Nga Shukri Klinaku
Obligimi i Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë për të drejtat e shqiptarëve përreth tyre Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë kanë obligim ndaj shqiptarëve jashtë kufijve të vetë politikë. Këtë nuk e them që ta bëjnë në mënyrë të veçantë nga mënyra siç e bëjnë shtetet tjera demokratike. Dhe sidomos jo në mënyrën se si këtë e bën Greqia, e cila shpik tema e grekë aty ku nuk ka. Është e kuptueshme që intensiteti i interesimit për njerëzit e tu jashtë kufirit varet drejtpërdrejt nga gjendja brenda kufirit. Disa politikanë të Kosovës së viteve të 80-ta, por edhe disa të tjerë të mëvonshëm kanë shumë dëshirë të theksojnë se Kosova kishte status pothuajse të barabartë me republikat në federatën jugosllave. Ata harrojnë se po të ishte kështu, pikërisht atyre politikanëve u shumëfishohet mëkati për diskriminimin çnjerëzor që kanë përjetuar shqiptarët nga pushtetet republikane të republikave fqinje me krahinën e atëhershme të Kosovës. Unë konsideroj se pavarësisht nga kjo, ndër mëkatet më të mëdha të politikanëve shqiptarë të ish-Jugosllavisë (prej Fadil Hoxhës, e deri te Azem Vllasi) është fakti që ato pushtete “popullore” dhe të “vëllazërim-bashkimit” jugosllav e katandisën përqindjen e shqiptarëve në Tivar e Ohër deri në 8 a 9 %. Pra, u takonte atyre, si përfaqësues të trungut të shqiptarëve nën Jugosllavi, të kujdeseshin për pjesët periferike të territoreve shqiptare. Asgjë më shumë nuk do të kërkoja dhe nuk kërkoj tani, vetëm se të zbatohen kriteret ekzistuese për të gjithë njësoj. Kjo kërkesë në radhë të parë është njerëzore, pastaj demokratike, e më vonë ndoshta do të mund të cilësohej edhe ndryshe, por kjo ka pak rëndësi. Atributet e shtetit Dihen atributet kryesore të shtetit sot. Por një atribut për të cilin nuk shkruhet në mënyrë të veçantë nëpër librat shkollorë është aftësia e shtetit që të kujdeset për “pjesëtarët e vet” jashtë kufijve të vet politikë. Këtë çështje disa shtete e kanë ngritur edhe në nivelin e angazhimit kushtetues. Në Nenin 8 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë kjo është shprehur në mënyrë shumë eksplicite: “Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”. Jemi dëshmitarë të veprimeve të shteteve të ndryshme nëpër botë se si e demonstrojnë këtë atribut shtetëror. E sidomos jemi duke parë se si e bëjnë këtë shtetet tona fqinje me ne, për “njerëzit e tyre” që në territoret tona kanë mbetur falë pushtimit të tokave tona. Ndërsa ne hezitojmë apo nuk denjojmë fare të merremi me fatin e “njerëzve tanë” që padrejtësisht kanë mbetur nën sundimin e këtyre shteteve fqinje. Pse? Sepse i njohim si pengesa disa “rregulla” që i kanë vendosur të huajt dhe disa “rregulla” tjera që i shpikim vetë. Angazhimi për futjen e Kosovës Lindore në bisedime - përfitimet e Republikës së Kosovës në drejtim të forcimit të shtetësisë Një pengesë e re në drejtim të interesimit tonë për një pjesë të Kosovës nën Serbi, e vendosur nga vetë ne, qenka “goditja e shtetit të Kosovës”, “dobësimi i shtetësisë së Kosovës” me interesimin e saj për Kosovën Lindore. E pra, të huajt (qofshin edhe miq tanët) i kanë vendosur disa pengesa tjera. E për t’i përligjur ato, e shpikëm edhe ne një: “duke u interesuar që Kosova Lindore të futet në bisedimet aktuale Kosovë – Serbi, ne godasim shtet-formimin e Kosovës”!! Por e vërteta logjike dhe e vërteta praktike është tjetër. Logjikisht, si është e mundur ta godasësh procesin e shtet-formimit, si është e mundur ta godasësh pavarësinë e Kosovës duke ushtruar edhe një atribut shtetëror tëndin? Në asnjë mënyrë. Shtetësia dhe pavarësia e Kosovës ndaj Serbisë vetëm sa forcohet duke i treguar asaj se me pavarësinë e Republikës së Kosovës nuk merr fund konflikti ynë me Serbinë, se ajo ka akoma borxhe ndaj nesh. Vetëm duke i kërkuar të drejtat për Kosovën Lindore, ne i kemi treguar Serbisë se në tavolinën e bisedimeve nuk mund të bisedohet vetëm për çështje që lidhen me territorin e Republikës së Kosovës. Me fjalë tjera, nëse shtrohet statusi i bashkësisë etnike që jeton në pjesën e skajshme të territorit, atëherë kjo duhet të shikohet në të dy anët e kufirit. Konkretisht, nëse Serbia do të flasë për serbët e veriut të Kosovës, kjo nuk mund të bëhet pa folur edhe për shqiptarët e juglindjes së Serbisë. Praktikisht shteti ndërtohet duke krijuar