Tiranë, 3 shtator 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Shqetësimi për heqjen nga puna të punonjësve nga Bashkia e Tiranës, ka bërë që grupi i këshilltarëve të koalicionit të majtë "Aleanca për të Ardhmen” të reagoj në një deklaratë për mediat.
Në emër të gjithë grupit, kryetari i tij Aldrin Dalipi ka shprehur shqetësimin për
veprimtarinë e kundraligjshme, tërësisht politike dhe ekstremiste të largimit masiv të punonjësve nga Bashkia e Tiranës. “Ne e konsiderojmë këtë veprim si vazhdim i grabitjes së mandatit të kryeqytetit. Nuk mund të jetë gjë tjetër veç hija e grabitjes së votës që tremb dhe frikëson çdo ditë Lulzim Bashën dhe pasuesit e tij të cilët nuk ndalen duke pushtuar në gjithë qelizat institucionin qendror të Tiranës, duke larguar punonjës në shërbim të qytetarëve e duke paralizuar kështu veprimtarinë e përditshme të institucionit e cila nuk është vetëm zyra e kryetarit të bashkisë”, thuhet në deklaratën e këshilltarëve të majtë.
Më tej bëhet thirrje që të ndalet menjëherë, presioni, përndjekjet politike dhe klienteliste në bashki dhe të lihen punonjësit të ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë në përputhje me ligjin në interes të zërit të qytetarëve dhe jo zërit të kryeministrit dhe kryetarit të emëruar të bashkisë. Sakaq shprehet mbështetja për të gjithë hapat ligjor që po ndjekin punonjësit e larguar padrejtësisht, duke treguar solidaritet të plotë me ta.
Sipas këshilltarëve të “Aleancës për të Ardhmen”, një fenomen i tillë nuk ka asgjë të përbashkët me proceset e integrimit europian të Shqipërisë. Ndërsa në përfundim në qëndrimin e tyre thuhet, “Me këtë rast kemi sot një mesazh për gjithë qytetarët e Tiranës, me përgjegjësinë e përfaqësimit në këshillin bashkiak ne nuk do rreshtim së kërkuari të drejtën dhe respektimin e normave qytetare. Denonconi çdo padrejtësi dhe propozoni zgjidhje për çështje që ju gjykoni . Ne do ju dëgjojmë dhe garantojmë që do ta përfaqësojmë zërin tuaj denjësisht në forumin më të lartë të kryeqytetit, Këshillin Bashkiak. Tirana është qyteti jonë i përbashkët dhe kryeqytet i gjithë shqiptareve dhe jo çiflig i Kryetarit të emëruar të bashkisë”.
a.y/NOA