English

Xhybja turke dhe ruleti rus

Nga Ylber Lili

Të mos e mbash mend historinë do të thotë të jesh pa mend, sikundër t’i kundërvihesh së vërtetës historike i bie që në mënyrë të vullnetshme të çosh ujë në hullinë e atyre që po shpenzojnë shumë energji për të deformuar identitetin kulturor, etnik dhe kombëtar. Duke ndjekur me vëmendje zhvillimet më të fundit, kryesisht tendencat e hapura për restaurimin e neo-otomanizmit në këto hapësira, konstatojmë se disa syresh janë shndërruar në mënyrë të vullnetshme në zëdhënës të strategjisë turke. Me gjithë pritshmërinë e një uniteti politik, intelektual e mediatik për t’iu kundërvënë strategjisë neo-otomaniste, fatkeqësisht ca mendje të sëmura nga mikrobet osmane dalin hapur në mbrojtje të aksionit diplomatik dhe shtetëror turk. Dalin aq hapur, saqë rreken të na mbushin mendjen se pushtimi osman na paskësh qenë thjesht fiksion shqiptar dhe jo një pushtim nga më barbarët. Natyrisht, nuk ia vlen t’i kushtojmë hapësirë disave që zvarriten pas strategjisë së restaurimit të neo-otomanizmit, fundja ata kërkojnë rolin e protagonizmit. Përgjigjja më e thjeshtë dhe më me vlerë ndaj atyre është sistemi i argumenteve historike. Ky sistem na rifreskon kujtesën historike duke na rikujtuar se Perandoria Osmane ishin pushtuesja më barbare në Ballkan, saqë fatura e këtij pushtimi ishte sa tragjike, po aq ndëshkuese për popullin shqiptar. Në këtë kontekst nuk duhet të kemi dilema për kinse “mëkate” që paskemi bërë në librat e historisë, siç pretendon sot e gjithë kohën qeveria turke. 2. Për të gjithë ata që kanë veshë, turqit po na thonë troç: fshini periudhën e lavdishme të kombit shqiptar, duke filluar nga mesjeta. Në fakt, gjuha shkon aty ku dhëmb dhëmbi. Është pikërisht ajo periudhë, e cila përcaktoi fatin dhe orientimin e mëtejmë të popullit shqiptar. Duan apo jo ta pranojnë ideologët e restaurimit të neo-otomanizmit, Skënderbeu ishte jo vetëm udhëheqës kombëtar, por edhe europian, ndoshta më i madhërishmi i periudhës së mesjetës. Ai arriti të ruajë parimet e Europës dhe identitetin europian të shqiptarëve pikërisht në momentin kur rrezikohej më shumë se kurrë nga Perandoria Osmane. Këtë fakt historik, strategët turq nuk e kapërdijnë dot! Prandaj ata kërkojnë, si i thonë, me një gur të godasin në disa drejtime. Të fshijmë kujtesën historike. Për rrjedhojë, të mohojmë periudhën e lavdishme të Skënderbeut, çka do të thotë të mohojmë edhe identitetin europian të shqiptarëve. Nga ana tjetër, në kuadër të “vëllazërisë” islame, thellë-thellë, ata (turqit) duan të ndjellin një mishmash religjioz në hapësirat shqiptare. Këtë luks nuk guxojmë t’ia japim askujt, aq më pak strategëve të restaurimit të neo-otomanizmit, ani pse disa mendje të harlisura pas xhybes turke na sugjerojnë të kundërtën. Në fakt, sugjerimet, ofertat, apo” urdhëresat” e zyrtarëve turq kanë gjetur një lloj mbështetjeje nga disa shqipfolës. Fatkeqësisht, edhe në kësi rastesh absurde mbretëron heshtja! 3. Ç’është e vërteta, kudo heshtet, ose flitet përçart… Në Shqipëri politikanët janë trullosur si pulat pa kokë nga fenomeni “WikiLeaks”. Ambasada e SHBA-ve, përmes institucionit vëzhgues e faktmbledhës, na nxori në shesh marrëzinë kolektive të politikanëve tanë, përfshirë edhe “dashuriçkat” me kontrabandistë rusë, kryesisht në naftë, minerale dhe turizëm. Ndërkohë, në Maqedoni, politikanët shqiptarë as duan të shohin dhe as të dëgjojnë se çfarë ndodh rreth tyre dhe mes nesh. Të ngratët po u prijnë adeteve të festës së Bajramit dhe as e