Tiranë, 4 shtator 2011, NOA/ Albana Qehajaj – Presidenti i republikës Bamir Topi ka refuzuar të japë opinionin e tij publik në lidhje me publikimet e kabllogrameve të Wikileaks, duke lënë të hapur mundësinë e të folurit në një ditë tjetër. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidentin e Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa, i cili ndodhet për vizitë në Tiranë, pyetjes së gazetarëve se çmendim kishte për kabllogramet e publikuara nga Ëikileaks, presidenti Topi iu përgjigj. “Nuk dua te krijoj asnjë klimë ofeze , e respektoj, por takimi i sotëm na imponon t’i largohemi me vullnet që të mos përgjigjemi sot për këtë çështje, por le të hapur që ditët në vazhdim të bëjme komentet tona... takimi i sotëm është shumë specifik.”- deklaroi presidenti Topi.
Ditët e fundit mes afro 800 kabllogramëve të publikuar nga WikiLeaks mbi raportimin e diplomacisë amerikane në Tiranë, është përfshirë edhe presidenti Bamir Topi.
“Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, është një njeri i vetmuar në krye të shtetit. Pozicioni i tij është delikat dhe së fundmi konfliktet me qeverinë janë shtuar edhe për shkak të ligjit të dosjeve”.
Kështu shkruan i dërguari me punë i ambasadës amerikane në Tiranë, Stephen A. Cristina, në një kabllogram të dërguar në Departamentin e Shtetit më 9 janar 2009. Në një takim me Christinën, Topi duket se ka përshkruar izolimin e tij politik dhe arsyet e tij, duke e lidhur këtë me debatin e fundit për ligjin e dosjeve. Sipas tij, ky ligj i shumëdiskutuar dhe konflikti i lindur prej tij duket se do ta rrezikojë seriozisht imazhin e tij dhe të ardhmen brenda Partisë Demokratike. “Topi ka bërë përpjekje për të ulur në një tryezë të përbashkët eksponentët socialistë dhe demokratë të politikës shqiptare, por është ankuar për mungesën e një opozite efektive në vend, duke e përshkruar Partinë Socialiste si thuajse të padukshme në këtë rol”, - thuhet në kabllogram. Presidenti shqiptar ndryshon në pozicionin e tij nga ai i Presidentit në shumë republika parlamentare. I zgjedhur nga parlamenti, presidenti edhe pse më i dobët se kryeministri, ka të drejtë sipas kushtetutës të zgjedhë prokurorin e përgjithshëm si dhe gjykatësit e Gjykatës së Lartë. Presidenti mundet edhe të vendosë veto ndaj legjislacionit, edhe pse parlamentit i duhet një shumicë e thjeshtë për ta tejkaluar veton.
a.q/NOA