Nga Artan Hoxha 1. Në intervistën dhënë gazetarit Aleksandër Çipa (gazeta “Shqip”, 28.8.2011), pyetjes së tij: “Pyetja e parë dhe e shpeshpërmendur këtyre ditëve në mjedisin publik shqiptar është: Ç’do të bëjë opozita dhe cili do të jetë kursi i kreut të saj?” Edi Rama i përgjigjet: “Ndjesë, po pyetja e parë sot, mot, gjithnjë, në një vend që pretendon të mirëqeveriset, nuk është ç’do bëjë opozita, po ç’bën qeveria dhe ç’duhet bërë me qeverinë që s’bën(?). Më pas vjen opozita”. Në normalitet, Rama ka të drejtë. Qeveria është në fokus të analizës, vërejtjeve, kërkesave dhe kritikës. Në normalitet, ka të drejtë Çipa. 2. Në dy vite, fill pas zgjedhjeve të qershorit 2009, opozitarizmi qarkoi një cikël të plotë ekstremist me disa etapa: i) mosnjohje e humbjes së zgjedhjeve 2009; ii) bojkot i plotë parlamentar; iii) akuza për qeveri mafioze; iv) bojkot i zgjedhjeve të pjesshme; v) protesta dhe grevë urie; vi) vazhdim i bojkotit parlamentar me forma alternative, si mosvotimi në bllok i ligjeve të axhendës europiane; vii) bojkot i reformës zgjedhore; viii) përshkallëzim i akuzave ndaj qeverisë si autokraci e më pas si fashizëm; ix) demonstrata të dhunshme; x) bojkot paraprak i procesit të administrimit zgjedhor, por hyn në zgjedhje për shkak të presionit progresist, veçanërisht, ndërkombëtar; xi) fushatë e ashpër dhe protesta të dhunshme lidhur me Tiranën; xii) mosnjohje e humbjes së zgjedhjeve të majit 2011. Nisi dhe përfundoi në të njëjtën pikë. Shumë energji të shpenzuara. Pa rezultat elektoral. Anormalitet. 3. Opozita mundet që të vazhdojë fare mirë të njëjtin cikël edhe dy vitet e ardhshme. Rrethrrotullim. Ndaj, pyetja mbi opozitën është e rendit primar. Po aq kuptimi i qasjes së re opozitare që premton daljen nga rrethrrotullimi. Shqetësim publik. Qasja e re po parathuhet. Me pikatore. Fraza me dy e me shumë kuptime. Reagimi fillestar: mosbesim nga kundërshtarët; lëkundje mes mosbesimit dhe besimit nga të moderuarit dhe/ose pragmatistët; zhgënjim nga ekstremistët. 4. Mesazhi më i qartë deri tani mbi qasjen e re është ndërprerja e bojkotit parlamentar. Për këtë duket se ka konsensus thuajse të plotë brenda opozitës, përjashtuar ndonjë segment ekstremist satelitor të saj. Për ndërprerjen e bojkotit shprehen edhe ata që vlerësojnë se bojkoti ishte i suksesshëm në ndërkombëtarizimin e çështjes së manipulimeve zgjedhore, edhe ata që besojnë se ai ishte i padobishëm, edhe ata që besojnë se ai ishte i dëmshëm për vetë opozitën. Bojkot vështirë se do të ketë më. E dobishme për opozitën. Për interesin publik, gjithashtu. 5. Protestat opozitare, ndonëse nuk përjashtohen, me gjasa s’do të jenë më mjet kryesor. Parti parlamentare, aq më shumë, e madhe, që të protestojë, nuk gjendet normalisht në Europë. Organizim i protestave të dhunshme jo e jo. Kjo e dyta duket se është kuptuar, nga ç’po thotë së fundi edhe lideri Rama. Do të ishte e udhës ta kishte kuptuar tetë muaj më parë. Iu tha atëkohë. Nuk dëgjoi. Më mirë vonë, se kurrë! Protesta të dhunshme vështirë të ketë më. E dobishme për opozitën. Për interesin publik, gjithashtu. 6. Nuk mjafton vetëm kaq. Kërkesa për mirëkuptim për mospërdorimin më të dhunës nga opozita, drejtuar segmenteve ekstremiste, të cilat në editoriale, analiza e blogje bëjnë thirrje për përdorim të çdo mjeti, përfshirë dhunën verbale a fizike, është në kundërshtim me vetë qasjen e re paqësore opozitare. Qasja e re kërkon, domosdoshmërish, distancim nga dhe dënim të dhunës së kryer e asaj të kërkuar për t’u kryer. Asnjë shpresë për dhunën dhe të dhunshmit. Do të ishte mirë të hiqej dorë edhe nga organizimi i protestave paqësore nga vetë opozita. Ka plot platforma ku të shprehen idetë dhe protesta bashkë. Parlamenti. Media. S’ka nevojë për grumbullime turmash, fjalime patetike dhe atmosferë të zymtë. Dihet mbështetja elektorale. Nuk janë numrat në sheshe prova e mbështetjes. Iluzion. 7. Qasja e re, po thuhet se do të ofrojë ide konkurruese për çështjet e rëndësishme publike. Gjithsesi, është ende e paqartë nëse do të kalohet nga destruktivizmi në obstruktivizëm, apo në konstruktivizëm. Mospërdorimi i rindryshimeve të kërkuara të Kushtetutës lidhur me zgjedhjen e Presidentit si parakusht për çështje të tjera, shprehur nga lideri Rama në intervistën e sipërcituar, është sinjal për mirë. Por, ndryshe nga bojkoti, s’duket se ka konsensus opozitar mbi konstruktivizmin. Disa e shohin bojkotin si shans për konkurrim konstruktiv. Disa të tjerë, si shans për konkurrim obstruktiv e deri destruktiv. Qasja e re do të jetë një sprove lidhur me konstruktivitetin. 