Durrës, 5 shtator 2011, NOA- Një 53 vjeçar nga Kosova është vënë në prangat e policisë shqiptare pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga UNMIK në Kosovë. Idriz Murati i moshës 53 vjeçare lindur në Podujevë, u arestua në Pikën e Kalimit Kufitar Port- Durrës, pasi ishte dënuar jme 1 vit burg për veprën penale “Mbajtje, trafikim, prodhim, transport të pa autorizuar të armëve”. Burime zyrtare nga policia thonë se, Murati ishte kapur nga oficerët e shërbimit doganor të Kosovës në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë, ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, në vitin 2008 me një sasi të konsiderueshme municioni dhe një pushkë Remington, në mjetin me të cilin udhëtonte. Sakaq mësohet se kapja e tij u bë nga shërbimet e Policisë Kufitare port Durrës gjatë kontrollit të dokumentacionit ku në sistemin e Interpolit ky shtetas ka rezultuar i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Policia kufitare prangosi Idriz Muratin, me qëllim ekstradimi drejt Kosovës. a.y/NOA