Tiranë, 4 shtator 2011, NOA / Albana Qehajaj - Presidenti Bamir Topi në një mesazh drejtuar deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në prag të sesionit të ri parlamentar, këtyre të fundit që të punojnë për të rifituar besimin e lëkundur të qytetarëve tek politika dhe institucionet e saj.
“Parlamenti, mjedisi ku merr jetë politika dhe votohen ligjet, së pari presupozon pjesëmarrje si detyrim kushtetues, politik e institucional. Për këto arsye, apeloj partitë parlamentare të heqin dorë përfundimisht nga çdo formë e bojkotit parlamentar me pasoja të rënda për demokracinë, integritetin e parlamentit, për qytetarët dhe për vendin” ka theksuar Topi ndërsa ka shtuar se prania aktive në Parlament kërkon klimë pozitive dhe respekt për mendimet e shprehura.
Sipas tij palët politike kanë përgjegjësi të krijojnë klimën e besimit, dhe të mos aplikojnë praktika denigruese dhe izoluese për pakicën, për të injoruar mendimin ndryshe apo për axhenda politike personale, të mos ta kthejnë në asnjë rast e për asnjë arsye Parlamentin në gjyq politik, të mos përdorin tribunën parlamentare për të denigruar individë e familje, kategori e shtresa të popullsisë.
“Qytetarët kanë nevojë të shohin një parlament që bën pak propagandë dhe shumë punë, që miraton ligje kushtetuese në dobi të qytetarëve, që kontrollon qeverinë dhe nuk është shtojcë e saj, që respekton pa imponim institucionet kushtetuese, që bëhet promotor e jo pengesë për integrimin, dhe kështu, përcjell vlera e jo mosbesim tek qytetarët. Parlamenti ynë i ka të gjitha mundësitë të shndërrohet në një zëdhënës të mirë të sovranitetit të popullit dhe tempull i demokracisë. Aty ka deputetë me përvojë parlamentare, ka personalitete akademike e shkencore, ka të rinj të diplomuar në universitete perëndimore, ka politikanë që votohen rregullisht, siç ka edhe individë me dinjitet e përkushtim. Unë kam besim dhe mbi këtë bazë dhe inkurajoj këto potenciale të veçanta parlamentare, të marrin përgjegjësinë për ta shndërruar sesionin e ri parlamentar në një periudhë reformash demokratike dhe integruese” ka theksuar më tej Topi
Ndërkohë duke iu referuar miratimit të ligjit të fundit me konsensusin e opozitës dhe mazhorancës rreth dy vite më parë, kreu i shtetit theksoi se në pjesën tjetër të aktivitetit parlamentar nuk është pasur më rastin të shohim bashkëpunim dypalësh dhe reforma që burojnë prej tij.
a.q/NOA