English

Zëdhënësi i fuqishëm i Shqipërisë

Parlamenti është vendi ku ne do të bëhemi avokati i këtyre lirive dhe të drejtave. Deri në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare Nga Edi Rama Kryetar i Partisë Socialiste Siç është vendosur prej kohësh dhe konfirmuar në mbledhjen e Asamblesë tonë Kombëtare, ne sot do të jemi në Kuvendin e Shqipërisë. Do të marrim pjesë edhe në çdo proces votimi për të mbajtur jo vetëm me fjalë, po edhe me votë qëndrimet tona në koherencë të plotë me programin e partisë dhe vendimmarrjen e grupit. Duke ju uruar të gjithë deputetëve punë të mbarë, jam i bindur se grupi ynë parlamentar do të jetë zëdhënësi i fuqishëm i Shqipërisë dhe i shqiptarëve që kërkojnë rrugëdalje nga llumi ku po e zhyt përditë vendin keqqeverisja e kapja e shtetit për interesat e pushtetit të Saliut. Shqipëria po i afrohet një tjetër dështimi të rëndë pas atij të afro një viti më parë, kur u refuzua nga Bashkimi Europian kërkesa për statusin e kandidatit. Ne duhet të bëjmë çmos, çdo gjë që kemi ne në dorë, që ky refuzim të mos përsëritet në tetor, edhe pse shanset janë minimale për shkak të të gjitha atyre plagëve të mëdha që Komisioni Europian ka diagnostikuar saktësisht, duke vendosur 12 prioritetet e axhendës politike të Shqipërisë për të hapur derën e mbyllur të Europës. Puna e grupit tonë parlamentar do të fokusohet me ngulm tek ato 12 prioritete. Ne do të marrim lidershipin politik të vendit në çështjen kombëtare të integrimit europian dhe do të jemi më shumë se kurrë partia e madhe e shqiptarëve për Shqipërinë Europiane. Kushtetutshmëria, zbatueshmëria e ligjeve, reformat jetike për vendin, lufta pakompromis me korrupsionin përmes denoncimit publik të tij dhe kontrollit të rreptë parlamentar, kriza e drejtësisë, kriza e ekonomisë dhe e financave publike, kriza sociale që kanë prekur sot palcën e Shqipërisë, do të jenë graviteti i të gjitha përpjekjeve tona. Grupi Parlamentar nuk do të mjaftohet më me vënien e gishtit në plagët e panumërta të vendit, por do të bëhet nismëtar aktiv i hapave që parlamenti duhet të ndërmarrë për t’i lehtësuar ato plagë. Ne s’kemi asnjë iluzion sepse e dimë më mirë se kushdo kë kemi përballë, ç’duar të pista, zhytur deri në bërryla në krim e korrupsion, e mbajnë sot peng Shqipërinë me fuqinë abuzive të qeverisë më të korruptuar në historinë 100 vjeçare të shtetit shqiptar, ç’interesa antikombëtare, antikushtetuese e tërësisht të paligjshme, diktojnë vendimmarrjen dhe qëndrimet e pushtetit personal, familjar e klanor të Saliut ndaj opozitës, ndaj pasurisë publike, pronës private, parave të qytetarëve shqiptarë dhe medias në Shqipëri. Gjithshka ka dalë në dritën e diellit edhe këto javë, që nga përfshirja direkte e Saliut në ndërtimin e fabrikës së vdekjes në Gërdec, tek shembja e tunelit të Kalimashit me humbje katastrofike për financat publike, e me radhë, të gjitha zullumet e denja për një llumokraci si kjo e jona, deri tek vrasjet barbare të 21 janarit me pushkët e shtetit, janë të njohura për ne, i kemi bërë publike, kemi luftuar sa kemi mundur që të bëhen pjesë e axhendës kushtetuese të hetimeve të prokurorisë. Është dita për ta përsëritur edhe njëherë, apelin e opozitës për Prokuroren e Përgjithshme që të bëjë detyrën e saj, të mos lejojë vënien e kapakut të drejtësisë mbi krimet shtetërore, korrupsionin qeveritar, abuzimet e kujtdoqoftë, jo vetëm djathtas po edhe majtas, për gjëma të reja e bëma të vjetra, me Kushtetutën, ligjin dhe popullin që