English

Libia, lufta personale e presidentit Sarkozy

Paris, 3 shtator, NOA - Disa luftëra bartin vula tejet personale. Kur flitet për intervencën e NATO’s në Kosovë, në vitin 1999, ka nga ata që atë e quajnë “luftë e Madeleine Albright”, sekretares së shtetit në kohën e administratës së presidentit Clinton e cila një pjesë të fëmijërisë - gjatë Luftës së Dytë Botërore - e kaloi në Evropën Qendrore.

Nicolas Sarkozy i hyri aventurës libiane njësoj sikurse që bënë disa liderë të tjerë perëndimorë gjatë kohës së krizave në periudhën e Luftës së Ftohtë. Natyrisht, ai kryengritjen e pa si një mundësi të mirë për një rikthim të fuqishëm politik. Madje edhe më shumë se kaq, si një rast për ndryshimin e pozitës strategjike të Francës në botën arabe. Për të, ky ishte një rikthim i temës nga fushata zgjedhore e vitit 2007, kur premtoi se Franca “do të jetë krah për krah me të shtypurit”.

Gjatë gushtit të kaluar, derisa po qëndronte në aeroplanbartësen Charless De Gaulle, Sarkozy qartazi aludoi në “përkushtimin konstant të Francës për angazhim në secilin vend, ku cenohen liria dhe demokracia e njeriut”. Privatisht, derisa fliste për Gaddafin, ai shfrytëzonte frazat të tipit “do ta detyrojmë që të gëlltis pluhurin”, ose “do ta rrëzojmë në gjunjë”.

Lufta në Libi ishte rruga e duhur për rikthimin e respektit ndaj Sarkozy. Kjo, për shkak se kryengritjet në Tunizi dhe Egjipt ishin ato që diplomacinë franceze e futën në depresion, veçanërisht pas apelit absurd të diktatorit tunizian, Ben Ali, drejtuar Francës për dërgimin e forcave policore franceze si ndihmë për të.

Duke folur rreth situatës në Libi, Sarkozy shpesh aludonte në atë që ndodhi në Srebrenicë në vitin 1995, që njihet si masakra më e tmerrshme në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Në qershorin e kaluar, në Bruksel, ai u përgjigj bukur ashpër ndaj pyetjes së një gazetari lidhur me rreziqet e fushatës libiane.

“Sot Benghazi, një qytet ky me një milion banorë, do të ishte fshirë nga harta. Edhe 8,000 njerëzit në Srebrenicë ka qenë dashur të ishin të mbrojtur nga demokracia”.

Sipas disa burimeve, që dikur punonin me të në çështje tejet të rëndësishme, Sarkozy është i opsesionuar me ish-presidentët francezë Mitterrand dhe Chirac. Ai dëshiron që t’i tejkalojë që të dytë në skenën ndërkombëtare – qoftë krahasuar me mënyrën sesi Mitterrand u ballafaqua me luftën në Bosnje, apo me atë sesi Chirac udhëhoqi me ngjarjet që ndodhën në Afganistan ose në Bregun e Fildishtë.

Libia ishte testi i parë për Sarkozy, i cili është presidenti i parë francez që asnjëherë nuk ka marrë pjesë personalisht në ndonjë luftë. Sarkozy kreu detyrimin e tij ushtarak në vitin 1978, në zyrën e Aviacionit luftarak në Paris. Sipas saj që thoshte ish-këshilltari i Chirac: “Sarkozy nuk ka një kulturë ushtarake, për dallim nga Chirac, i cili e do atë kulturë edhe pse nuk i do gjeneralët”.

Chirac kishte dëshirë që të thoshte para kolegëve se: “Lufta është solucioni më i keq”. Por, kur gjatë muajve prill dhe qershor Sarkozy i përshëndeti liderët e kryengritjes libiane, ai paralelisht u hodh në strumin e strategjisë luftarake, që është një çështje që zakonisht u lihej këshilltarëve.

Nicolas Sarkozy vërtet dëshironte që ta mposhtte Gaddafin. Andaj, kjo luftë u shndërrua në një duel mes tyre. “Gadafi ‘gjithmonë e tallte’ dhe e akuzonte Sarkozyn se ka vënë në shënjestër naftën libiane, diçka që Sarkozy ‘kurrë nuk ka mundur ta harrojë’”, pohon një ekspertë francez për botën arabe, i cili e njeh shumë miderë presidentin francez.

Rrëfimi për Sarkozyn dhe Gaddafin njohu shumë lëkundje, para se vendi të fundosej në dhunë. Gjatë vitit 2007, Sarkozy fillimisht ishte i mrekulluar me idenë “që të merret” me liderin libian. Ishte i vendosur që të realizojë sukses aty ku të tjerët dështuan. Në pjesën e parë të mandatit të tij, Sarkozy intervenoi në rastin e motrave medicinale bullgare, madje duke dërguar disa herë në Tripoli bashkëshorten e tij atëhershme Cecile.

Në janar 2008, një depeshe diplomatike, e publikuar nga WikiLeaks, zbuloi se Sarkozy “besonte se ishte e mundur që të tentohej të përmirësoheshin djelmoshat e këqij, si puna e Gaddafit”. Pas vizitës së pabesueshme të Gaddafit në Francë, kur ngrehu tendën e tij në mes të Parisit, Sarkozy vendosi që t’ia kthente shpinën, ngase erdhi në përfundim se lideri libian vuante nga çrregullime serioze psikike.

Gjatë operacionit ushtarak në Libi ai vazhdimisht përsëriste para kolegëve të tij se: “E njoh atë tip. Ai është plotësisht i çmendur”.

Ditën e tretë të vizitë së Gaddafit në Paris, në dhjetor të vitit 2007, Nicolas Sarkozy më nuk mund ta duronte. “Nuk dua ta shoh më”, thoshte ai.

Pak para kësaj, Gaddafi kishte mbajtur një fjalim të gjatë lidhur me opsesionimin e tij me gratë franceze, dhe i kishte bërë thirrje rinisë së pakënaqur nga paralagjet franceze “që të rebelohej”.

Asokohe, mes dy vendeve ishte negociuar për shitjen e pajisjeve ushtarake, por asnjëherë nuk erdhi deri te nënshkrimi i ndonjë marrëveshjeje.

Megjithëse presidenti francez dhe prodhuesit e armëve në Francë ishin të gatshëm që të armatosnin forcat ushtarake të Gaddafit.

Mirëpo, lufta e vitit 2011 i dha definitivisht fund politikës së lidhjeve të rrezikshme, madje në mënyrë spektakolare.

Në Francë vendimin për përdorimin e forcës ushtarake jashtë kufijve të vendit mund ta sjellë vetëm presidenti, i cili është njëkohësisht edhe kreu i ushtrisë.

Përkundër disa vështirësive, Franca mbetet njëra prej fuqive më të mëdha ushtarake botërore. Sipas asaj që thonë zyrtarët e lartë francezë, zbulimi i Sarkozyt se ai posedon fuqinë e fjalës së fundit lidhur me intervenimet ushtarake, në fakt, ishte njëlloj “rimëkëmbjeje e republikës”.

NOA/Ekspres

KOMENTE