English

Olldashi për Wikileaks: Nëse provohet fajësia, përgjigjem ligjërisht e politikisht

Tiranë, 3 shtator 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- (Update) Në vijim të fjalës së tij për mediat, ministri i Transporteve Sokol Olldashi u është përgjigjur interesit të gazetarëve për shkrimet e botuara kundër tij, sipas faqes së Wikileaks.

Lidhur me këtë çështje Olldashi u shpreh se, “Për akuzat e Wikileaks, për Kalimashin, nuk kemi asnjë burim të sigurt, kjo mbetet për tu parë. Stili i këtyre shkrimeve, nuk më duket stil zyrtar i të shkruarit, më duken më tepër thashetheme. Unë kam pasur fatin të jem ministër i Brendshëm 1 vit e gjysëm, dhe kam pasur fatin dhe privilegjin që të kem rezultate shumë të mira në punë, rezultate të cilat janë njohur ndërkombëtarisht dhe që janë arritur në bashkëpunim me gjithë institucionet e specializuara të vendit”.

Sakaq ai shtoi se, përpjekja për të implikuar atë dhe Lulzim Bashën si kriminelë, është qesharake.

Më tej Olldashi theksoi se, “Pavarësisht burimit apo spekulimit, në momentin që një ministër përmendet për akuza të tilla serioze, kjo meriton një shqyrtim dhe unë jam i gatshëm të vihem para institucioneve, para Kuvendit, Kryeministrit dhe gjithkujt që do të dijë se si ka vepruar ministri Olldashi”.

Në përfundim ai u shpreh se, në qoftë se cilido arrin të provojë qoftë një grimcë fajësie, për çdo akuzë, ministri Olldashi shprehu gatishmërinë që të mbaj të gjithë përgjegjësitë ligjore dhe politike.

a.y/NOA

KOMENTE