English

Sesioni i ri parlamentar, opozita vendos në mesditë

Tiranë, 5 shtator 2011, NOA – Ashtu siç ishte paralajmëruar Partia Socialiste do të mblidhet vetëm pak orë para mbledhjes së parë të sesionit të 5-të të legjislaturës së XVIII parlamentare, për të vendosur qëndrimin e saj ndaj parlamentit. Mbledhja e grupit parlamentar të opozitës nën drejtimin e shefit të selisë rozë Edi Rama do të nisë në orën 12.00. Gjatë mbledhjes së sotme pritet që opozita të vendosë kushtet e saj për bashkëpunimin me mazhorancën në votimin e reformave të rëndësishme integruese të vendit, reforma të cilat kërkojnë 3/5 e votave të deputetëve. Ka qenë rezultat i bojkotit të kuvendit nga opozita, mosmiratimi i reformave të rëndësishme, të cilat janë pjesë e 12 rekomandimeve të vendosura nga BE për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat, reforma që varen kryekëput nga funksionimi i parlamentit. Vendimi i sotëm i partisë më të madhe opozitare në vend do të jetë kyç për funksionimin e parlamentit gjatë sesionit parlamentar të vjeshtës, kur është domosdoshmëri nisja e punës për reformën zgjedhore, apo edhe arritja e miratimit të një sërë ligjesh të rëndësishëm si ai për Gjykatat Administrative apo edhe ligje të tjera që kërkojnë shumicë të cilësuar votash. Ndërkohë po sot në orën 13.00 do të mblidhet edhe grupi parlamentar i Partisë Demokratike, ku rishtas lideri i demokratëve, kryeministri Sali Berisha pritet t’i bëjë thirrje opozitës për bashkëpunim për reformat e rëndësishme. Kryeministri më herët e ka garantuar opozitën se do të pranojë çdo amendament të sajin për reformën zgjedhore me kusht që ato të mos bien ndesh me Kushtetutën. Kuvendi mblidhet sot në të parën seancë të sesionit të vjeshtës e thirrur për në orën 18.00. Gjatë seancës së sotme pas hapjes së sesionit nga kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli pritet të mbajnë fjalime dy krerët e grupeve parlamentare, ai socialist, Gramoz Ruçi dhe ai demokrat Astrit Patozi. Në hapjen e punimeve të sotme pritet të miratohet procesverbali i seancës plenare, programi i punës së Kuvendit për periudhën 5 shtator - 14 tetor 2011 dhe kalendari trijavor i punimeve të Kuvendit për periudhën 5 shtator - 23 shtator 2011, të miratuara me konsensus të premten në konferencën e kryetarëve. mit/NOA

KOMENTE