Tiranë, 4 shtator 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Kryeparlamentarja Jozefina Topalli priti sot në një takim, Presidentin e Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa.
Gjatë bisedës me Topallin, Lobo Sosa u shpreh: “Admirojmë zhvillimin e madh që ka patur Shqipëria së fundmi. Ju na keni mësuar se si, pavarësisht vështirësive, mund të arrihet një rritje ekonomike qe ne e prekëm nga afër”.
Në vijim ai shtoi se, vendet tona janë larg por pavarësisht kësaj, ndahen parime të njëjta.
Për sa i përket Kosovës ai theksoi se, “Çdo njeri, çdo popull e çdo komb ka të drejtën të jetë i lirë. Vizita jonë në Kosovë dhe në Shqipëri është një rikonfirmim i qëndrimit tonë që Kosova ka të drejtën të jetë e lirë dhe sovrane. Ndajmë të njëjtat ideale dhe vlera dhe do jemi përkrah Kosovës.”
Nga ana e saj, Kryetarja e Kuvendit, e konsideroi vizitën e Kreut të Shtetit të Hondurasit si një vizitë pioniere, të cilën ajo e konsideroi shumë të rëndësishme jo vetëm në aspektin politik por edhe miqësor.
“Kjo vizitë është një mundësi shumë e mirë për të çuar përpara marrëveshje të rëndësishme politike dhe ekonomike dypalëshe. Vlerat universale janë të njëjta dhe e bëjnë distancën gjeografike mes dy vendeve, inekzistente”, u shpreh Topalli.
Ajo shprehu mirënjohjen ndaj mysafirit të saj, për qëndrimin e tij dhe të vendit të tij për njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke e konsideruar si një kontribut të madh për paqen dhe stabilitetin.
Kryetarja e Kuvendit shprehu interesin e saj për intensifikimin e marrëdhënieve parlamentare mes dy vendeve. “Unë besoj fort, në diplomacinë parlamentare dhe në rëndësinë e kontaktit njerëzor. Të prekësh realitetin, të njohësh vendet, njerëzit është shumë e rëndësishme”, tha ajo.
Ndërsa Lobo Sosa si ish Kryetar i Kongresit të Hundurasit, vlerësoi rëndësinë e madhe të bashkëpunimit parlamentar.
Parlamentet, tha ai, luajnë një rol të jashtëzakonshëm në marrëdhëniet mes vendeve. Sipas tij, parlamentarët kanë lidhjet më të afërta më qytetarët dhe kjo bën që roli i tyre në diplomacinë ndërkombëtare të jetë shumë i madh.
Presidenti i Hondurasit e njohu Kryetaren e Kuvendit me projektin e bashkimit të vendeve të Amerikës Qendrore, iniciativë të cilën Kryetarja e Kuvendit e vlerësoi si një projekt shumë të rëndësishëm politik.
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe zv.Kryeministri i Kosovës Behgjet Pacolli.
a.y/NOA