English

Dmitry Rogozin: Konflikti në Libi, një luftë për naftë ...

Moskë, 3 shtator, NOA - Konflikti i Libisë sinjalizon fundin e zgjerimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe njëkohësisht, fillimin e një fushatë të re për të pushtuar pasuritë me naftë në vendet myslimane. Kështu është shprehur gjatë një interviste për “EuObserver”, ambasadori i Rusisë në aleancën ushtarake NATO.

Çfarë është për Rusinë, konflikti ushtarak në Libi?

- Për ne, lufta në Libi e udhëhequr nga koalicioni perëndimor, është një ngjarje krejtësisht e re, një element i ri që duhet të analizohet. Lufta ishte fundi i fazës së zgjerimit të NATO-s lindore. Nga tani e tutje, NATO do të zgjerojë kufijtë e saj në drejtim të jugut, ajo do të projektojë përpjekjet e saj drejt jugut, drejt shoqërive tradicionale islame. Sipas mendimit tim dhe ky nuk është opinioni zyrtar i vendit tim - Kjo ishte një luftë për naftë. Perëndimi ka dështuar të vihet përpara çdo përgjegjësie ekonomike mbi krizën financiare dhe tani ai është duke u përpjekur për të siguruar ekonominë e tij me hidrokarbure të lira ... Çfarë i shtyn të gjitha këto ministri në Europë në mënyrë të etur për të shpenzuar kaq shumë para’ për një fushatë të re ushtarake? Vetëm për të ndihmuar popullin libian? Nëse ju them kështu, ju do të qeshni. Libia është vetëm "i pari" vend në rajon që përballet me "kryqëzatën e re".

A do ta mbështesë Rusia rezolutën e OKB-së?

- Rusia nuk do të mbështesë një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB për Sirinë, në rast se NATO e shfrytëzon për të filluar një luftë me presidentin Bashar Asad. Tani, ne nuk mund t’i besojmë më NATO-s. Ne nuk mund të jemi të sigurt se pas një rezolutë të ngjashme në Siri, ata nuk do të kalojnë gjithashtu me bombat që do të hidhen mbi Damask. Në të njëjtën kohë, Rusia është "e lumtur" që NATO e ka kthyer vëmendjen e saj larg nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik drejt jugut.

Çfarë parashikoni të ndodhë më pas zhvillimeve të fundit?

- Zhvillimet e fundit do të rrisin radikalizmin anti-perëndimor mysliman në Lindjen e Mesme dhe brenda Evropës. Shpreh gjithashtu shqetësime për atë që e shoh si përpjekje e NATO-s për të marrë përsipër nga Kombet e Bashkuara rolin e “qeverisjes” së botës. Në fazën e parë, NATO do të përpiqet të bëhet e barabartë me Kombet e Bashkuara në procesin e vendim-marrjes dhe në një fazë të mëvonshme, edhe më e lartë se OKB-ja ... NATO-s është një grup i 28 vendeve dhe disa prej tyre do të tërhiqen nga ky konsolidim, vetë Aleanca do të mbetet si një sfond në këtë proces.

Cili është roli i Rusisë në Libi?

- Rusia u përpoq të veprojë si një ndërmjetëse e ndershme në mes të Gaddafit dhe forcave rebele dhe e njohu përfaqësinë e rebelëve, Këshillin Kombëtar të Tranzicionit, më 1 shtator, vetëm kur lufta civile kishte përfunduar.

Unë e akuzoj Perëndimin për "nihilizëm" në "shkeljen" e dokumentit të vitit 1973 nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, i cili mandatoi krijimin e një zone ndalim-fluturimi dhe mbrojtjen e civilëve, por që nuk i dha NATO-s të drejtën për luftë kundër Gaddafit apo të furnizimit me armë për rebelët. Unë nuk kam marrë përgjigje nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-s lidhur me sulmet ndaj civilëve. Në vend të kësaj, ai lëshoi ​​një deklaratë duke thënë se NATO ka bërë aq e kaq fluturime dhe se asnjë civil nuk u vra në Libi ... Ne ishim të tronditur”.

Përshtati: n.e/NOA (Marrë nga “EuObserver”)

KOMENTE