English

Kriza europiane, tundimi kinez dhe Amerika

Nga Joshka Fisher

Ngadalë fjala po bëhet mendim - edhe në Gjermani - se krizat financiare mund të shkatërrojnë projektin e bashkimit europian me gjithsejt, sepse ato demonstrojnë dhe me shumë forcë, dobësitë e eurozonës dhe konstruktit të saj. Këto dobësi janë më pak financiare apo ekonomike sesa politike.

Traktati i Maastrihtit themeloi një union monetar, por unioni politik që është një parakusht thelbësor për suksesin e monedhës së përbashkët, mbeti vetëm një premtim. Euro dhe vendet që e adoptuan po e paguajnë çmimin tani. Eurozona mbështetet në bazat e lëkundura të një konfederate shtetesh që janë besnike ndaj një unioni monetar dhe ndaj ruajtjes së sovranitetit të tyre fiskal. Në një kohë krize kjo nuk mund të funksionojë.

Kur filloi kriza në vitet 2007-2008 të metat kryesore të eurozonës mund të ishin korrigjuar nëse Gjermania do të kishte qenë e gatshme për të mbështetur një reagim të përbashkët europian antikrizë. Por zyrtarët gjermanë parapëlqyen të mbanin dominancën kombëtare dhe rrjedhimisht një qasje konfederative ndaj Europës.

Përgjatë historisë konfederatat asnjëherë nuk kanë funksionuar mirë, sepse çështja e sovranitetit (e rrjedhimisht pushtetit dhe legjitimitetit) mbeten të pazgjidhura. Shtetet e Bashkuara është shembulli ilustrues. Pas fitores së Pavarësisë, kolonitë amerikane u bashkuan njëfarësoj nën Ligjet e Konfederatës. Por kjo ujdi dështoi financiarisht dhe ekonomikisht dhe Shtetet e Bashkuara kaluan shpejt në federatë të plotë.

Sot Europa - apo më saktë, eurozona - përballet me një situatë pothuajse identike, përveç asaj se kushtet historike për integrim të mëtejshëm janë shumë më komplekse dhe të vështira sesa ishin në Amerikën e postpavarësisë.

Europa ka tri zgjidhje. Të çapitet në-për-të si më parë vetëm sa do t’i përshkallëzonte dhe zgjaste krizat. Shpërbërja e unionit monetar do t’i jepte fund vetë projektit europian dhe do të shkaktonte kaos të pamenaxhueshëm. Në fund Europa mund të bënte përpara drejt integrimit të njëmendtë ekonomik dhe politik, një hap që udhëheqësit e sotëm nuk kanë vetëbesim të ndërmarrin, sepse ata nuk besojnë se kanë mbështetjen e duhur të popujve të tyre.

Atëherë kjo thërret për një paketë që kombinon variantin e parë me të dytin. Kur projekti europian ka bërë hapa mbrapsht nga buza e greminës, atëherë mund të jetë koha edhe e momentit federalist. Por fjala kyç është “mund të”: një zhytje me kokë në abys mund të jetë me po aq gjasa.

Qasja ‘mos bëj asgjë’ e Europës ndaj krizave ka prodhuar ndërkohë pasoja të pakënaqshme. Pasiviteti i zyrtarëve të zgjedhur ka ndjekur mosbesimin e popullatave, gjë që tani kërcënon projektin europian. Në fakt kriza po fillon të gërryejë vetë themelet-partneritetin franko-gjerman dhe atë transatlantik-të një rendi europian postluftë që ka siguruar një periudhë paqeje dhe përparimi të paprecdentë në historinë e kontinentit.

Trysnia e tregjeve financiare tani ka mbërritur në Francë dhe përbën kërcënim që as nuk është afër fundit. Nëse Franca gjunjëzohet, dhe Gjermania nuk e ndihmon pa kushte partnerin e saj me çdo gjë që mund të ofrojë, katastrofa europiane do të përmbyllet. Dhe kjo nuk do të vonojë: Franca nuk mundet dhe nuk do të heqë dorë nga rajoni i Mesdheut, kështu që fantazitë e hamendësuara nga euro-veriorët e pasur (gjermanët mbi të gjithë) rrezikojnë kolonën franko-gjermane të paqes europiane.

Në anën tjetër të Atlantikut kriza fiskale amerikane dhe rritja e dobët ekonomike do ta detyrojë Amerikën të ulë përkushtimet e saj ushtarake globale. Për më shumë, Amerika do ta orientojë veten gjithnjë e më shumë drejt Paqësorit dhe jo Atlantikut. Për europianët me fqinjët tanë të paqëndrueshëm lindorë dhe jugorë kjo paraqet një sfidë të re sigurie, për të cilën ne jemi materialisht dhe intelektualisht të papërgatitur. Madje edhe sot dobësia ushtarake e Europës po dëmton partneritetin transatlantik.

Një tjetër kërcënim për aleancën transatlantike vjen nga rendi i ri botëror në proces. Vitet e ardhshme, në fakt dekadat, do të karakterizohen nga një dualizëm amerikano-kienez gjithnjë e më agresiv, teksa Kina bëhet më e fortë e dobësia e Amerikës vazhdon. Ndërkohë që ky rivalitet do të ketë një përbërës ushtarak, siç provohet nga inflacioni i madh ushtarak i Kinës, kryesisht do të manifestohet në terma ekonomikë, politikë dhe në sferat normative të influencës. Azia Lindore, Juglindore dhe Paqësori do të luajnë rolin kryesor.

Por Kina do të përpiqet të tërheqë edhe Europën në këtë lojë globale. Në fakt, ka filluar ndërkohë ta bëjë këtë. Vizitat e fundit të kryeministrit Wen Jiabao në vendet europiane në krizë, ku ai ofroi kredi dhe ndihma bujare, e bëjnë këtë shumë të qartë. Dhe dobësia e Amerikës, varësia në rritje ndaj eksporteve europiane (veçanërisht gjermane) në tregun kinez dhe joshjet e Lindjes së Largme më në përgjithësi do të ushqejnë një perspektivë të re dhe premtuese euroaziatike, ndërkohë që transatlanticizmi rrëgjohet.

Iluzionet europiane rreth Azisë nuk do të synojnë më gjatë Rusinë, e cila, përveç burimeve të saj natyrore, thjesht nuk do të ketë asgjë për ofruar. Jo, këtë herë tundimi do të vijë nga Kina, e cila e kupton shumë mirë domethënien e Europës në garën e saj gjeopolitike me (dhe kundër) Shtetet e Bashkuara.

Ashtu si me Gjermaninë krahasuar me Francën edhe këtu Europa duhet të qëndrojë e palëkundur në krah të partnerit të saj transatlantik, për të shmangur një rrezik të madh për veten. Dy themelet e shtatë dekadave të paqes në Europë po krisen. Riparimi i tyre nuk kërkon asgjë më shumë se të ecurit përpara, më në fund, drejt një Europe të fortë e të bashkuar.

*Joschka Fischer, minsitër i Jashtëm dhe zv.kancelar i Gjermanisë në periudhën 1998-2005.

KOMENTE