Nga Aleksandër Çipa
Grekët po shkëputen nga ndërgjegjja e tyre e dekadave “Papandreo-Micotaqis-Karamanlis” dhe po rindërgjegjësohen për një kohë të re. Në përballje të egër, por edhe në një provë të fortë ekzistenciale politike është me atdheun e tij, Kryeministri i sotëm, bir i ish-kryeministrit Papandreu. Jorgos (Papandreut) i ra shorti të qeverisë mandatin e falimentit financiar të shtetit të tij amtar. Për mendësinë publike të sotme, në Greqinë fqinje, po krijohet ideja se duhet të braktiset ndërgjegjja manipulative që solli klasa politike e pasviteve ’80 në vend. Jetuan me kredi dhe shumuan pasuritë individuale, por zhvatën dhe zhvatën shtetin, duke e sjellë atë në gjendjen e katastrofës dhe “kryqëzimit” fatal. Varfërimin e financave publike qeveritë e rotacionit grek e lanë jetim dhe përgjegjësinë e shpallën “bijë të gjithkujt”. Greqia sot është “shtatzënë” me dilemën e përmbysjes së elitës dhe arketipit të përfaqësimit politik.
Italianët janë në një situatë zierje. Buxheti dhe rreziku italian i krizës financiare është një kërcënim potencial dhe pse jo ekzistencial, për Europën. Kryeministri më jetëgjatë i dekadave të fundit në Itali, skandalozi i zot Berluskoni, është i vetëlodhur si kryeqeverisës i vendit. Natyrisht, jo për shkak të qeverisjes, por për shkak të skandaleve që gjeneroi në vitet e pleqërisë qeverisëse. Protagonist i degradimit të vlerës dhe tabusë morale që mësoi shoqëria njerëzore post Luftës së Dytë Botërore në Europë, por më së shumti ajo italiane, Berluskoni i këtyre ditëve, po mendon arratinë nga mandati i tij dhe pse jo nga krejt politika. Ndërsa po rrethohet nga pakënaqësia masive dhe pse jo, me shenja të forta frustimi prej bashkatdhetarëve, ai po rend të parathotë largimin.
Ballkani, të cilit pas viteve 1990 i ndryshoi historia, ka hyrë tashmë në rrjedhën e epokës së bashkëjetesës dhe të marrëveshjes pa antagonizma të përgjakshme etnike. Ekonomia e tij ka ndryshuar, por asimetria brenda rajonit është ende e fortë dhe përmbajtësisht amorfe. Ndërgjegjja respektuese për rrjedhën integruese në raport me Europën, ndryshon sidomos mes shqiptarëve dhe serbëve, maqedonasve etj.
Politika plurale e tranzicionit postkomunist është gjeratorja e një ndryshimi të madh në këtë rajon, por më së shumti në shtetet përbërëse të tij. Të gjitha shtetet e Ballkanit sjellin në historinë e dy dekadave të fundit përvoja vetjake dhe tipologjike të qeverisjes dhe zhvillimit politik. Dominon në këtë sjellje pragmatizmi dhe korrupsioni, sikundër më evident është shfarosja e tabusë për integritet kombëtar dhe sidomos interes kombëtar. Sjelljet dhe pramatitë politike të kryeministrave dhe ministrave tanë, janë vijueshmërisht me gjurmë dhe përmbajtje antiligjore.
Në këtë tipologji të krahasueshme dhe natyrisht vetjake, përfshihet edhe Shqipëria. Në këto 20 vjet të postkomunizmit, shqiptarët kryen procesin e braktisjes së ndërgjegjes kolektive dhe dogmatike, duke hyrë në një periudhë ku ndërgjegjja zhvilluese e shoqërisë bashkëjetoi me anarkizmin dhe spontanitetin socio-politik. Propaganda demokratike në dekadën e parë bashkëjetonte dukshëm dhe në një lloj sinkroni të pëlqyeshëm me idealizmin dhe ndërgjegjen demokratike aspirante të klasës së re. Me kalimin e kohës, kur prova e interesit politik u bë gjithmonë e më e paktë e respektuar, nisi të bëhej normë edhe cenimi i demokracisë së votës dhe sidomos i demokracisë së përfaqësimit. Në këtë mënyrë u instalua dhe u bë normë imponuese devijimi për qëllime pushteti dhe uzurpimi i demokracisë bazike dhe sidomos asaj institucionale. Vjedhja dhe sidomos deformimi i votës u bënë realitet i pakthyeshëm. Shumëkush tashmë e ka bindje se kemi mbërritur në sistemin e imponimit të dëshirës sonë nga ndërgjegjja manipulative e klasës politike. Në këtë periudhë kritike vijojmë të ndjekim hullinë dhe itinerarin e një krize me dimensione të frikshme.
