të përbashkëta ruso-serbe, për të kontrolluar drogën në ‘enklavën e Kosovës’, që tingëllonte gati-gati si ‘ofensivë’ ndaj integritet të atij vendi. Se, sado që mund të thuhet se është propagandë, nuk mund t’i anashkalosh ngjarjet e para pak kohëve në veri të Kosovës, ku ndërmjet serbëve të ‘revoltuar’ kishte edhe rusë e shumë veprimtari bëheshin duke pasur në sfond foto të z. Putin!

Kështu që në këtë mes, do të përgëzoja autoritetet shqiptare që e kanë kapërcyer sindromën e kaluar të shmangies së bisedimeve me ‘armikun e mikut tim’. Këtë Moska, më duket mua, nuk e ka kapërcyer dhe një dialog ndërmjet saj dhe Prishtinës, të paktën për probleme të tilla si lufta kundër trafikut ilegal të drogës, do t’i jepte më shumë vrull edhe lidhjeve të saj me Tiranën.

Natyrshëm shtrohet çështja, me këtë rast, nëse kanë apo jo ndonjë farë ndikimi dhe rëndësie në marrëdhëniet aktuale lidhjet e vjetra të Shqipërisë me Rusinë e kohës sovjetike.

Unë do të thosha se me kalimin e kohës, vlera e atyre lidhjeve të vjetra në mes ish – Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë po bie, shpresat po veniten për t’i mbajtur ato gjallë edhe pse ka njerëz në Shqipëri dhe Rusi që përpiqen në këtë drejtim, përfshire edhe qarqe diplomatike.

Sepse ka pasur dhe ka nostalgji për lidhjet ndërmjet këtyre dy popujve, ato ishin shumë miqësore dhe, edhe pse prishja ndërmjet dy vendeve ishte shumë e fortë në fillim të viteve 1960, ajo mbeti ideologjike, u kufizua në sferën e politikanëve të niveleve të larta komuniste dhe, armiqësia e udhëheqësit komunist shqiptar Enver Hoxha ndaj ish-Bashkimit Sovjetik, nuk arriti të fshinte ndjenjat miqësore të shqiptarëve për popullin rus të asaj kohe.

Por shqiptarët vënë re se një atmosferë e tillë, nuk është edhe aq në popullin rus për ta; përkundrazi, kjo atmosferë është tepër e ngarkuar me mbështetjen ruse ndaj Beogradit lidhur me çështjen e Kosovës apo antishqiptarizmin e lidhur me atë që quhet kërcënimi nga Shqipëria e Madhe, të pompuar fort këto kohë nga propaganda ruse.

Po kështu edhe ndonjë shprehje e autoriteteve shqiptare me rastin e vizitë së z. Ivanov në Tiranë, që i referohej ‘vullnetit të përbashkët politik’, më duket më shumë shprehje kortezie për momentin, ndoshta e tepruar, sesa diçka reale.

Lidhjet dhe ndjenjat e vjetra duhen ushqyer me veprime dhe ndjenja pozitive, që duhen konkretizuar.

Të falat e ngrohta të z. Berisha për zotërinjtë, Putin dhe Medvedev, zor se do ta ndryshojnë rrjedhën e gjërave, të paktën tani për tani, kur Moska, politika dhe diplomacia e saj janë të kapura keq nga kërcënimi imagjinar që u kanoset sllavëve prej Shqipërisë së Madhe. Rusia duket se e kapërcen nganjëherë Serbinë në insinuatat dashakeqëse ndaj Kosovës e shqiptarëve, duke i bërë edhe ndonjë shpëlarje truri se, afrimi me BE-në nuk duhet t’ia zbusë ëndrrat e vjetra shoviniste ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe më tej.

Gjithsesi, ma do mëndja se z. Berisha dhe ministri i tij i Brendshëm, Bujar Nishani, duhet ta kenë marrë seriozisht shqetësimin që solli nga Moska kryeshefi i antidrogës, sipas të cilit ka rrezik që, ndër 300 a më tepër komandot shqiptare që kanë shërbyer në Afganistan, disa mund të jenë kthyer në narkotrafikantë ndërkombëtarë!

Rusia e ka më afër gjeografikisht Afganistanin, u përpoq ta vërë në zap për 12-13 vjet, por dështoi, por sidoqoftë të gjitha lidhjet nuk i ka humbur.

Kështu tani Tiranës i shtohet edhe një detyrë tjetër, e sugjeruar nga z. Ivanov, që të shtojë vigjilencën në rekrutimet e komandove të rinj dhe, të hapë sytë katër se djelmoshat që shkojnë për të ndihmuar popullin e Afganistanit, na kthehen në baronë droge.

KOMENTE