English

Unë jam shqiptare

Nga Eliza Dushku

Duke pasur mundësinë të udhëtoj nëpër botë, gjatë gjithë jetës kam qenë në një numër vendesh të mrekullueshme. Pasi kam vizituar 15 qytete unike në udhëtimin tim të fundit në Shqipëri (dhe marrjes së dyshtetësisë) dua ta ndaj përvojën time rreth Lonely Planet's #1 Travel Destination of 2011.

Unë jam një shqiptaro-danezo-amerikane nga Bostoni. Ata që më njohin, e dinë se unë jam shumë krenare që jam bostoniane. Sidoqoftë, gjithmonë kam qenë kureshtare për Shqipërinë dhe e magjepsur nga vendim im “jetim”, një vend për të cilin nuk flitej pothuajse kurrë. Im atë Filipi u rrit në South End, një lagje shumëkulturëshe e Bostonit, nga prindërit e tij Gjergj (George) dhe Villermini Dushku, që emigruan në Amerikë nga ky vend i vogël ballkanik në fillim të viteve ’20. Nuk i kam njohur gjyshërit e mi. Ata ndërruan jetë para se të lindja unë. Kurrë nuk kam pasur ndjenja të forta përkatësie ndaj Shqipërisë, apo për qytetin e vogël të Korçës, prej nga rridhnin ata, por ndjenjat u rritën teksa unë rritesha. Kjo është edhe historia ime.

Teksa fillova të tërhiqja vëmendjen nëpërmjet karrierës së aktrimit, shqiptarët shpejt filluan të vënë re se një prej gjakut të tyre po ngjitej në botën e artit…gjë e rrallë dhe nuk bëhej fjalë për një nga Belushët! Edhe më parë, diku në lagjen time, dikush më shihte dhe më thoshte në një të folur me theks “ti je shqiptare”. Njëherë tjetër, si familje, shkuam për të parë filmin italo-amerikan ‘L’Amerika’. Kur kamera ngadalë ra mbi një anije të vjetër të mbushur përplot me emigrantë shqiptarë pashë në fytyrat e zmadhuara portrete shumë të ngjashme me të tim eti, tim vëllai dhe vetes.

Ftesa e parë për të shkuar në Shqipëri erdhi në vitin 2004, kur m’u qas një fotograf shumë i njohur shqiptaro-amerikan, Fadil Berisha, ndërkohë që luaja në një pjesë teatrale në New York. Fadili është aktualisht fotografi zyrtar për Rolex, Misss Universe dhe Miss USA. Ai ka fotografuar për Elle, Vogue, Mademoiselle etj. Dhe është shumë i famshëm ndërmjet shqiptarëve. Ai më tha se mëmëdheu i gjyshërve të mi më thërret, se unë jam bërë njëfarë heroine kombëtare dhe se ai donte të më çonte në “shtëpi” për një vizitë. Im atë, dy vëllezërit dhe unë ramë dakord dhe udhëtimi ynë i parë në Shqipëri ishte magjepsës dhe interesant. Pak vende kam parë aq të bukura sa Shqipëria, pozicionuar mes deteve Adriatik dhe Jon, nga thembra e çizmes italiane- vendi që Lonely Planet e pagëzoi si destinacionin nr. 1 për vitin 2011-por i njohur gjithashtu për izolimin dhe dy gjenerata komunizëm mbi shpinë.

Kur u ktheva në Amerikë ndjeva diçka më shumë se kurioziteti i fillimit. Doja “ta kuptoja” Shqipërinë, të përpiqesha në njëfarë mënyre ta ngërtheja e ta ndaja përvojën që kisha patur, përkimin që gjetëm me pjesën tjetër të botës. Ideja për të bërë një film dokumentar rreth Shqipërisë, për të promovuar turizmin dhe udhëtimet, u ngjiz nga Fadil Berisha, im vëlla Nate Dushku dhe unë. Pasi hodhëm idenë rreth filmit, nuk na zinte vendi. U bë një punë dashurie. Filluam ta quanim “Letër dashurie Shqipërisë”. Ku e dija unë se do të kthehesha në shtëpi si nënshtetase e këtij vendi!

Tani, kur kthehem mbrapa dhe kujtoj javët që kalova atje, ndihem naive që prisja ta kuptoja Shqipërinë në një jetë të vetme, por procesi ka qenë tërheqës dhe në të njëjtën kohë ngashnjyes. Nuk mund të jem shteruese rreth diversitetit që hasa kur u përpoqa të mësoja më shumë se për plazhet magjepsëse, fshatrat malore përrallore-secili me njëqind vitet e tij të historisë për të zbuluar. Është një aventurë e cila më ushqen dhe e kuptoj se do të rikthehem shumë herë të tjera dhe ende ndihem sipërfaqësore kur them se i kuptoj shqiptarët.