çajnë kokën për çnderimin e prejardhjes sonë nga ana e maqedonasve. Në Prishtinë, edhe kur tentojnë të flasin e katranosin keq e më keq. Si duket, edhe atje po funksionon “magjia” turke. Së fundi, myftiu i Kosovës i bashkohet simfonisë neo-otomaniste. Çfarë absurdi! Si për inat, partitë politike i ka përpirë dheu. Ndërsa LDK-ja e ka futur kokën si struci në rërë, duke harruar frymën rugoviste, filozofia e të cilit ishte për lidhje të ngushta me SHBA-të dhe Vatikanin. Në rrethanat aktuale, të heshtësh apo t’i bashkohesh shpurës së zyrtarëve turq që dua të ndryshojnë historinë e shqiptarëve i bie të ngresh flamurin e bardhë për të deformuar, mohuar historinë, identitetin etnik, kulturor, kombëtar dhe orientimin europian të shqiptarëve, sikundër i bie t’i lehtësosh punë Beogradit. Nuk është e vështirë për t’u kuptuar se ofensiva turke për ndryshim e rrjedhës historike dhe mbivendosjen e kulturën së tyre mbi tapinë e identitetit kombëtar të shqiptarëve është në favor të Serbisë. Fundja, serbëve u intereson një hapësirë shqiptare në Ballkan me fytyrë osmane përballë Europës. Nëse e gërvishtim, qoftë edhe një grimë historinë e shekullit të kaluar, sërish mbi kurrizin tonë dallohet aleanca turko-serbe. Mos vallë edhe shpërnguljet me dhunë të mijëra e mijëra shqiptarëve, që i përkasin periudhës së Nikoliçit (1929), Rankoviçit, 1945, 1968 dhe që përfunduan në “xhyben” turke, duhet t’i fshijmë nga kujtesa? S’do mend që para këtyre fakteve të gjithë përulen, por heshtin. Ndoshta kanë të drejtë, ngaqë dikush më shumë apo më pak e ka gëlltitur nga një lugë çorbë të gatuar në kuzhinat e ideologëve turq, të cilët janë hedhur në sulm për të restauruar neo-otomanizmin në këto hapësira. 4. Sidoqoftë, është momenti për të reaguar jo me arrogancë dhe në mënyrë patetike, por me argumente shkencore dhe historike. Të gjithë jemi të interesuar për partneritet më fqinjët, pa mëdyshje, edhe me turqit. Në kemi dëshmuar prej kohësh se jemi për miqësi me këdo që angazhohet për partneritet të sinqertë. Me Turqinë duam të kemi bashkëpunim dhe marrëdhënie miqësore, por kjo miqësi nuk duhet të keqpërdoret për interesa neo-otomaniste. Sipas logjikës së ideologëve turq, në këmbim të miqësisë u dashka të minojmë kontekstin historik, etnik, kulturor dhe kombëtar. Prandaj, ne nuk duhet të jemi inferiorë dhe as të joshemi pas pamfleteve dhe eseve të diplomacisë turke, esenca e së cilës është të harrojmë historinë në këmbim të mbështetjes. Fundja, çfarë mbështetje! Thuhet se pas betejave dalin shumë komandantë… E vërteta është se në momentet më dramatike për kombin shqiptar të tjerët bënin sehir, përfshirë edhe Turqinë. Mos, ndoshta, ëndërrimtarët e neo-otomanizmit duan që të harrojmë edhe arkitektët e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, të mohojmë dhe aleatët tanë, të cilët na morën përdore dhe na dërguan në NATO?! Vazhdoj të mbetem kureshtar se kur do të ndodhë që në kuadër të ligjërimit politik dhe diplomatik të zyrtarëve turq që ulen këmbëkryq në Tiranë, Prishtinë, apo Tetovë, të përmendet qoftë dhe shkarazi BE-ja dhe SHBA-të. Në këtë kontekst më ka bërë përshtypje vizita e paradokohshme e Kryeministrit turk në Prishtinë, i cili u mburr për aktivizimin e mekanizmave shtetërorë për njohjen e Kosovës nga më shumë shtete myslimane, por për asnjë moment nuk tha gjysmë fjale për integrimet në familjen e madhe europiane. Në vijë të kësaj logjike, para dy ditësh picërrova sytë në esenë me titull: “Një vizion largpamës për Ballkanin”, me autor Ahmet