përfaqëson. E falenderoj Presidentin e Republikës për mesazhin e djeshëm drejtuar të gjitha partive parlamentare dhe duke e siguruar për vetëdijen tonë të plotë kombëtare e qytetare në këtë udhëkryq dramatik për vendin, si edhe për angazhimin tonë pa rezerva për një proces demokratik të mbështetur nga të gjitha forcat përparimtare në këtë vend, i bëj përsëri thirrje të mos mjaftohet me kaq. Sot populli shqiptar është peng i shtetit të zhytur në llumin e pushtetit, i gjykatave të vëna në shërbim të interesave personale, familjare e klanore të Saliut, i pasojave të tmerrshme ekonomike e sociale që prodhon përditë babëzia e kësaj qeverie. Prandaj të gjithë presim nga Presidenti i Republikës t’i dalë në mbrojtje pa rezerva Kushtetutës e popullit të vet, si garanti i ligjit themeltar të shtetit dhe i unitetit kombëtar të cënuar nga politika barbare e dasisë dhe e grabitjes së votës, pronës, parave të popullit. Ne i fituam zgjedhjet e 8 majit në të gjithë Shqipërinë që paguan taksa, që do shtet e rend ligjor, që do siguri e shërbime nga shteti dhe do t’i fitojmë zgjedhjet e ardhshme si e vetmja alternativë që mund t’u japë shqiptarëve Europën, barazinë para ligjit, shtetin e të gjithë qytetarëve të saj. E dimë më mirë se kushdo, i kemi provat përvëluese të krimeve elektorale në lëkurën tonë, se votat në këtë vend nuk i vjedh Kodi Zgjedhor, po i vjedh Saliu me shtetin e tij të kthyer në bandë fushatash zgjedhore, nga KQZ-ja, tek Kolegji Zgjedhor e lukunia e drejtorëve të korruptuar të administratës shtetërore e të Policisë së Shtetit. Por po ashtu jemi të bindur për drejtësinë e gjykimit të arbitrit ndërkombëtar, misionit të ODHIR-it, që siç ka identifikuar problematikën e rëndë të zgjedhjeve në Shqipëri, ka dhënë rekomandime të domosdoshme për mbylljen e çdo shtegu abuzimi me ligjin nga ana e pushtetit makut. Prandaj paralelisht me punën e Partisë Socialiste e të opozitës në mbarë territorin e vendit për të forcuar rrjetin e komunikimit me qytetarët e të mbrojtjes popullore të procesit zgjedhor, ne do të bëjmë çdo përpjekje që reforma e Kodit Zgjedhor të garantojë një votim të lirë e të ndershëm dhe një administratë zgjedhore të pakontrolluar nga Saliu. Përfshirja e ekspertëve të OSBE/ODHIR-it dhe opinioni i arbitrit ndërkombëtar të zgjedhjeve e i Komisionit të Venecias në këtë proces, janë për ne kusht i patjetërsueshëm për një reformë të thellë, të drejtë e të barabartë për të gjitha palët. Saliu e Sashenka e Kuvendit duhet ta harrojnë se mund ta kompleksojnë opozitën duke e fajësuar për ligjet e pamiratuara që kërkojnë 3/5 e votave të deputetëve, ne nuk do të votojmë në asnjë rast për arnime e makiazhe që bëhen për t’i hedhur hi syve Brukselit. Do ta japim votën tonë vetëm kur procesi shtetndërtues përmes këtyre ligjeve të vihet në binarët që kërkon një vizion kombëtar e jo partiak, për funksionimin e shtetit dhe kur i gjithë procesi ligjvënës në tërësi të jetë në shërbim të forcimit të kushtetutshmërisë e të modernizimit real të shtetit dhe kjo duhet të fillojë nga rikthimi i jetës së Kuvendit të Shqipërisë tek normat e bashkëjetesës parlamentare që përcaktohen prej një rregulloreje konsensuale, konform standardeve europiane të funksionimit të parlamentit dhe korrigjimit të të gjitha defekteve të rënda që raporti i Komisionit Europian ka identifikuar në ecurinë e papranueshme të punës së kuvendit. Ne jemi gati për të gjitha këto korrigjime, po secila syresh kërkon dy palë. Ashtu siç kërkojnë dy palë korrigjimet dhe