Shkup, 5 shtator 2011, NOA – Eurokomisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fule mbërriti sot në Shkup në kuadër të një vizite zyrtare me rastin e 10 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit. Në qendër të vizitës së tij pritet të jetë arritja e një marrëveshjeje për emrin e Maqedonisë, i cili kundërshtohet nga Greqia, për shkak se Maqedoni, quhet një rajon i saj, i cili ndodhet në kufi me shtetin maqedonas. Në një intervistë për të përditshmen maqedonase “Nova Makedonija” (Maqedonia e re), komisioneri Fule shprehu bindjen se tashmë ekzistojnë kushtet për arritjen e marrëveshjes për kontestin e emrit dhe sipas tij ato janë më të mira se kurdoherë më parë. “Realiteti politik është se BE nuk dëshiron ta bartë këtë problem, ndaj ai së pari duhet të zgjidhet”, deklaroi eurokomisioneri për zgjerimin në BE, Stefan Fule. Fule shprehu vlerësime pozitive lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme të qershorit në Maqedoni. Komisioneri europian është ftuar nga zëvendëskryeministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi, nën kujdesin e të cilit po zhvillohet Konferenca “Decentralizimi dhe multikulturalizmi në Maqedoni”, që po mbahet në kryeqytetin e Maqedonisë me rastin e përvjetorit të dhjetë të Marrëveshjes së Ohrit. Në këtë konferencë janë ftuar të marrin pjesë personalitete të tjera ndërkombëtare, si dhe kryeministri Nikolla Gruevski e liderë politikë. INA/NOA