Bruksel, 6 shtator 2011, NOA – Kryetari i Këshillit të Evropës Herman van Rompuy i ka dhënë një përgjigje Presidentes së Kosovës mbi nisjen e procesit të liberalizimit të vizave. Rompuy shpreson se së shpejti BE do të çelë dialogun me Kosovën për heqjen e vizave. Këtë deklaratë kreu i KiE-s e dha gjatë konferencës së përbashkët për mediat, ku Rompuy tha se 27 vendet e Bashkimit Europian janë të përkushtuara për të ardhmen europiane të të gjithë rajonit ballkanik. “Inkurajoj Presidenten e Kosovës që të vazhdojë me angazhimet e mëtejshme për afrimin e Kosovës drejt BE-së”, theksoi Van Rompuy. Ai nënvizoi se Bashkimi Evropian i jep rëndësi luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe kërkon edhe më shumë hapa për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Në këtë drejtim, sipas Rompuy-it Kosova duhet të shfrytëzojë më shumë ndihmën e Euleksit që është urë lidhëse midis Kosovës dhe BE-së. “Po ritheksoj se të gjithë dëshirojmë të shohim Kosovën më afër Bashkimit Evropian dhe në këtë drejtim rezultatet e fundit janë inkurajuese. Për këtë mund të llogaritni në ndihmën e BE-së”, tha Rompuy. RTK-ja raporton se Presidentja Atifete Jahjaga tha se e ka informuar në hollësi kryetarin e Këshillit Evropian Rompuy lidhur me zhvillimet në Kosovë me theks të veçantë për rezultatet e dialogut. Ajo bëri me dije se e ka njoftuar kreun e KiE-s edhe mbi përpjekjet e Institucioneve të Kosovës për forcimin e ligjit dhe luftimin krimit të organizuar si dhe korrupsionit. Presidentja e Kosovës deklaroi se fakti që pesë vende të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës nuk duhet të ndikojë që Kosova të mbetet jashtë axhendës së integrimit evropian përfshirë këtu edhe marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. “Pavarësia e Kosovë ka dëshmuar se Kosova është shndërruar në faktor stabiliteti e paqeje në rajon. Tendencat dhe propozimet për ndarjen e Kosovë apo këmbim territoresh janë të papranueshme dhe antihistorike”, tha presidentja Jahjaga në konferencën e përbashkët për mediat me kryetarin e Këshillit të Evropës Herman van Rompuy. RTK/mit/NOA
Në foto: Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe kreu i KiE-s, Herman Van Rompuy në Bruksel