E shtunë, 3 shtator 2011, NOA- Një shtetas shqiptar nga Kukësi u kap mbrëmë në Gostivar, pas grabitjes së një kambisti në qendër të qytetit.
Sipas policisë, grabitësi nga Kukësi, 21 vjeçar, identiteti i të cilit nuk është publikuar nga MPB, është afruar afër një kambisti mbrëmë rreth orës 20.00 dhe kishte kërkuar që ti këmbejë disa para. Mirëpo, grabitësi në një moment ka rrëmbyer tërë paratë që posedonte kambisti dhe kishte ikur në drejtim të panjohur.
Pasi kambisti ka kërkuar ndihmën e dëshmitarëve okularë, një grup pronarësh të dyqaneve në pjesën qendrore të Gostivarit ishin vënë në ndjekje të grabitësit, të cilin menjëherë e kanë kapur.
Policia pas evidentimit të rastit bëri të ditur se ishte grabitur Abduladi A, 46 vjeç nga Gostivari, të cilit i ishin marrë nga grabitësi rreth 100 mijë dinarë dhe valuta tjera.
(INA)/ NOA