dhe duke zbatuar politikë shtetërore e cila mbron qytetarët e vet dhe kufijtë e shtetit. Pra, që shteti të paraqitet edhe në arenën ndërkombëtare si shtet, duhet të krijoj politikë mbrojtëse edhe për pjesëtarët bashkësisë së vet etnike, të cilët për çfarëdo arsyeje kanë mbetur jashtë kufirit shtetëror. Këtë politikë duhet ta përqafojnë edhe partitë politike që nuk angazhohen për bashkimin kombëtar. Sot është shumë më e lehtë që kjo të aplikohet. Republikën e Kosovës e kanë njohur në kufijtë aktualë shumica e shteteve të Këshillit të Sigurimit dhe shumica e shteteve të Evropës. Tash Serbia e konteston një pjesë të territorit tonë të njohur ndërkombëtarisht, në të cilën vërtet serbët jetojnë në shumicë. Pse edhe ne të mos e bëjmë të njëjtën gjë: ta kontestojmë në të njëjtën masë një pjesë të territorit që zyrtarisht i takon Serbisë, por të banuar me shumicë shqiptare? Jemi edhe ne shtet sikurse Serbia, apo jo? Formula për përfshirjen e Kosovës Lindore në bisedimet Kosovë – Serbi është fleksibile dhe praktike Angazhimi aktual për përfshirjen e Kosovës Lindore në bisedimet Kosovë – Serbi sot bëhet me një formulë shumë fleksibile dhe praktike. Kjo formulë është: reciprocitet politik ndërmjet tri komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe tri komunave me shumicë shqiptare në Kosovën Lindore. Pse është fleksibile? Sepse ne kemi mundësi që pushtetit të Beogradit t’ia ofrojmë mundësinë që të zgjedhë vetë për nivelin e të drejtave politike që dëshiron për serbët e veriut të Kosovës, me kusht që të njëjtat t’i realizojnë edhe shqiptarët në juglindje të Republikës së Serbisë. Ne nuk e propozojmë doemos ndërrimin e kufijve. Edhe këtë le ta zgjedhë Serbia. Por nuk duhet që Republika e Kosovës të mjaftohet me “karotën” se Kosova nuk do të copëtohet. Tani duhet ta zgjidhë edhe statusin e Kosovës Lindore. Pse është praktike? Sepse formula nuk përmban zgjidhje të ndërlikuara, me të drejta a atribute të veçanta për këtë apo atë pjesë. Ajo i mbyll të gjitha shtigjet e vështira të dialogut. Mbyll histori dhe plagë të vjetra. Në të kundërtën, nëse Qeveria e Kosovës mjaftohet vetëm me faktin se “Republika e Kosovës” nuk do të ndahet, e në anën tjetër veriu i Kosovës me apo pa “pako të Ahtisarit” fiton një status të veçantë, ndërsa Kosova Lindore kurrgjë, atëherë së shpejti qytetet e Kosovës Lindore do të ngjajnë me Tivarin, Ohrin dhe me Manastirin e sotëm. Etiketa: “Si Tadiçi!” (“Si Millosheviçi!”, “Si Serbia!”) Etiketimi i politikës së LB-së me etiketën “Si Tadiçi” nuk është diçka e re për udhëheqjen e LB-së (e kujtojmë etiketimin “si Millosheviçi”, “si Serbia” edhe në kohën e ilegalitetit dhe në fazën përgatitore për luftë të armatosur). Ky etiketim është i pabazuar, i paanalizuar dhe i paqëndrueshëm. Si i tillë, ky etiketim nuk i takon ta bëjë ndonjë analist apo politikan, por i shkon për shtati një etiketuesi, një analisti të cekët, apo një nëpunësi propagandues të një politike të caktuar. Një politikë duhet gjykuar për nga bilanci përfundimtar i produkteve të saj dhe jo për nga elemente të veçanta që përmban ajo. Të gjithë bartësit e politikës çlirimtare të viteve 1990 e kanë ditur se lufta në vetvete nuk është e mirë. Sjell këtë e atë të keqe. Por në rrethanat që ndodhej Kosova para vitit 1999 nuk kishte rrugë tjetër për ta fituar lirinë. Dhe, vërtet, bilanci i asaj politike parashihej dhe doli të ishte liria e kësaj pjese të Kosovës. Pavarësisht etiketimeve të atëhershme, që ishin të ngjashme me këto të sotmet, bartësit e politikës çlirimtare nuk e ndalën aktivitetin dhe rezultati doli të jetë në kundërshtim me etiketimet. Edhe sot. Një element i politikës për përfshirjen e Kosovës Lindore në bisedimet Kosovë-Serbi është që tangjenton me një element të disa deklaratave të Tadiçit. Ai element është: zgjidhja historike e konfliktit ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Përderisa çdo ditë realiteti na bind se një konflikt i tillë ekziston, atëherë çfarë të keqeje ka këtu? Nuk ka arsye që të frikësohet kush nga ky tangjentim. Ndërsa, nëse etiketa “si Tadiçi” e ka prejudikimin se edhe bilancin përfundimtar këto dy palë e kanë të njëjtë (sipas etiketuesve – rrënimi i të arriturave të Kosovës), atëherë kjo etiketë e merr dimensionin e saj të vërtetë: fyerje dhe diskualifikim. (Autori është anëtar i KP të Lëvizjes për Bashkim)