E para u vra transparenca, më pas u instalua sistemi i sentencës: “Vetë vali, vetë kadi”. Mëvetësia e pushteteve u shemb dhe sot varësia mes tyre është një realitet i pranuar fatalisht edhe prej pretenduesit për në pushtetardhje, pra opozita.
Kabllogramet e publikuara së fundi në rrjetin e “Wikileaks”, janë e vetmja “dritare ilegale” e pacensuruar, përmes të cilave shohim dhe verifikojmë se diplomacia dhe sidomos ajo amerikane, nuk mund të na zhgënjejë me kortezinë e saj, përderisa në përmbajtjen reale të raportimit institucional në Departamentin e Shtetit, nuk rresht së monitoruari dhe vëzhguari e raportuari gjithçka. Anatomia e pushtetit nuk fshihet dot, sikundër organizmi korruptiv është i pafshehshëm.
Mjafton vërshimi i beftë i këtyre kabllogrameve të konstatojmë si publik, se sa të pambrojtur janë nga fshehja e tyre, politikanët dhe aq më tepër shtetarët e qeverisësit tanë.
Kjo ndërgjegje që tradhtohet prej qëllimit dhe interesit të tyre të sotëm qeverisës, nuk është më e të gjithëve. Këtu gjendet “çelësi” i artë, të cilin opozita për shkak të udhëheqësisë së saj të pakurajë, nuk po e merr në dorë. “Shqipëria e grabitur”, është parullë, por kur shtohen provat e grabitjes, kur iniciohen proceset penalizuese dhe ndëshkuese të grabitjes, atëherë mund të thuhet se demokracia ligjore është në këmbë dhe se shteti ligjor është më jetëgjatë se mandatorët. Atëherë te qytetarët vjen shpresa se grabitja nuk bëhet dot rend, por mbetet vetëm akt dhe një cikël i pafat.
Opozita nuk duhet të heshtë. Ajo ka detyrimin të futet në lojën e sistemit dhe jo të mbesë në hijen e trishtimit të vet politik. Të hyjë në lojë jo si denonciatore, por si pjesë potenciale e sistemit institucional. Mësymja e saj nuk perceptohet si kohë e ardhur dhe as si proces i mbyllur i pritmënisë së saj. Mësymja e tanishme është çështje e detyrës dhe aksionit natyral që opozita shqiptare ka ndaj vendit dhe ndaj partneritetit ndërkombëtar. Këtë “shërbim të detyruar” duhet ta marrë seriozisht një opozitë e një shoqërie si kjo e jona, e cila ka rënë në atë që kreu i saj e cilëson me të drejtë “llumokraci”. Kjo llumokraci ka etër dhe skllevër, ka skota e skota grabitqarësh, të cilët opozita me pamëshirë duhet t’i vërë në përballje me ligjin. Të dyja kategoritë janë të dallueshme dhe të veçueshme nga njëra-tjetra. Të konstatosh nuk është detyrë e vetme e një opozite. Të ndryshosh dhe të lëvizësh, është mision jetik dhe kusht i panegociueshëm për ekzistencë politike. Në raport me qeverisjen, kjo opozitë duhet të vërë para faktit të kryer lëvizjen dhe çlirimin e drejtësisë së kapur. Shtetkapja ka ngjarë, por pushtetkapjet nuk janë të përhershme. Kryeministri Berisha është sot i fortë, por qeverisja e tij ka shumë e shumë dobësi “kardiake”. Nuk mund të mbahet më gjatë në këmbë ndërgjegjja manipulative që shitet si propagandë suksesi dhe e pakrahasueshme me botën e krizës rrethuese. Nuk mund të rivihet në përdorim metafora komuniste e “kështjellës së pamposhtur” të ekonomisë metoberishiste. Ky është një mirazh politik, të cilit nuk i beson më as militanti më i devotshëm. Ikja prej ndërgjegjes manipulative, është sot imperativi shpëtues për vetë klasën politike, përreth saj është në vlim inati i sovranit.
Gazeta “Shqip”