E dielë, 4 shtator 2011, NOA - Punimet në superstradën Levan - Tepelenë kanë avancuar mirë dhe kanë hyrë tashmë në fazën e asfaltimit intensiv.
Konkretisht, në lotin e parë Levan-Damës, kanë përfunduar mbi 60 % e punimeve dhe janë asfaltuar tashmë 20 kiliometrat, nga 38 gjithsej që është ky lot. Në lotin e dytë, Damës- Tepelenë, me gjatësi 32 kiliometra, janë asfaltuar 15 kilometra.
Punimet në këtë aks rrugor i inspektoi ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi. "Jemi në një nga pikat më kritike të këtij projekti, konkretisht segmenti që gjëndet mbi lumin Vjosë, jo anash tij. Është një segment shumë i vështirë sepse rruga nuk ka formën e një rruge tradicionale apo të një urë tradicionale. Aktualisht jemi në një ballkon mbi lumë Vjosa , 8 m të gjërë, dhe jemi të detyruar të bëjmë punime shumë specifike, që të bëjmë të mundur zgjerimin e rrugës për shkak të terrenit që nuk lejon mënyrë tjetër të ekzekutimit të punimeve’, tha ministri Olldashi.
Sipas tij, në të gjithë segmentin po vazhdojnë punimet për asfaltimin, si edhe në rrugët Damës- Tepelenë, dhe Levan - Damës.
Aktualisht punimet më intensive janë përqëndruar në nyjen e Levanit në urën e lumit Vjosa dhe në urën e Benicës. Superstrada Levan-Tepelenë , që financohet nga BEI dhe BERZH, është e ndarë në dy lote dhe bën pjesë në korridorin Veri - Jug. Punimet priten të përfundojnë në pranverën që vjen.
a.q/NOA