English

Mësimet e pamësuara bërthamore

Nga Tibor TothPjesa më e madhe e botës shënoi në fillim të gushtit 50-vjetorin e ndërtimit të Murit të Berlinit. Por, derisa ky ndërtim i neveritshëm i Luftës së Ftohtë është hedhur në kutinë e plehrave të historisë, 1 shtatori shënon një tjetër 50-vjetor, atë që reflekton në mënyrë shumë më të drejtpërdrejt sot. Që nga viti 1961, rreth 200 bomba bërthamore janë shpërthyer, shumica e të cilave në atmosferë, por dy në qytetet japoneze Hiroshima dhe Nagasaki. Tri vjet para kësaj, në tetor të vitit 1958, testimet bërthamore ishin përgjysmuar pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Sovjetik dhe Mbretëria e Bashkuar u pajtuan për një moratorium. Gjatë pjesës më të madhe të kësaj periudhe, çdokush mund të fitonte përshtypjen, edhe pse në mënyrë zhgënjyese, se testimet bërthamore faktikisht kishin marrë fund. Mirëpo moratoriumi ishte i brishtë që nga vetë fillimi i tij, me establishmentet e armëve bërthamore që insistonin me forcë për vazhdimin e testimeve. Sikurse dridhjet e para të një tërmeti, tensionet politike po krijoheshin prapa skenës. E arritën kulmin me ndërtimin e Murit të Berlinit në gusht të vitit 1961. Mandej, më 1 shtator sovjetikët e thyen moratoriumin, duke u ndjekur shumë pak kohë më pas në këtë veprim edhe nga SHBA-ja. Ajo që pasoi ishte një furi e vërtetë e testimeve bërthamore. Më shumë se 250 teste janë kryer brenda 16 muajsh, menjëherë pas tentimit të pasuksesshëm të kthimit të gjindit bërthamor përsëri në shishe – që është më shumë se në 16 vitet paraprake. Një prej shpërthimeve testuese vendosi rekordin famëkeq për shpërthimin më të madh ndonjëherë të shkaktuar nga njeriu: bomba e carit sovjetik, e detonuar më 30 tetor 1961, ishte ekuivalente me 4.000 bomba të Hiroshimës. Nuk ishte fare koincidencë që vetëm një vit më vonë, në tetor të vitit 1962, bota u gjet buzë një lufte bërthamore, gjatë krizës raketore kubane. Derisa pesha e testeve bërthamore helmonte klimën politike, ajo në kuptimin e plotë të fjalës helmoi atmosferën dhe ambientin e Tokës. Me studimin e saj “Dhëmbi i foshnjës”, mjekia amerikane Louise Reiss, e cila vdiq në fillim të këtij viti, vërtetoi në vitet e ‘60 se ndotja radioaktive nga testimet bërthamore është futur edhe në rrjetin ushqimor – dhe kështu edhe në trupin e foshnjave njerëzore – nëpër të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Disa izotope kanë mbijetuar për dhjetëra mijëra vjet. Plutonium-239 nga një test bërthamor i kryer në fund të Epokës së Gurit, për shembull, mund të ketë humbur një të gjashtën e fuqisë së saj radioaktive deri më tash. Fatkeqësisht, mësimi nuk është mësuar. Lobet e armëve bërthamore kanë triumfuar. Mentaliteti mosbesues i Luftës së Ftohtë kishte lënë gjurmët e saj, me të dyja anët që i shikonin armët bërthamore si garantuese themelore të sigurisë së tyre, por edhe si një kërcënim në duart e të tjerëve. Paaftësia apo jogatishmëria e secilës palë për të vendosur veten në lëkurën e të tjetrit, një parakusht për çdo kompromis, i ka mbajtur ato të ngujuara në një garë bishtnuese të armëve. Shpërthimet vazhduan – edhe pse nën tokë – dhe janë shtuar edhe më tepër. Sot, pas 50 vjetësh dhe pas 1.500 shpërthimesh bërthamore, ne e kemi mundësinë historike për të mësuar nga dështimet e së kaluarës. Traktati gjithëpërfshirës i ndalimit të testimeve bërthamore (CTBT) ndalon të gjitha shpërthimet bërthamore, kudo, apo nga kushdo. Ai paraqet një normë strikte – testimet në të vërtetë iu afruan ndalesës më 1996, kur Traktati iu ofrua shteteve për adoptim. Më shumë se 180 shtete, 90 për qind e shteteve të botës, e nënshkruan atë dhe u përkushtuan për një planet pa shpërthime bërthamore. Krahasuar me 500 shpërthimet bërthamore që ndodhnin secilën dekadë gjatë periudhave para CTBT-së, gjatë dhjetë vjetëve të fundit kanë ndodhur vetëm dy teste, që të dyja të kryera nga Koreja Veriore. Edhe pse edhe këto dy teste ishin tejet shumë, CTBT-ja qartazi kishte ndihmuar në detyrimin e xhindit bërthamor të kthehet sërish në shishe – dhe ta mbajë atë aty. Por Traktati ende nuk ka hyrë në fuqi. Nëntë shtete duhet ta ratifikojnë atë së pari. Deri atëherë testet bërthamore nuk janë të paligjshme, dhe mungesa e tyre është rezultat vetëm i një moratoriumi. Fatkeqësisht, historia ka treguar se sa të pabesueshme mund të jenë moratoriumet. Si një rezultat i kësaj, ne mund të shohim edhe një breshëri shpërthimesh, një tjetër garë të pahijshme megatonëshe dhe një tjetër numërim fatal së prapthi ndërmjet shteteve me armë bërthamore, numri i të cilave është rritur. Vetëm pas krizës raketore të Kubës – një ngjarje më e afërt njerëzore me Armageddonin bërthamor – presidenti amerikan, John F. Kennedy, dhe kryeministri sovjetik Nikita Khrushchev i kuptuan rreziqet e sigurisë nga gara e pakontrolluar bërthamore dhe meritat e një ndalese testesh. Vetëm atëherë ata u përpoqën vërtet që të arrijnë një ndalesë gjithëpërfshirëse për testimet bërthamore – dhe dështuan. Sa shanse të tjera do të kemi ne për të mësuar nga dështimet bërthamore të së kaluarës? Tibor Tóth është sekretar ekzekutiv i Komisionit përgatitor të Organizatës për Traktatin gjithëpërfshirës të ndalesës së testimeve bërthamore. Shkrimi është botuar së pari në rrjetin e gazetarisë “Project Syndicate”

KOMENTE