përmirësimet e mëtejshme të Kushtetutës, për të cilat kemi shprehur qëndrimin tonë dhe jemi gjithashtu gati të japim kontributin tonë nëse ka vullnet nga pala tjetër. Në këtë pikë e dimë mirë që Saliu s’do dhe të gjithë besoj e kanë kuptuar nën dritën e tmerreve të publikuara gjithë këto ditë se pse nuk do, për të institucioni i Presidentit të Republikës është streha për t’i ikur drejtësisë bashkë me gjithë mëkatarët e oborrit të tij familjar e klanor, arma për të marrë peng me maskën e presidentit edhe prokurorinë edhe Shërbimin Informativ, sepse gjykatat tashmë i ka lidhur duarsh e këmbësh në një cep të atij oborri. Sidoqoftë, Kushtetuta s’ndërrohet me pahir dhe ne s’ia lidhim duart vetes duke kushtëzuar aksionin tonë politik me ndryshimet e nevojshme në kushtetutë. Populli le të dëgjojë, të shohë dhe të gjykojë se kush kërkon të bëjë shtet për të gjithë e kush synon ta bëjë shtetin vegël sundimi mbi të gjithë. Ky sezon është edhe sezoni i zgjedhjes së një sërë drejtuesish të institucioneve kushtetuese. Është koha kushtetuese e ndërrimit të Guvernatorit, i cili është kthyer në mashë e Saliut për të çuar përpara politikën e tij shkatërruese për financat e shtetit. Është koha e ndërrimit të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të cilin Saliu kërkon ta kthejë në mashë për të mbuluar zullumet e pafundme të të gjitha ministrive e agjencive shtetërore të vëna nën regjimin e korrupsionit. Është koha e ndërrimit të Avokatit të Popullit, të cilin Saliu i’a ka ofruar opozitës për t’i hedhur hi syve komunitetit ndërkombëtar duke qenë se në gjithë këto vite e ka provuar që për të ai institucion nuk ekziston. Është koha e plotësimit edhe të ndonjë vendi të mbetur në gjykatat e larta të vendit. Është koha që Presidenti i Republikës të bëjë përzgjedhjet e tij siç i’a kërkon Kushtetuta për të gjitha këto ndërrime dhe opozita do të votojë çdo kandidaturë të propozuar nga presidenti, duke kërkuar që të njëjtën gjë të bëjë edhe shumica e vjedhur e Kuvendit, si edhe rikthimin e plotë të votës së fshehtë në Kuvend për çdo votim për persona të veçantë. Kjo është një kohë e ngarkuar me probleme të rënda për gjithë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, e cila na ngarkon me barrën e zëdhënies së fortë të halleve e shpresave të tyre. Ne do ta bëjmë këtë edhe në respekt të Paktit Qytetar që kemi nënshkruar solemnisht para popullit në prag të zgjedhjeve të 8 majit. Të gjitha pikat e atij pakti Grupi Parlamentar do t’i zbërthejë në nisma ligjore, interpelanca e mocione për debat. Është koha që ministrat e korruptuar të kësaj qeverie pa din e as iman, të paraqiten para Kuvendit duke respektuar pa asnjë bishtnim rregulloren e tij, dhe të përgjigjen për paudhësitë që i bëjnë ata, po i paguajnë shqiptarët. Siç po paguajnë me stërmundime e sakrifica minatorët e Bulqizë shkeljen e Kushtetutës e të ligjit nga ish-ministri i Ekonomisë që është prova më e dhimbshme e paralizës së Prokurorisë së Përgjithshme, pasi shkelja e tij, në kapërcim të kompetencave, marrja arbitrare prej tij e kompetencave të Kuvendit, s’ka nevojë as për hetime të vështira si ato të tabulateve telefonike apo të kërcënimeve telefonike të Gërdecit, as për shumë seanca pyetjesh e dëshmitarë. Siç po paguajnë të gjithë shqiptarët që shkojnë në spitale ku s’ka më asgjë, as ilaçe e as serume, për shkeljet flagrante të ministrit të Shëndetësisë, i cili me paturpësinë më spektakolare deklaroi se po lufton korrupsionin e Bankës Botërore. Siç po paguan