Tiranë, 5 shtator 2011, NOA – Me mbarimin e pushimeve të verës Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në seancë plenare në orën 18.00. Sesioni i ri parlamentar pritet të rikthejë në kuvend pas disa muajsh bojkoti opozitën, e cila pritet t’i vendosë kushte mazhorancës sa i përket votimit të ligjeve të rëndësishëm që kërkojnë shumicë të cilësuar votash prej 3/5-ave të deputetëve. E ndërsa në nëntor Shqipëria pret opinionin e KE-së për 12 rekomandimet për marrjen e statusit të kandidatit, që përkthehen në një sërë reformash të rëndësishme për integrimin e vendit në Unionin Europian, të cilat ende nuk kanë nisur për shkak të ngërçit politik të tejzgjatur dhe bojkotit të kuvendit nga opozita, pritet që gjatë mbledhjes së sotme të socialistëve të merret një vendim mbi qëndrimin e socialistëve ndaj kuvendit. Të premten e shkuar u mblodh edhe konferenca e kryetarëve, e cila miratoi kalendarin trijavor të punimeve të Kuvendit. Në qendër të këtij sesioni parlamentar do të jetë reforma zgjedhore si dhe miratimi në kuvend i ligjeve të rëndësishëm si ai për Gjykatat Administrative, Kodin Rrugor, Penal apo edhe disa reforma të tjera që nuk kanë gjetur konsensusin e opozitës. Një ditë para nisjes së sesionit të ri parlamentar Presidenti i Republikës Bamir Topi i bëri thirrje partive politike që të lënë interesat e tyre vetjake dhe të heqin dorë nga bojkoti, i cili nuk i shërben aspak demokracisë në vend dhe integrimit të vendit në Bashkimin Europian. mit/NOA