Tiranë, 3 shtator 2011, NOA- Ministri i Transporteve Sokol Olldashi në një deklaratë për mediat, bëri një pasqyrë të hyrje- daljeve gjatë sezonit turistik.
Në fjalën e tij ai tha se në vendin tonë kanë hyrë 1 milion e 63 mijë qytetarë, duke theksuar se kjo punë është menaxhuar shumë mirë si në porte edhe në aeroporte, duke u shërbyer qytetarëve me cilësi.
“Falenderoj të gjithë stafet për gjithë punën e bërë dhe për dimensionin e dhënë në sezonin e suksesshëm turistik në vend. Në Sarandë, nga viti që vjen është në përfundim kalada e re për kroçerat, investim 5 milion dollarësh për këtë port. Në Vlorë 15.3 milion euro për përmirësimin e kapaciteteve të portit, që të jetë më i gatshëm për të pritur anije pasagjerësh. Ndërsa në portin e Durrësit përmirësimi i kaladave dhe përmirësimi i terminalit me një investim prej 13 milion dollarësh do të përmbyllet. Të gjitha këto bëjnë që ne të jemi të gatshëm për sezonin e ardhshëm të dhjetorit dhe të janarit, ku pritet një fluks edhe më i lartë”, u shpreh Olldashi.
Në këtë linjë ai theksoi se është një sezon i menaxhuar shumë mirë, por kjo tha ai falë gjithë infrastrukturës hyrëse dhe dalëse.
a.y/NOA