Tiranë, 2 shtator 2011, NOA- Kryeqyteti shqiptar është veshur kuq e zi në pritje të fillimit të ndeshjes së kombëtares shqiptare kundër ekipit francez.
Ndërsa në orën 21:00, në stadiumin “Qemal Stafa” do të luhet ndeshja Shqipëri-Francë , e vlefshme për eleminatoret e 2012-ës, rrugët e Tiranës dhe ambientet jashtë stadiumit ziejnë nga britmat e tifozëve të cilët kërkojnë me ngulm, fitoren.
Të ardhur nga Kosova, Maqedonia dhe natyrisht edhe vendas, tifozët me vuvuzela dhe këngët dedikuar ekipit të kthyera në himne këndojnë pa fund në mbështetje të kombëtares shqiptare, e cila do të përballet për 90 minuta me gjelat e Francës.
Më herët trajneri i skuadrës kombëtare shqiptare, Josip Kuzhe deklaroi dje se ndaj skuadrës franceze do të përdoret kundërsulmi, ndërsa kundërshtari i tij Laurent Blanc, tha se kjo është një ndeshje e rëndësishme, duke njohur lojën e disa prej futbollistëve shqiptarë.
Sakaq Federata Shqiptare e Futbollit pak orë para ndeshjes së madhe Shqipëri-Francë e cila ka entuziazmuar së tepërmi tifozët, deklaroi se skuadra është e përgatitur për takimin, ndërsa thekson se shpreson për lojë të bukur dhe për rezultat pozitiv, madje shton se ndeshja do të jetë e barabartë. a.y/NOA