Lushnje, 5 shtator 2011, NOA – Një 29-vjeçar nga Fieri gjeti vdekjen në orët e para të mëngjesit të sotëm në bypass-in që lidh rrethrrotullimin Pluk - me atë të fshatit Savër në rrethin e Lushnjes. Viktima Klodian Mile në momentin e aksidentit po udhëtonte me makinën e tij të tipit Alfa romeo me targa italiane. Aksidenti i rëndë ndodhi rreth orës 03.00 të mëngjesit pranë një firme inertesh. Korrespondenti i agjencisë NOA citon burimet e policisë që thonë se shkak i aksidentit është bërë dalja e automjetit nga rruga si pasojë e humbjes së kontrollit nga drejtuesi i automjetit Klodian Mile si dhe shpejtësia tej normave të lejuara me të cilën ai ecte. Policia bën me dije se pas përplasjes së fortë 29-vjeçari ka dalë jashtë automjetit disa metra larg rrugës kryesore, për të kërkuar ndihmë, por askush nuk e ka vërejtur për shkak të errësirës. Viktima u gjet në orën 06.00 të mëngjesit, tri orë pas aksidentit. Korrespondenti i agjencisë NOA raporton se roja i firmës private aty pranë ka dëgjuar një zhurmë të fortë, por pa kuptuar se ç’kishte ndodhur. Policia po heton për zbulimin e shkaqeve të aksidentit. mit/NOA