Prishtinë, 4 shtator 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Qeveria e Kosovës nëpërmjet një deklarate për mediat ka reaguar lidhur me sulmin e ndodhur mbrëmjen e kaluar ndaj zëvendës Kryeministres Edita Tahiri.
“Sulmi, i cili është kryer nga individë të deklaruar si aktivistë të Lëvizjes politike “Vetëvendosje”, është një akt politikisht i papërgjegjshëm dhe në kundërshtim me ligjin. Ky akt është vandal dhe manifestim i huliganizmit për qëllim të përfitimit politik.
Qeveria e Kosovës është e angazhuar në procesin e dialogut të barabartë me Serbinë, për zgjidhjen e të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me raportet në mes të dy shteteve. Kjo rrugë do të çojë në njohjen reciproke të dyja shteteve dhe në normalizimin e marrëdhënieve në rajon”, thuhet në qëndrimin e ekzekutivit kosovar.
Sakaq shtohet se, Qeveria e Kosovës do të vazhdojë angazhimet e saja për të konsoliduar shtetin e Kosovës, për mirëqenien e qytetarëve të vetë dhe të forcoj partneritetin e vetë me të gjitha strukturat ndërkombëtare në procesin e integrimeve euroatlantike.
Në vijim në deklaratë u kërkohet organeve të sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë që të gjitha aktet e dhunës dhe huliganizmit ti trajtojë, pa marr parasysh se nga cila anë vijnë. Më tej theksohet se, sundimi i rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës nuk ka dhe nuk do të ketë alternativë.
Qëndrimi i ekzekutivit kosovar përmbyllet me fjalët, “Ata që kundërshtojnë këtë, pavarësisht se nga vijnë, nuk do të kenë perspektivë në shtetin e lirë dhe demokratik të Kosovës”.
Indinjata dhe dënimi i manifestimit të dhunës dhe vandalizmit ndaj zëvendëskryeministres Kosovës Edita Tahiri, nga ana e qeverisë erdhi pas incidentit të ndodhur mbrëmjen e djeshme në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” të Prishtinës, pas kthimit të negociatores nga Brukseli.
a.y/NOA