Davutoglu, ministër i Jashtëm i Turqisë. Natyrisht, artikulli ishte kryekëput devijues nga tendenca historike e shqiptarëve, por edhe e rajonit. Duke iu referuar thelbit të esesë, mes rreshtash gjen mesazhe për refuzim dhe grishje. Të ftosh vendet e Ballkanit në xhyben turke, kësaj i thonë të refuzosh frymën perëndimore dhe perspektivën europiane. Në kushte të tilla, kur është fjala për partneritet dhe miqësi, ajo duhet kanalizuar mbi premisat e reciprocitetit dhe me logjikën e frymës perëndimore. Nuk njoh deri tani ndonjë shtet perëndimor të na ketë pickuar, provokuar, apo të ketë bërë presion lidhur me rrjedhën tonë historike, identitetin kulturor, etnik dhe atë kombëtar. Në vend të konkluzioneve, duke marrë parasysh rrezikun shumëdimensional që na kanoset, i duhet dhënë përgjigje pyetjes: ç’duhet bërë…? 5. Ne duhet të reagojmë fuqishëm jo thjesht dhe vetëm për të mbrojtur identitetin tonë kulturor dhe kombëtar, apo orientimin perëndimor, por për të mbrojtur edhe pasuritë kombëtare. Nuk është sekret të themi se ne nuk i kemi kapacitetet e duhura ekonomike, politike, ushtarake etj., për të konkurruar dhe përfaqësuar në arenën ndërkombëtare. Megjithatë, ne kemi pasuri kombëtarë që çmohen në çdo cep të botës së qytetëruar, duke filluar me Skënderbeun, Gonxhe Bojaxhiun (Nënë Terezën) dhe për të mbërritur te Ismal Kadare. Në këtë kontekst, nuk mund të tolerohen pafundësisht orvatjet e maqedonasve për të tjetërsuar origjinën e Nënë Terezës, nuk duhet të tolerohen më tej ideologët turq që të fshijmë nga kujtesa historike heroin tonë kombëtar me përmasa europiane, Gjergj Kastriot Skënderbeun. Nëse vazhdojmë të heshtim dhe të tolerojmë, qarqet antishqiptare një ditë mund të gdhihen me propozimin që të harrojmë edhe rilindësin e kohërave moderne, Ismail Kadarenë. Çdo vend normal. me demokraci të zhvilluar dhe me memorie historike, figurat që kanë bërë epokë i mbrojnë me çdo çmim. Kjo është njëra anë e medaljes, sepse nga ana tjetër, nuk duhet toleruar “makina rrangallë dhe pa karburant” e grekëve, që rreken të tjetërsojnë identitetin e shqiptarëve në Jug të vendit dhe që në pikun e ditës poshtërojnë shqiptarët në radhët e gjata në kufi. Sikundër fyejnë dhe poshtërojnë çdo shtetas shqiptar me origjinë nga Çamëria. Nuk duhet toleruar as oferta ruse, e cila ka për qëllim të rikthejë hegjemoninë në Ballkan, për pasojë, t’i japë zemër dhe krahë Serbisë së madhe. Në fakt, duhet reaguar, por pikësëpari duhet mençuri, kurajë, guxim, si të thuash, duhen pasur këllqe! Nëse vazhdojmë të heshtim, mbi kurrizin e kombit tonë shqiptar do të ulet neo-otomanizmi turk për t’i bërë karshillëk Europës, sikundër në mes të sofrës tonë do të hidhen zaret ruse, në kuadër të një projekti të ri, çka do të thotë rikthim në skemat e hegjemonizmit. Në rrethanat aktuale, krahas ofertës turke për të turqizuar hapësirat shqiptare, janë rusët ata që synojnë restaurimin e raporteve të vjetra në Ballkan, ku të gjithë sllavët do të kenë shtetet e veta, ndërsa të tjerët do të jenë pakica që mirëqenien e tyre do ta ndërtonin nga mëshira sllave. Si përfundim, strategjia e neo-otomanizmit dhe ruleti rus çojnë ujë në mullirin e Beogradit. Gjithsesi, ne nuk duhet të humbin shpresat, orientimi perëndimor dhe identiteti europian (lexo Kadarenë), na e jep një shans, por duhet të nxitojmë. Të paktën të mos na kthejnë shpinën aleatët tanë perëndimorë. Në të kundërt, ruana Zot nga qoftëlargu (çorba turke, sallata ruse apo duhma e nacionalizmit të shpifur grek)!

Gazeta "Panorama"

KOMENTE