English

Limaj: Padi ndaj Qeverisë dhe Kryeministrit

Prishtinë, 3 shtator, NOA - Pak orë pas konfirmimit të aktakuzës, Fatmir Limaj ka folur gjatë për rastin e tij në emision Interaktiv të KTV-së. Fillimisht ka bërë të ditur, për herë të parë se po përgatit një padi ndaj Qeverisë së Kosovës për kërkesën që kjo e fundit i ka dërguar Gjykatës Kushtetuese në sqarimin e imunitetit të deputetëve. "Qeveria e Kosovës e ka bërë një veprim jo kushtetues. Koha do ta dëshmoj dhe unë do ta dëshmoj. Nuk do ta lë këtë të heshtur dhe shumë çështje të tjera që kanë ndodhur", ka thënë Limaj. Ai më tej ka shtuar se "nuk e di arsyen pse e ka bërë qeveria këtë, për marketing politik apo presione politike". Ai ka paralajmëruar bërjen publike të fakteve, emrave e individëve që i kanë konstruktuar të dyja rastet kundër tij, atë të MTPT-së dhe për rastin Kleçka. "Ka fakte. Në të dyja rastet. Janë top personalitete, edhe ndërkombëtare e vendase. Nuk do ta kursej askënd. Me të filluar gjykimi do ti bëj publike". ka shtuar Limaj, transmeton IndeksOnline. Ish Komandant Çeliku duke u shprehur i sigurt në fitoren e drejtësisë, ka thënë se me kohë do ta dëshmoj se lufta e Ushtrisë Çlirimtare ka qenë e drejt dhe ky rast nuk është asgjë tjetër pos një fabrikim për interesa politike. NOA Kritika të forta, sërish për të parën herë publikisht, Limaj ka drejtuar ndaj kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi që e ka bërë jo funksionale Partinë Demokratike të Kosovës. " PDK qe 11 muaj nuk funksionon. Që prej përfundimit të zgjedhjeve. Pyeteni kryetarin" ka thënë nënkryetari i PDK-së, Limaj.

KOMENTE