English

Edi Rama: PS do të jetë e pranishme në çdo seancë kuvendore

Tiranë, 5 shtator 2011, NOA – Ashtu siç kishte paralajmëruar më herët në Asamblenë Kombëtare të PS-së, lideri i opozitës Edi Rama deklaroi sot se opozita do të hyjë në Kuvend duke u angazhuar për pjesëmarrjen e saj në çdo seancë plenare dhe votim ligjesh e reformash të rëndësishme të vendit. Në mbledhjen e parë të grupit parlamentar socialist në hyrje të sesionit të ri parlamentar, shefi i selisë rozë duke i uruar deputetëve të tij nisjen e sesionit të ri parlamentar theksoi se opozita do të jetë në kuvend për të kërkuar rrugëdaljet nga kriza që ka kapur vendin dhe nga kapja e shtetit për interesat e kryeministrit Berisha. Duke iu referuar opinionit të KE-së për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe 12 rekomandimeve të KE-së për arritjen e tij, kryetari i PS-së theksoi se opozita do të bëjë çmos që refuzimi i vitit të shkuar të mos përsëritet edhe në këtë tetor dhe pse siç tha ai, shanset flasin për një refuzim të dytë. Rama nënvizoi se puna e grupit kuvendor socialist si grupi më i madh opozitar do të fokusohet me ngulm tek përmbushja e 12 prioriteteve. Sipas Ramës grupi kuvendor socialist do të jetë nismëtar për reformat në luftën pa kompromis ndaj korrupsionit, krizës së ekonomisë dhe financave, krizës sociale. Parlamenti është vendi ku socialistët do të bëhen nismëtarë të të gjitha reformave të rëndësishme në vend, tha Rama. Kryetari i opozitës i ka bërë thirrje kryeprokurores Ina Rama të nisë hetimet për të gjitha krimet shtetërore, abuzimet qeveritare, të cilat kanë dalë në dritën e diellit, dhe kanë shënuar siç tha ai, llumokracinë shqiptare. Lideri socialist i drejtoi një falenderim Presidentit Topi për mesazhin e të dielës kushtuar nisjes së sesionit parlamentar, duke e siguruar Kreun e Shtetit për angazhimin pa rezerva të opozitës për një proces demokratik. “Sot populli është peng i shtetit të zhytur në llumin e pushtetit. Ndaj presim që Presidenti të dalë në mbrojtje të kushtetutës dhe popullit, të cënuar nga politika barbare. Ne i fituam zgjedhjet e 8 majit dhe do t’i fitojmë zgjedhjet e ardhshme si e vetmja alternativë që do t’i japë Shqipërisë, Evropën”, tha shefi i opozitës. Ai garantoi se Partia Socialiste është gati për të gjitha korrigjimet në reformën zgjedhore dhe në Kushtetutë, edhe pse kryeministri sikundër tha Rama nuk pranon. “Saliu s’do pasi ai kërkon të marrë peng institucionet me maskën e Presidentit. Kushtetuta nuk ndërrohet me pahir, ne do t’i ofrojmë ndryshimet tona, le të vendosë populli se kush kërkon të bëjë shtet për të gjithë”, deklaroi Rama në mbledhjen e grupit kuvendor socialist. Vijon... mit/NOA

KOMENTE