English

Presidenti i Hondurasit garanton Jahjagën: Lobim për njohje të reja

Prishtinë, 3 shtator 2011, NOA- Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ka pritur sot në takim homologun e saj nga Hondurasi, Porfirio Lobo Sosa.

Që në fillim të takimit Sosa, theksoi se vendi i tij e ka njohur pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës dhe theksoi të drejtën e saj në tërësinë territoriale si dhe jetesën në paqe.

Presidenti i Hondurasit shprehu më tej, gatishmërinë e tij që të vazhdojë ta ndihmojë Kosovën në procesin e njohjeve tek vendet e Amerikës Qendrore.

Ai tha se do të angazhohet që Kosova të njihet së shpejti nga Republika Domenikane. Ndër të tjera Lobo Sosa, tha se vendet e Amerikës Qendrore kanë bashkëpunim të mirë me njeri tjetrin dhe bëri me dije se në kuadër të delegacionit që po viziton Kosovën ka edhe përfaqësues të shtetit të Salvadorit.

Presidenti Lobo Sosa tha se zhvillimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Hondurasit është i rëndësishëm dhe u angazhua për ndihmë Kosovës në të gjitha fushat, ndërsa më përfundim ftoi Presidenten Jahjaga që të vizitojë Hondurasin.

Nga ana e saj Presidentja Jahjaga, u shpreh se të dyja vendet kanë një bashkëpunim të mirë dhe se ai duhet të zgjerohet edhe në fusha të tjera.

Në vijim ajo u shpreh se, Kosova është një vend Evropian që perspektivën e saj e sheh në anëtarësimin në BE dhe në NATO dhe kjo rrugë sipas saj është pa kthim.

Ndërsa për mediat Jahjaga deklaroi se, “E njoftova Presidentin e Hondurasit se pavarësia e Kosovës është proces i pakthyeshëm që ka sjellë paqe dhe stabilitet në rajon, se sovraniteti integriteti territorial dhe rregullimi i brendshëm i vendit janë çështje të panegociueshme, ndërsa dialogu ndihmon në përmirësimin e jetës dhe të punës së qytetarëve të të dyja vendeve, në relaksimin e marrëdhënieve dhe në zgjidhje të çështjeve praktike”.

a.y/NOA

KOMENTE