English

Kallëzohen penalisht dy inspektore të tatim-taksave në bashkinë e Tiranës

Tiranë, 6 shtator 2011, NOA – Dy inspektore të tatim-taksave në Bashkinë e Tiranës të lajmëruara për largimin e tyre nga puna janë kallëzuar penalisht për sulm dhe kërcënim ndaj drejtuesve të kësaj drejtorie në bashki. Ishte Drejtori i Policisë Bashkiake të Tiranës, Florenc Hoxha, i cili kallëzoi sot penalisht dy inspektoret Anila Çobani dhe Etleva Duro, të cilat kundërshtuan me forcë largimin e tyre nga puna. Sipas Policisë Bashkiake dy punonjëset e tatim taksave në bashki kanë sulmuar verbalisht dhe fizikisht si dhe kanë kërcënuar drejtuesit e zyrës së tatim-taksave në bashki. Në kallëzimin penal bëhet me dije se Çobani dhe Duro prej ditësh dhunojnë institucionin e Drejtorisë së Taksave dhe Tatimeve në Bashkinë e Tiranës, duke mos lejuar funksionimin normal të kësaj zyre. Ato kanë fyer dhe kërcënuar brenda zyrave të Tatim-Taksave, duke e bërë punën të pamundur. Kjo situatë bëri që Drejtori i Përgjithshëm i Tatim-Taksave në Bashkinë e Tiranës të kërkojë ndihmën e Policisë Bashkiake për të larguar nga mjediset e punës dy punonjëset e lajmëruara më herët për largimin nga detyra. Në krye të detyrës, efektivët e Policisë Bashkiake u përballën me një sulm të ashpër të ish-inspektoreve Anila Çobani dhe Etleva Duro, të cilat madje ushtruan edhe dhunë. mit/NOA

KOMENTE