English

Enver Hoxhaj: Nëse Serbia do i pranojë mallrat nga Kosova dhe ne do i pranojmë të sajat

Prishtinë, 3 shtator, NOA – I nisur që mars, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rifilloi dje nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian. Ai u pezullua në fillim të korrikut, kur Serbia nuk pranoi embargon për prodhimet e saj. Lidhur me këto zhvillime më të fundit në vendin fqinj, ministri kosovar i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka folur gjatë një interviste për gazetën franceze “Le Croix”.

Z. Hoxhaj, cilat janë rezultatet e dialogut të Prishtinës me Beogradin? - Ai ka për qëllim zgjidhjen e problemeve teknike. Pesë takime kanë ndihmuar për të arritur tre marrëveshje. E para, i lejon qytetarët të udhëtojnë me kartën e tyre të identifikimit në çdo vend. E dyta, lejoi njohjen e targave të Kosovës nga Serbia, ndërsa e treta lejon njohjen reciproke të diplomave. Këto marrëveshje do të zbatohen nga data 1 nëntor.

Çështja e doganave që u adresua dje, pse është kaq e ndjeshme? - Që nga pavarësia jonë në vitin 2008, Serbia asnjëherë nuk e ka pranuar hyrjen në tokën e saj të vulës së Kosovës. Por sipas OKB-së, Kosova është ende një zonë doganore e pastër, që do të thotë se refuzimi serb përbën një shkelje të ligjit ndërkombëtar, në të njëjtën kohë, edhe të institucioneve tona. Situata ishte kjo: Serbia mund të eksportonte në Kosovë, por Kosova nuk mund të eksportonte në Serbi apo edhe të kalonte mallra tranzit. Nuk ishte një simetri. Në pesë takimet e para të dialogut, serbët e kanë kryer gjithmonë trajtimin e kësaj çështjeje. Në 21 korrik, ne shpresonim te qasja, por ata bojkotuan dialogun. Pra, ne kemi vendosur për të aplikuar reciprocitetin: nëse Serbia pranon mallrat nga Kosova, Kosova pranon mallra nga Serbia.

Ky sesion i ri i bisedimeve a do ta zgjidhë këtë problem? - Unë nuk jam fallxhor. Ajo që ka rëndësi, është që serbët të kthehen në tryezën e bisedimeve.

Krijimi i një statusi të veçantë për veriun e Kosovës, i cili ka një komunitet të madh serb, mund të jetë një zgjidhje për të qetësuar marrëdhëniet?

- Në tre vitet e fundit kemi punuar shumë me komunitetin ndërkombëtar për zbatimin e planit të Ahtisarit (shënim: në emër të ndërmjetësuesit të OKB-së për Kosovën, plani u prezantua në vitin 2007 për të lejuar krijimin e shtetit të Kosovës), i cili ofron një zgjidhje për integrimin e komunitetit serb në Kosovë. Mbi 90% e planit zbatohet sot. Serbët janë të përfaqësuar në qeverinë qendrore, parlament dhe gjashtë komuna. Plani i Ahtisarit garanton të drejtat dhe përfaqësimin e minoritetit serb, si askund tjetër në Evropë. Ai duhet të zbatohet në veri të Kosovës. Është koha që Serbia të shpërbëjë strukturat paramilitare dhe shtetërore.

Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë ka emëruar një prokuror për të hetuar një rast të trafikimit të organeve ku mund të përfshihet Kryeministri. A keni frikë për kredibilitetin e qeverisë?

- Raporti i shkruar nga Dick Marty dhe akuzat në lidhje me trafikimin e organeve e kanë dëmtuar shumë imazhin e vendit. Kështu që nuk ka qeveri që është më e mobilizuar sesa e jona për të hedhur dritë mbi këtë çështje. Ne e mirëpresim këtë takim.

Përshtati: n.e/NOA (Marrë nga “La Croix”)

KOMENTE