Bulqizë, 5 shtator 2011, NOA/Irma Toptani – Ndërkohë që nuk kanë arritur ende asnjë marrëveshje me kompaninë ACR pas plot dy muajsh protesta dhe një greve urie afro një mujore, minatorët e Bulqizës kërcënojnë me një grevë të re edhe më të egër se ajo e para. Të mbledhur në protestë mëngjesin e sotëm para hyrjes së minierës së Bulqizës ata i kanë bërë thirrje parlamentit të reagojë ndaj kërkesave të tyre legjitime. Duke shfrytëzuar nisjen e sesionit të ri parlamentar, minatorët e Bulqizës deklaruan se në rast se parlamenti nuk ndërhyn për plotësimin e kërkesat e tyre atëherë ata do të hyjnë në një grevë të re urie, edhe më të rëndë se ngujimi prej 27 ditësh në minierën e kromit në Bulqizë. Minatorët i bënë apel Kuvendit të ndërhyjë urgjentisht duke shtrënguar firmën koncensionare austriake të plotësojë kërkesat e tyre për rritjen e pagës neto me 20 përqind, pagesën e plotë për dy muajt e protestës, përmirësimin e kushteve të punës dhe sigurisë në minierë etj. Kërkesat e minatorëve bëhet edhe më të forta kur tashmë fëmijët e tyre kërcënohen të mbeten pa shkollë nga pamundësia për të blerë librat, veshjet dhe mjetet e nevojshme për vitin e ri shkollor, që nis pas pak ditësh. Madje ata e bënë të qartë vendimin se nuk do t’i dërgojnë fëmijët në shkollë pasi janë të rrënuar ekonomikisht. Ata i kërkojnë parlamentit të ndërhyjë menjëherë për plotësimin e 12 kërkesave të tyre. Thirrjet e minatorëve ndaj Kuvendit vijnë në një kohë kur për dy muaj rresht kërkesat e tyre nuk u morën parasysh duke u nëpërkëmbur pa asnjë marrëveshje zyrtare, ndërsa ata rrezikonin deri edhe humbjen e jetës në galeritë e rrezikshme të minierës së Bulqizës, nga ku dolën jashtë vetëm me një vendim të gjykatës së Dibrës. Periudha e grevës së urisë së minatorëve përkoi me nisjen e pushimeve të kuvendit, ndërkohë që në ndihmë të tyre nuk reagoi as Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. mit/NOA