çdo shqiptar që blen karburant e ushqime që do të vazhdojnë të shtrenjtohen qoftë edhe për shkak të shtrenjtimit të karburantit, shkeljet e pandalshme të disa ministrave dhe të një ish-badigardi të Saliut, famëkeqi nëndrejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, që siç e provojnë faktet e dala në dritë me kohë kontrollojnë me sy të mbyllura e kërbaç paligjshmërie shtigjet e qarkullimit të karburantit në Shqipëri. Siç po paguajnë të gjithë pronarët e ligjshëm mbetur me gishtgojë nga pronësimi i paligjshëm i oborrit familjar e klanor të kryeministrit që vjedh zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë. Siç po paguajnë të gjithë prindërit e këtij vendi që çojnë fëmijët studentë në universitete ku diplomat janë si interesat e fajdeve e të piramidave të dikurshme të Saliut e të Ridvan Bodes. Siç po paguajnë mediat për lirinë e tyre, me gjoba falimentuese e shantazhe të përditshme të çdo forme mafioze që orkestrohen nga oborri i pushtetit dhe vetë qytetarët shqiptarë që dizinformohen çdo ditë nga propaganda fashiste e Televizionit Publik Shqiptar. Jemi gati të votojmë ligjin e shumëkërkuar për mediat jo vetëm nga operatorët shqiptarë që kanë mbetur pre e ligjit të xhunglës së imponuar prej fanfarës mediatike të sallonit të Saliut, po edhe nga Bashkimi Europian e partnerët ndërkombëtarë. Por vetëm kur të merren parasysh mbi njëqind rekomandimet e OSBE-së dhe mbi dhjetë propozimet tona kyçe për një kuadër ligjor europian për median që të garantojë çdo operator, të mbrojë lirinë editoriale dhe ekonomike të kundërshtarëve njësoj si të kanakarëve të qeverisë, të sigurojë informacion pluralist, të çliruar prej kthetrave të shtetit të zhytur në llumin e pushtetit. Së fundi, dua sot t’u them të gjithë qytetarëve të dëshpëruar të këtij vendi, të gjithë atyre që janë cflilitur prej grabitjeve të votës e të pasurive të vendit, çdo shqiptari që kërkon prej nesh të dalim në rrugë e të largojmë qeverinë me forcën e protestës popullore, se ne s’kemi harruar asgjë, s’do falim asnjë krim e mëkat në kurriz të Kushtetutës, ligjit, njerëzve të zakonshëm të Shqipërisë. Do të jemi pranë tyre e me ta në çdo protestë për çdo barrikadë që u ngre në jetën e përditshme korrupsioni e makutëria e pushtetit, por rruga jonë, rruga e përbashkët, rruga e të ardhmes, kërkon prej nesh, Partisë Socialiste dhe gjithë shqiptarëve të bashkuar në opozitë, marrjen sot të përgjegjësisë kombëtare për të nxitur, afruar, mundësuar, integrimin europian të vendit. I cili s’është një fjalë boshe siç tingëllon në gojën e Saliut e në altoparlantët e pushtetit, po destinacioni ynë i përbashkët si qytetarë të këtij kontinenti dhe mundësia jonë e vetme si shqiptarë për të shpëtuar nga e keqja që në njëzet vjet ka shtrirë thellë rrënjët e saj duke mos lejuar ndërtimin e një shteti në shërbim të të gjithëve. Ne duam dhe duhet të ndërtojmë shtetin e pavarur nga pushteti, institucionet demokratike të çliruara nga interesat e qeverisë së sotme e të atyre të nesërme dhe sot, kur është bërë e qartë kush vjedh e kush vidhet, jo vetëm për opozitën e popullin shqiptar, po edhe për miqtë e partnerët ndërkombëtarë, ne do të jemi në krah të lirive e të drejtave të Shqipërisë që duam dhe në krah të Shteteve të Bashkuara e të Bashkimit Europian për lirinë e të drejtat që ata duan të ketë çdo shqiptar. Parlamenti është vendi ku ne do të bëhemi avokati i këtyre lirive dhe të drejtave. Deri në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

KOMENTE