8. Duzina e detyrave të përcaktuara nga opinioni i Komisionit Europian mbi kërkesën për anëtarësim të Shqipërisë në nëntor 2010, kërkon konstruktivitet. Kryerja e këtyre detyrave në një periudhë afatmesme mundëson hapjen e negociatave për anëtarësim. Ndërkaq, një vjeshtë konstruktive parlamentare, e dëshmuar me miratimin e dy-tri projektligjeve thuajse të gatshme dhe ngritjes së komisionit bipartizan për reformën zgjedhore, do të ishin sinjale për një rinisje të mbarë, me gjasa të mjaftueshme për përftimin e statusit të vendit kandidat në nëntor. E dobishme për opozitën. Për interesin publik, gjithashtu. 9. Përballë një regjimi fashist, oksidental apo oriental, mundet që edhe të mos protestosh. Mundet edhe të mos bojkotosh, po ashtu. E vështirë për t’u pranuar, por jo e pamundur. Murit me kokë nuk i bihet. Pret të piqen kushtet e të rrëzohet vetiu?! Dakord. Po, a mund të bashkëpunosh për reformat e integrimit kur vendi lëngon nga një regjim i këtillë? Europa thotë bashkëpunoni, kryeni detyrat, që t’ju pranoj. Së paku, tregoni një frymë të qëndrueshme bashkëpunimi, që të merrni statusin e vendit kandidat. A mund ta thotë këtë Europa për një regjim fashist?! 10. Teza opozitare e regjimit fashist, së fundi oriental, s’është gjë tjetër veçse një tjetër shprehje e krahasimit të Shqipërisë me Egjiptin e Tunizinë në janar. Me Sirinë e Libinë këto ditë. Bashkëjetesa e kësaj teze me opozitarizmin konstruktiv do të ishte një paradoks i paparë. Ose do mbash tezën e regjimit fashist dhe të paktën, të paktën do të jesh obstruktiv, ose do të jesh konstruktiv e do të hedhësh tej tezën e fashizmit. Ndaj, mbajtja e tezës ekstremiste të fashizmit oriental, regjimit mafioz, familjar, vodhi për të vrarë, a vrau për të vjedhë, patericës që mban regjimin, ajo gjëja e shpifur që ngjitet pas këpucës së Saliut e të tjera si këto, shndërrohen në pengesë për avancimin e proceseve integruese në Europë. Përsëri pa statusin e vendit kandidat në nëntor. 11. Jo vetëm kaq. Teza të këtilla armiqësojnë popullin mes veti. Në mos të tërin, se nuk e ka lënë mendja, pjesë të tij. Një retorikë e këtillë mbështet lloj-lloj aventurierësh politikë dhe parapolitikë që sajojnë armiq jashtë dhe brenda vendit, jashtë e brenda opozitës. Kjo pasohet me kërkesën për ndëshkim e vetizolim. Kështu ngushtohet mbështetja, rritet kundërshtia e brendshme, zbehet mundësia për zgjerim të mbështetjes elektorale. Përfiton kampi tjetër politik. Kompaktësohet dhe mobilizohet edhe më shumë. Ç’rezultat elektoral pati teza e fashizmit në janar, u pa në maj. Maxhoranca mori 140 mijë vota më shumë në proporcional dhe 40 mijë më shumë në maxhoritar. A mos i mori me manipulime e vjedhje ditën për diell tërë këto vota më shumë? Rezultati 2011 dëshmon për një ripërsëritje të 2009-s, e po ashtu të 2007-s e 2005-s. Paskësh qenë e aftë të vjedhë masivisht që në opozitë. Tjetër paradoks! 12. Ndaj, teza e vjedhjes së zgjedhjeve s’mund të jetë pjesë e qasjes së re opozitare. Dakord, që nuk pranohet publikisht humbja. Do kishte pasoja mbi lidershipin. Duhej t’i hapte rrugë pasuesit. Siç e do zakoni i mirë demokratik-oksidental. Nuk është ende në këtë nivel cilësie?! Dëshiron ta provojë edhe njëherë në 2013-n! Të paktën të kuptohen drejt arsyet e humbjes që t’i shërbehet fitores. Në fakt, një farë kuptimi i drejtë sikur po shfaqet me drojë e tërthorazi. Për shembull, përmendja, brenda opozitës dhe qarqeve pranë saj, e nevojës jetike për aleancë me LSI-në, s’është më një temë rreptësishtë e ndaluar. Megjithatë, do të duhen ca më shumë prova, njëkohësisht në të pesë dimensionet e sipërtrajtuara: i) jo dhunë; ii) jo bojkot; iii) jo destruktivitet, as obstruktivitet; iv) jo teza për regjime fashiste, mafioze a familjare; v) jo mosnjohje të humbjes elektorale. Pesë “JO”. Fjalët dhe veprimet opozitare në këto dimensione do të na mundësojnë të kuptojmë nëse opozita ka hyrë pa kthim në rrugën e duhur, apo do të mbetet, fatalisht, në rrethrrotullimin e dy viteve të shkuara. Dalja nga rrethrrotullimi është e dobishme për opozitën. Për interesin publik, gjithashtu.