Tiranë, 6 shtator 2011, NOA – Kryetari i PBDNj, Vangjel Dule u deklarua sot edhe një herë kundër regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike e fetare, ose censusit, siç cilësohet nga qeveria. Qëndrimin e tij të prerë Dule e ka paraqitur në takimin me delegacionin e Komisionit Europian për të drejtat e minoriteteve. “Denoncuam faktin e refuzimit nga ana e qeverisë për regjistrimin e popullsisë ndaj kërkesave të përsëritura si të minoritetit etnik grek dhe të minoriteteve të tjera për konsultime dhe negociata për mbarëvajtjen e regjistrimit të popullsië”, u shpreh Dule. Ndër të tjera ai theksoi se në qarkun e Gjirokastrës ditët e fundit janë refuzuar me tendenciozitet propozimet për kryetarët e komunave dhe janë zëvendësuar me urdhër e porosi me militantë të PD-së. Kreu i PBDNJ-së, shprehu qëndrimin e kësaj force politike për ezaurimin e çdo mundësie që regjistrimi i popullsisë të zhvillohet konform standarteve evropiane. “Të cilat deri në momentin që po flasim nuk bëhen të respektueshme. Ne kemi kërkuar dhe do të vazhdojmë deri në momentin e fundit. Do kërkojmë dialogun mes qeverisë dhe përfaqësuesve të minoriteteve”, u shpreh Dule. Kreu i PBDNJ nuk ka dhënë asnjë shpjegim lidhur me mungesën e opozitës sot në mesditë. a.q/NOA