Bruksel, 4 shtator 2011, NOA - Eurokomisioneri për zgjerim, Shtefan Fule deklaroi se BE nuk do të bartë problemin e emrit, por ai duhet të zgjidhet tani, informon agjencia e lajmeve INA.
“Jam i bindur se tani ka kushte për marrëveshje për kontestin e emrit dhe ato janë më të mira tani se kurdoherë që të jetë. Realiteti politik është se BE nuk do të bartë këtë problem, por ai së pari patjetër duhet të zgjidhet”, deklaroi eurokomisioneri për zgjerim, Shtefan Fule në një intervistë për numrin e nesërm të gazetës ditore maqedonase “Nova Makedonija”.
Shtefan Fule nesër pritet të mbërrijë për vizitë zyrtare në Maqedoni, për të marrë pjesë në një konferencë të dytë me rastin e shënimit të 10 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit.
Fule ka deklaruar se vizita e tij në Maqedoni nuk do të jetë rutinë, por në kohën e duhur. Ai në intervistë ka shprehur vlerësime pozitive lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme të qershorit.
Lidhur me raportin e KE për përparimin e Maqedonisë në vitin 2011, Fule nënvizoi se “Raporti nuk është si në provim. Ai më shumë është një pasqyrë që tregon se çfarë ka bërë vendi”. Evrokomisioneri për zgjerim i BE pritet të takohet me krerët e lartë shtetëror të vendit dhe përfaqësuesit e partive politike.
a.q/NOA/INA