Dikush mund të thotë të njëjtat gjëra rreth Italisë, Greqisë apo Kroacisë, teksa ata që kanë qenë në këto vende me histori të pasur mund të dëshmojnë. Disa mund të fillojnë me një tur me anije që të çon në ishuj të ndryshëm të njohur për plazhet me rërë të zezë dhe vullkanet-por, nëse kalon kohë në një vend, ti zbulon kuptime të reja e të fuqishme. Kur qeshë vajzë e vogël, gjatë udhëtimit tim të parë në Greqi shkuam në një fshat të vogël dhe shkuam në rrugën përballë për të ngrënë mëngjes, pa e ditur se sa shumë u fye mikpritësi ynë që zgjodhëm atë restorant. Pa e ditur, u futëm në një zënkë që na çoi mbrapsht në periudhën e luftës ndërmjet fashistëve dhe komunistëve. Kur pyetëm sesi kishte mundësi që kjo të kishte ende rëndësi, zbuluam se për miqtë tanë ishte si të kish ndodhur dje. Turistë të verbër? Apo fillimet e një mësimi që m’u rizgjua kur e ulur mbi një shkëmb në një plazh të Shqipërisë vështrova kah një rrënojë antike në faqe të malit. E dija se kishte histori atje, nëse mund të gjeja njerëzit e duhur. Në krye të herës ne ishim të vendosur që dokumentarin për Shqipërinë ta bënim me stil, shkëlqimtar dhe kinematik. Projekti do të përfshinte personalitete të forta, imazhe mahnitëse dhe shenja kulturore, si ushqimi, muzika, moda, sporti dhe jeta e natës. E gjithë kjo kombinuar me një shije të zakoneve shqiptare dhe problemeve mjedisore, socio-ekonomike dhe politike me të cilat përballej vendi. Prirja ime për aventura do të përcaktonte tonin e një palë pushimesh aktive, siç edhe rezultuan.

Teksa pamë qytete e fshatra, duke u ngrohur në diellin e një bukurie natyrore dhe duke marrë nga energjia e shqiptarëve, mund të shijonim klubet bashkëkohore të natës dhe butikët seksi, por etja për më shumë nuk na ndahej. Me vrull pamë Tiranën, kryeqytetin e gjallë dhe më pas qytetet bregdetare dhe ishujt e Rivierës shqiptare, për t’iu ngjitur fshatrave të ashpër të Alpeve shqiptare dhe përmes kufirit në Maqedoni dhe në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës me shumicë shqiptare.

Shokët e udhëtimit qenë im vëlla Nate, i dashuri im Rick Fox, shpura jonë prej tre amerikanësh dhe një tjetër shpurë ngazëllimtare shqiptarësh. Për fat, udhërrëfyesi im ishte Fadil Berisha, kushëri me kryeministrin e vendit, Sali Berisha, gjë që na ndihmoi për aksesin në media, qeveri dhe rrethet sociale në mbarë vendin. Ne ndaluam në 15 qytete dhe të gjithë na shijuan dhe ikëm më të uritur se sa kur erdhëm.

Më është futur në gjak. Shqiptarësia ime bëhet gjithnjë e më thellë sa herë shkoj atje. Së herë që shkoj kuptoj se ka diçka më shumë në gjithë këtë. Ka kaq shumë gjëra për të treguar-shumica janë të një lloj historie të lashtë që kërkon në vëzhgim më të thellë dhe më të gjerë. Ndjeva diçka shumë më të ndryshme në këtë udhëtim në “atdhe”. Pas bisedash të pafundme me njerëz të hapur dhe pasionantë, që ndiejnë shumë për Shqipërinë, për herë të parë mund të them se “e di çdo të thotë të jesh shqiptar”. Po filloj të kuptoj kompleksitetin e përzierjes së krenarisë dhe trishtimit, rreth asaj jetë që shumë vetë kanë kaluar pa dëgjuar të përsëritur në veshët e tyre rinorë nga të dashurit e tyre, rreth triumfeve dhe humbjeve që ka provuar ky komb-si individë dhe si komunitet.

Kësisoj, kur u ftova bujarisht për t’u bërë qytetare shqiptare, nuk ndjeva hezitim. U ndjeva e nderuar dhe e zonja për ta pranuar këtë dhuratë. U ndjeva edhe më shumë e ngjashme me ç’jam në të vërtetë. Sigurisht që vazhdoj ta mbaj nënshtetësinë amerikane. Unë jam amerikane gjithashtu. Por nuk është mundim për mua të shpall se që nga 17 gushti 2011, unë Eliza Patricia Dushku, jam një shqiptar-amerikane.

Gazeta "Mapo"

KOMENTE
  • Fatmir Sadiku(Miri)16:49 - 03 Shtator 2011
    nje realite i mbrekullueshem ,per te cilen shumica e shqipetareve jashte atedheut kane filluar te harojn gjuhen e tyre .Ka shume nena shqipetare qe u flasin femijve te tyre ne gjuhen e vendit ku jetojn,mos haroni nena te dashura ne jemi dhe do te ngelemi pergjithmon SHQIPETAR duhet te jemi krenar sic eshte zonja nga amerika Eliza Dushku qe krenohet me emrin shqipetar .urime zj Eliza keshtu vazhdo gjithmon se dhe ne jemi krenar per ty