English

Hafëz Imeri dhe Dëni Didro

Nga Bardh Frangu

Për të reflektuar më thjeshtë në kohën të cilën po e jetojmë, më duhet t’i referohem një të vërtete historike, tashmë të shndërruar edhe në anekdotë. Kjo kishte ndodhur gjatë viteve 20 të shekullit të kaluar.

Hafëz Imeri, nga fshati Sazli i komunës së Ferizajt, pasi kishte mësuar dhe studiuar për shumë vite në Stamboll, si akademik ishte kthyer në vendlindje për të dhënë kontributin e tij atdhetar. Si njeri i shkolluar dhe intelektual i rrallë, i cili, ndër të tjera, njihte edhe 4 gjuhë të huaja dhe ishte autor i tekstit të këngës për deputetin e njohur Ramë Bllaca, e kishin lutur të punonte në komunë, por nuk kishte pranuar. E kishin lutur që të bëhej imam i fshatit, por as këtë punë nuk e kishte pranuar. Hafëz Imeri, i mbushur deng me frymën e rilindësve kishte vendosur të hapte një shkollë që aso kohe quhej mejtep. Kishte dashur të bënte diçka të ngjashme me atë që kishte bërë Dom Mikel Tarabolluzi në Stubëll të Vitisë, duke hapur shkollën e parë shqipe për t’ia hapur sytë miletit dhe për t’ia bërë të mundur ndërtimin e lirisë atdheut.

Kur kishte kërkuar nga banorët që t’ia dërgonin fëmijët për t’ua mësuar, ata, si injorantë që ishin, kishin hezituar duke dyshuar në qëllimin e mirë të hafëzit. Ishin tubuar fshatarët dhe e kishin ftuar hafëz Imerin për t’u sqaruar. Kur fshatarët e kishin pyetur hafëz Imerin se çka do të bënte me fëmijët e tyre, intelektuali i madh i asaj kohe, duke njohur shkallën e lartë të injorancës së njerëzve të vendit të tij, u kishte thënë se do t’i mësojë ata dhe do t’ua kaj nënën.

Dhe vërtet hafëz Imeri ua kishte kajatur nënën injorantëve. Fëmijët i kishte mësuar me historinë dhe të vërtetën për shqiptarët. Ua kishte mësuar vjershat më të bukura të rilindësve, për ta mbushur atë hapësirë fshati me dashurinë për atdheun, dashuri kjo e cila kishte reflektuar edhe në hapësira shumë më të gjera të Kosovës.

Shembullin e mirë të hafëz Imerit e kishte ndjekur edhe nxënësi i tij, mësuesi po nga ky fshat, të cilin jo në pak raste e kam pasur edhe personazh të shkrimeve të mia dhe i cili fundin e jetës së tij e preku pikërisht më një shtator, ditën e parë të fillimit të vitit shkollor. Mësuesi që ishte lexuesi më i pasionuar i shkrimeve të mia jo vetëm publicistike, por edhe letrare, krejt jetën e harxhoi me dilemën e pazgjidhur se si ka mundësi njeriu në këtë botë të vjen si shqiptar dhe në botën tjetër të shkojë si arab! Ai e dinte se shtëpia e qenies, përkatësisht njeriut, është gjuha. Çelësin për hapjen e kësaj shtëpie ua kishte dhënë shumë gjeneratave, por për mbylljen e kësaj shtëpie ata kishin përdorur një çelës tjetër, me një çelës kallauz. Me një çelës të tillë u mbyll edhe dera e shtëpisë së tij!

Ndërsa për të gjallë kishte ndjekur shembullin e mësuesit të tij, hafëz Imerit, për udhëtimin e tij në botën tjetër kishte dashur të ndiqte shembullin e intelektualit më të madh të shqiptarëve, Faik Konicës, i cili kishte lënë amanet që në banesën e fundit ta përcillnin me muzikën e Vagnerit, dëshirë kjo e cila edhe iu realizua Konicës. Mësuesi kishte dashur që kësaj udhe për në botën tjetër ta përcillte mbesa e tij me violinë. Po kjo gjë nuk ndodhi, sepse mësuesi kishte mashtruar veten duke besuar se hafëz Imeri kishte mundur përnjëmend dhe përfundimisht injorancën.

Tani këto vitet e fundit kur injoranca ka pushtuar çdo pore të jetës në Kosovë dhe kur mësuesi mbushej dëshpërim, shpesh i flisja me gjuhën e Dëni Didro nga libri “Dialogje filozofike”. I thosha me gjuhën e Didrosë se sikur njerëzit të ishin injorantë vetëm pse nuk kanë mësuar asgjë, ndoshta do të mund të arsyetoheshin, por verbërimi i tyre është sistematik. Nuk mund të çlirohet nga gënjimet njeriu që kundërshton arsyen e shëndoshë. Në këtë pikë kemi arritur ne, i thosha mësuesit. Mbështetur në dialogun e Didrosë i thosha mësuesit se interesi i ka lindur klerikët. Klerikët kanë prodhuar paragjykimet. Paragjykimet kanë shkaktuar luftërat. Luftërat do të zgjasin derisa të ketë paragjykime. Po ma imponuat heshtjen mbi religjionin dhe pushtetin, s’do të kem më asgjë ç’të them, thoshte Didro. E mësuesi im iku nga kjo botë thellësisht i dëshpëruar dhe i shurdhuar nga zhurma për fenë dhe pushtetin. Iku në oborrin e banesës së fundit të hafëz Imerit, ku në vend të tingujve të violinës, dëgjoj fjalët e një gjuhe që nuk e kishte kuptuar kurrë.

Mësuesi Zotin e kishte konceptuar vetëm si dashuri, si paqe dhe mirëkuptim. Nuk e kishte idenë pse ai mund të ishte burim i urrejtjes dhe luftërave mes njerëzve. Madje as leksionet e Didrosë nuk ia mbushnin mendjen se ky ishte një problem i vjetër që vazhdonte të prodhonte haxhiqamilista në mesin tonë edhe në këtë kohën tashmë të ngulfatur nga injoranca.

Ndoshta mësuesi ishte me fat që iku në botën tjetër me cingërimat e zileve nëpër shkollat shqipe të Kosovës. Mbase ky mund të ishte ngushëllimi më i mirë për gjithë atë jetë të zorshme të kaluar me ditar, duke qenë përherë i ndjekur dhe i diferencuar politikisht dhe moralisht. Çështja është se çka do të mund t’i thotë mësuesit të tij, hafëz Imerit, në atë botë, kur do ta pyes për ne!?

Gazeta "Ekspres"

KOMENTE