Nga Angelos Stangos
Nuk janë të pakët ata që mund t’u kujtohet “Come September”, një film i Robert Mulligan-it i vitit 1961, ku në rolet kryesore luajnë Ruck Hudson, Gina Lollobrigida, Sandra Dee dhe Bobby Darin. Shtatori që po vjen nuk ka pikë ngjashmërie me film-komedinë romantike të asaj vere rrezëllitëse - as në Greqi, as në Evropë, dhe as në pjesën tjetër të botës. Janë shumë probleme që kanë mbetur në ngërç e pritet t’u jepet zgjidhje sapo të cekë vjeshta, ndërkohë që deri më tash, në qiellzën tonë na ka mbetur shija e hidhur e tregjeve të shprishura, e udhëheqësve që nuk dinë nga t’ia mbajnë, e trazirave sociale të shkaktuara nga kriza ekonomike që ka ngërthyer botën mbarë. Shtatori pritet të jetë vërtet një muaj i vështirë. Shumë analistë parashohin se do të përvijohet një mësymje frontale e tregjeve ndaj bonove të vendeve me deficite të rënduara buxhetore, ashtu si edhe tronditje të monedhës së përbashkët evropiane. Po të njëjtët analistë janë të mendimit se ardhmja e kësaj beteje do të varet shumë nga reagimet e udhëheqësve politikë të kontinentit. Rezultati do të përcaktojë edhe të ardhmen e monedhës euro në veçanti, si dhe eurozonës në përgjithësi, së cilës i mbetet ose të hedhë hapa përpara drejt një qeverisjeje të përbashkët ekonomike, ose të rrezikojë të ndahet copash. Por, le të flasim me këmbë në tokë.
Kjo alternativa e fundit nuk i vlen askujt, as në Evropë dhe as gjetiu. Në këtë shtator, parlamentarët evropianë pritet të miratojnë këstin e dytë të paketës së shpëtimit financiar për Greqinë. Kredia synon të shpëtojë Greqinë nga falimentimi, por njëherazi synon të shpëtojë edhe monedhën e përbashkët nga dështimi.
Vendimmarrësit evropianë janë të mendimit se tregjet nuk do të bien në qetësi për sa kohë që çështja greke mbetet e pazgjidhur, ndërkohë që ngulmojnë që ritmi i reformave të përshpejtohet. Megjithatë, nisur nga reagimet që vijnë nga Gjermania, beteja parlamentare do të jetë e ashpër dhe dobitë do të kenë edhe ato kosto të lartë. Ndërkohë që nuk dihet ende me siguri se cila do të jetë pesha e kontributit të sektorit privat në paketën e shpëtimit financiar për Greqinë. Shtatori pritet me ankth edhe brenda vendit dhe veçanërisht në sektorin bankar, pa përmendur këtu edhe tensionet, konfliktet e trazirat sociale. Aleka Papariga, kryetarja e Partisë Komuniste Greke(KKE) ka deklaruar se me hyrjen e muajit shtator, protestat do të bëhen edhe më të fuqishme, nisur edhe nga vënia në zbatim e planit të shkurtimeve buxhetore të miratuar në muajin korrik. Ndërkohë, taksistët janë në pritje të vendimit që do të marrë Ministri i Transporteve. Yiannis Ragousis, për shtyrjen e afatit të liberalizmit të këtij sektori.
Trazirat në Britani mund të nxisin veprimtari të reja të dhunshme në Greqi. Nga sa u shqyrtua më lart dhe duke u nisur edhe nga gjendja e paqëndrueshme sa në vend aq edhe jashtë tij, disa analistë parashohin se shtatori do të jetë i mbarsur me zhvillime politike. Është e vështirë t’ia parashohësh fundin, por nuk mundesh as edhe t’i marrësh me mendje të lehtë.