Përdoruesit e alkoolit, dy herë më shumë shanse për të humbur kontrollin në një bar të panjohur Tiranë, 5 Shtator 2011 NOA / Arlinda Koçi – Jo rrallë na qëllon që të shkojmë në lokale, bare, kafene apo restorante të cilat më parë nuk kemi qenë. Por kur keni dëshirë ta teprojmë me verën, koktejet, apo pije tjetër alkoolike, ose thjesht ju merr “vala” e të pirit, një gjë duhet ta keni parasysh: Vetëpërmbajtja është shumë më e ulët dhe shanset për të dalë jashtë kontrollit, më të larta. Kjo e vërtetuar edhe sipas një studimi të fundit nga profesorët britanikë në Universitetin e Birmingamit ku është zbuluar se, përdoruesit e rregullt të alkoolit, kanë dy herë më shumë shanse për të humbur kontrollin në një bar, në të cilin nuk kanë shkuar asnjë here më parë. Nga ana tjetër, mjediset e njohura i lejojnë këto persona të arrin ta mbajnë veten nën kontroll, paçka se ka edhe raste kur vetë fakti se ambienti është kthyer në të zakonshëm për personin në rolin e klientit, ndonjëherë edhe mund të teprohet me diçka. Studiuesit britanikë në Universitetin e Birmingamit kanë zbuluar nga anketimi i studentëve, se ato që konsumonin së tepërmi alkool ishin më shumë të prirur për të dhënë një përgjigje të papërshtatshme në qoftë se ata ishin duke pirë në një mjedis të ri. Studimi është botuar në revistën Alcohol and Alcoholism. Ekspertët organizuan një eksperiment për të provuar teorinë e tyre se sjellja e studentëve që kishin konsumuar alkool, ndryshonte kur ato transferoheshin në mjedise të ndryshme. Për ta bërë këtë, ata përfshinë në një studim 24 studentë, të cilët konsumuan pije alkoolike në një ambient të njohur. Më pas ata u transferuan në një vend të dytë, ku aty konsumuan pije, që në fakt nuk përmbanin alkool. Studiuesit testuan gjendjen e studentëve, duke i vendosur ato përballë disa detyrave të vogla kompjuterike. Testi përmbante një buton, i cili sa herë shfaqej komanda “i lumtur” duhej të klikohej në të. Në rastin e kundërt, kur butoni i shfaqur ishte “ i mërzitur”, nuk duhej klikuar. Përfundimi i këtij eksperimenti ishte se studentët, të cilët kishin pirë pijet e dyta, jo alkoolike dhe kishin ndryshuar ambient, shtypnin butonin e gabuar në një mesatare prej 12 herësh, për çdo seancë. Ky numër u përgjysmua në gjashtë, kur nxënësit kryen të njëjtën detyrë në një ambient të njohur më parë. a.k/e.t/NOA