Tetovë, 3 shtator, NOA – Aleanca Kuq e Zi ka reaguar sot për botimin e librit të historisë në Maqedoni, ku Ilirët cilësohen si kusarë, ndërsa shqiptarë nuk quhen pasardhës të tyre. Dega e Aleancës Kuq e Zi në Maqedoni e cilësoi këtë ngjarje si provokim dhe kërkoi marrjen e përgjegjësive nga drejtuesit dhe historianët që kanë marrë përsipër shkrimin e fakteve.
“Aleanca Kuq e Zi dënon ashpër shtrembërimet historike dhe fyerjet që i bëhen komunitetin shqiptar, kulturës, trashëgimisë dhe gjithë asaj që përbën identitet nacional të tij, në librin shkollor të klasës së VI. Në këto tekste kosiderohet që “Ilirët kanë qenë kusarë”, tha sot Valon Kurtishi, koordinatori i Aleancës Kuqe Zi për Maqedoninë.
Kurtishi tha se Aleanca Kuq e Zi kërkon që Komisioni Nacional i ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, duhet që “sa më shpejtë të përmirësojë gabimet e qëllimshme në këtë libër si dhe dorëheqjen e menjëhershme të z.Zoran Radiç nga posti i kryetarit të Komisionit Nacional për Librat Shkollorë”.
Kurtishi tha se shumë shpejt Aleanca do të paraqesë dhe projektin për libra shkollorë të unifikuar për gjithë shqiptarët në rajon.
“Aleanca Kuq e Zi së shpejti në bashkëpunim edhe me organizatat tjera simotra civile do të dalë me një propozim dhe projekt konkret për unifikimin e librave të gjuhës dhe letërsisë shqipe, historisë dhe gjeografisë kombëtare për gjithë nxënësit shqiptarë në Ballkan dhe kudo janë ata në emigracion”, tha ai.
a.k/NOA