Tiranë, 6 shtator 2011, NOA – Pak muaj pas marrjes së detyrës së re, zëvendëskryeministria e Maqedonisë, Teuta Arifi është pritur nga kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Në takim u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve dhe u shpreh vullneti për intensifikimin e bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve dhe qeverive, në veçanti vendosmërinë për të zhvilluar projekte infrastrukturore që do të afrojnë më tej të dy vendet. Të rëndësishëm në këtë kontekst janë Korridori 8-të, linja hekurudhore që do të bëjë të aksesueshëm portet e Shqipërisë për Maqedoninë. Kryeministri e njohu Zëvendëskryeministren Arifi me disa nga projektet që janë në zhvillim apo pritet të fillojnë si rruga e Arbrit që shkurton distancën Tiranë-Shkup me 100 kilometra, rruga Tiranë-Elbasan si pjesë e Korridorit të 8-të, fillimin vitin e ardhshëm të ndërtimit të linjës së interkonjeksionit Tiranë-Shkup. Kryeministri Berisha theksoi se vendet e rajonit duhet të përqendrohen në heqjen e barrierave dhe krijimin e kushteve për vendosjen në rajon të rregullave të njëjta me ato që vendet e Bashkimit Europian kanë vendosur mes tyre, që do të krijojnë mundësinë e krijimit të një tregu të njëjtë në rajon, vendosjen e procedurave që reduktojnë kohën dhe ndihmojnë e lehtësojnë biznesin dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve. a.q/NOA