English

Kuvendi nis punimet, Berisha: Të hapur për opozitën; Rama mbledh deputetët

Tiranë, 4 shtator 2011, NOA/ Albana Qehajaj – Qeveria do të pranojë çdo propozim kontruktiv nga opozita dhe do të shqyrtojë me seriozitet të madh çdo propozim të saj. Këtë garanci, kryeministri Berisha e ka dhënë pas pyetjeve të bëra nga gazetarëtpër hyrjen e opozitës të hënën në Parlament. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidentin e Hondurasit Porfirio Lobo Sosase, Berisha tha se, bashkëpunimi me opozitën është një qëllim konstant i qeverisë për konsolidimin e shtetit ligjor dhe në përmbushjen e 12 rekomandimeve të Komisionit Europian.

Mazhoranca për qëndrimin në Kuvend

“Qeveria është e gatshme dhe e vendosur që të bëjë gjithçka për integrimin e Shqipërisë në Evropë.Ky është edhe Ylli Polar i reformave në vendin tonë dhe ecurisë së zhvillimit të tyre. Në këtë kontekst, dua të theksoj se qeveria në mënyrë të përsëritur ka bërë të qartë se është tërësisht e hapur ndaj Komisionit të Venecias e se mirëpret kontributin e tij për përmirësimet në ligjin zgjedhor.

Ky i fundit, është ligji më konsensual në historinë e vendit, ku qeveria nuk ka refuzuar as edhe një nen të vetëm të propozuar nga opozita, një ligj që ka patur ekspertizën e OSBE-ODIHR dhe Komisionit të Venecias. Pikërisht, kjo ekspertizë e vlerëson këtë ligj si një bazë solide për zhvillimet demokratike”, tha kryeministri shqiptar Sali Berisha. Ai e ka garantuar opozitën se qeveria është e vendosur të përkthejë në ligje secilin nga rekomandimet e ndërkombëtarëve për reformën zgjedhore. “E rëndësishme është që bashkë të punojmë për konsolidimin e shtetit ligjor, liritë dhe të drejtat e qytetarëve si edhe institucionet demokratike”, ka përfunduar kryeministri.

Kuvendi nis të hënën punimet

Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare të hënën më 5 shtator, ora 18.00, duke shenuar keshtu fillimin e sesionit të V-të të Legjislaturës së XVIII-të. Ne mbledhjen e Konferences se kryetareve ku u miratua në unanimitet kalendari 3-javor i punimeve të Kuvendit për periudhën 5 shtator-23 shtator, si dhe Programi i punës në periudhën 5 shtator-4 tetor, kryetarja Topalli ftoi krerët e grupeve parlamentare të nisin punën për ngritjen e Komisionit për Reformën zgjedhore, si edhe theksoi domosdoshmërinë e votimit sa më parë të ligjeve të rëndësishme që kërkojnë 3/5 e votave të parlamentit.

PS prezanton të hënën kursin e ri politik

Kryetari i PS-së, Edi Rama pritet të mbledhë nesër rreth mesditës grupin e deputetëve socialistë. Vetëm pak orë para fillimit të seancës së parë të sesionit të ri parlamentar, grupi i PS-së do të vendosë zyrtarisht qëndrimin ndaj maxhorancës në Kuvend. Nëpërmjet daljeve të deritanishme publike PS ka paralajmëruar ndërprerjen e bojkotit dhe fillimin e punës së të majtëve si një alternativë ndryshe në legjislativ dhe për më tepër si një opozitë e fortë e qeverisë.

a.q/NOA

KOMENTE