English

Mediat e huaja i bëjnë jehonë fitores së licencës së dytë 3G nga AMC

Tiranë, 5 Shtator 2011 NOA – Mediat e huaja i kanë bërë jehonë lajmit që kompania e telefonisë celulare AMC në Shqipëri ka paraqitur ofertën më të lartë për licencën e dytë 3G duke u bërë kështu operatori më i ri me teknologji 3G për abonentët. AMC sipas të dhënave të publikuara nga AKEP është e para në tregun shqiptar me 40 për qind të tregut. Menjëherë më pas renditet Vodafone me 35 për qind dhe Eagle Mobile me 20 për qind kurse Plus ka 5 për qind të tregut të telefonisë celulare në vendin tonë. Mediat greke të specializuara për ekonominë dhe ato të përditshme si Imerissia, Capital, Ta Nea, etj., evidentojnë faktin se AMC ka marrë pjesë në tenderin e organizuar nga AKEP, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, për dhënien e licencës së dytë celulare 3G në treg. Me përfundimin e periudhës së dorëzimit të ofertave dhe sipas informacionit zyrtar të shpallur nga AKEP, AMC ka bërë ofertën më të lartë. Mediat e huaja ashtu si dhe ato shqiptare, citojnë drejtorin ekzekutiv të AMC, Dimitris Blatsios, i cili në pritje të njoftimit zyrtar për kompaninë fituese, tha se “na presin shumë ndryshime në tregun 3G” duke premtuar edhe se “kompania AMC do të thyejë monopolin e 3G në Shqipëri”. “Kemi pritur me durim mundësinë për t'i dhënë tregut shqiptar produkte data të besueshme dhe me kosto efektive, në bazë të teknologjisë më të përparuar 3G. Abonentët tanë kanë rrjet komunikimi të cilësisë së lartë në çdo zonë të vendit; tashmë do t'u sigurojmë internet dhe akses në data me shpejtësinë më të lartë të mundshme. Sapo ka filluar një epokë e re në telekomunikacion”, - ka deklaruar z.Blatsios. Mediat ndërkombëtare duke kujtuar faktin se AMC është pjesë e Cosmote Group dhe prej disa kohësh e T-Mobile, ofroi 15.1 milionë euro duke tejkaluar kufirin 12.2 milionë euro të ankandit që kishte shpallur AKEP. Në tender nuk hyri kompania celulare Plus, e katërta në Shqipëri kurse konkurroi Eagle Mobile e cila ofroi afro 13 milionë euro. Nënvizohet se deri tani licencë 3G kishte Vodafone e cila në tenderin e parë që filloi me 12.5 milionë euro ofroi 31.4 milionë euro dhe mori lejen e parë në nëntor 2010 kurse nisi shërbimin në janar të këtij viti. Mediat e huaja evidentojnë dhe faktin se AMC lindi në Shqipëri në vitin 1996 dhe u bë pjesë e Cosmote më 2000 duke numëruar mbi dy milionë abonentë në një popullsi prej afro 3.6 milionë banorë. Sipas capital.gr, në vitin 2010 të ardhurat e AMC ishin 119.3 milionë euro.

KOMENTE