Londër, 6 shtator, NOA - Ekonomia e Shqipërisë parashikohet që të vazhdojë më tej rritjen e saj, edhe gjatë muajve në vazhdim. Këtë herë, një fakt të tillë e pohon gazeta e huaj “A Place in the Sun”, në një artikull të posaçëm, dedikuar treguesve gjithmonë e në rritje të ekonomisë së vendit tonë.
Sipas tij, në Shqipëri parashikohet që të vijnë edhe më shumë investitorë, në kërkim të pronave të volitshme për të investuar.
”Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka pasur një rritje të gjerë GDP-së (Prodhimit të Brendshëm Bruto) dhe ishte vetëm njëri nga dy vende në Evropë që kanë shënuar një rritje në nivelin prej 6% në periudhën e viteve 2001-2009, një nga shfaqjet më të forta të kësaj dukurie në kontinent.
Sipas Bankës Qendrore të Shqipërisë, rritja ekonomike në tremujorin e dytë të vitit 2011 do të jetë rreth 3.4 për qind dhe inflacioni do të mbetet i ulët, që do të thotë lajm shumë i mirë për ata që kërkojnë prona në Shqipëri”, citon artikulli në fjalë.
Duke shtuar më tej, se çmimet e pronës në vend kanë mbetur të qëndrueshme gjatë këtij viti, duke treguar se është një investim relativisht i sigurt në treg. ”A Place in the Sun”, citon gjithashtu faktin se një sondazh i kohëve i fundit nga “Arroutrak” i bizneseve në rajon, zbuloi se rreth 37% e tyre janë duke investuar në Ballkan, mes tyre edhe vende si Shqipëria. n.e/NOA