English

Jahjaga takon kreun e KiE: Reformat janë të domosdoshme

Bruksel, 6 shtator 2011, NOA - Në vijim të vizitës zyrtare në Bruksel, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, është takuar dhe me kryetarin e Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy. Pas takimit me komisionierin për Zgjerimin, Stefan Fule dhe baroneshën Catherine Ashton, Jahjaga ka njoftuar kryetarin e KE-së me përpjekjet e institucioneve të Kosovës, për forcimin e ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar si dhe korrupsionit. Ndërsa Van Rompuy ka bërë dhe një herë të qartë, se rruga drejt BE-së, do të thotë plotësim i reformave dhe standarteve europiane. “Afrimi me Bashkimin Europian do të thotë shumë durim dhe fokus. Inkurajoj presidenten, që të vazhdojë me energjitë e reja dhe reformat e domosdoshme”, u shpreh ai. Presidentja Jahjaga ka deklaruar se Kosova është gati të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, pavarësisht se jo të gjitha shtetet brenda unionit kanë njohur pavarësinë e vendit. “Kosova është e gatshme dhe e aftë që të përmbushë detyrimet e saj dhe të bëhet pjesë e BE-së, dhe gjithashtu anëtare e NATO-s. Me këtë, Kosova do të hyjë në komunitet e barabarta dhe mes shteteve të Europës”, theksoi presidentja e Kosovës. Kryetari i KE-së, theksoi gjithashtu se Bashkimi Evropian i jep rëndësi luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe kërkon edhe më shumë forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Në këtë drejtim, sipas tij, Kosova duhet të shfrytëzojë më shumë ndihmën e EULEX-it, që është urë lidhëse midis Kosovës dhe BE-së. a.q/NOA

KOMENTE