English

Kryeministrja kroate Kosor, replikë me Tadiçit

Serbi, 3 shtator, NOA - Kryeministrja e Kroacisë, Jadranka Kosor ka porositur presidentin serb Boris Tadiç se nuk mund të kritikojë kryetarët e qeverive të vendeve fqinje.

Reagimi i kryeministres Kosor ka pasuar pas një deklarate të presidentit serb Boris Tadiç në takimin e shefave të shteteve të Evropës Juglindore në Viminacijum në Serbi, i cili ka thënë se do të vazhdojë luftën kundër të gjithë atyre që mbështesin ata që kanë kryer krime lufte, pavarësisht nga ajo se a bëhet fjalë për serb, boshnjak, malazez, kroatë, shqiptarë apo komunitete tjera.

Gazetarët kanë pyetur kryeministren Kosor se si e vlerëson këtë deklaratë, që kishte aluduar në qëndrimet e saj.

“Si e dini që zoti Tadiç ka aluduar në mua ? Ai ka thënë vetëm se nuk do njerëzit që duan kriminelët e luftës, por unë vërtetë nuk e di se për kë ka menduar. Ndoshta për ministrin në Qeverinë e tij, i cili kohë më parë zbuloi bustin e Sllobodan Millosheviçit dhe u përkul para tij. Mua nuk më kujtohet se dikush në vendet fqinje ka reaguar ndaj këtij veprimi”, deklaroi kryeministrja kroate, Jadranka Kosor.

“Unë mendoj se është një fakt i njohur se Tadiç mund të fajësojë ministrin e tij dhe jo kryetaren e Qeverisë së një vendi fqinj miqësor” porositi Kosor.

E pyetur rreth deklaratës së Tadiçit, i cili ka thënë gjithashtu se janë të rrezikshme aktet politike, kur dikush përkrahë kriminelët e luftës, Kosor komentoi se ka kaluar koha kur Kroacia i është frikësuar porosive të ardhura nga Beogradi.

“Mendoj se është mirë që përgjithmonë të mbyllim atë libër dhe të flasim për bashkëpunim ekonomik apo në sfera tjera. Arsyeja jonë është se Kroacia ka udhëhequr luftë mbrojtëse dhe se asnjë ushtarë kroat nuk ka kaluar kufirin apo është nisur për të rrënuar ndonjë qytet në Serbi. Ne kemi pasur të drejtën tonë për të çliruar territoret tona dhe ky është një fakt historik”, ka përfunduar kryeministrja kroate.

Ky debat mes Tadiç dhe Kosor u zhvillua në distancë pasi që kryeministrja kroate Kosor më 5 shkurt në Knin ka përshëndetur me përshëndetje të veçantë të dënuarit e Tribunalit të Hagës, Ante Gotovina dhe Mladen Markaç, të cilët janë të dënuar për krime lufte ndaj serbëve në vitin 1995.

NPA/INA

KOMENTE