English

Reforma zgjedhore, Komisioni i Venecias: S’mjaftojnë rregullat e mira, por zbatimi me korrektësi

E martë, 6 shtator 2011, NOA – Komisioni i Venecias thekson se për reformën zgjedhore në Shqipëri nuk nevojiten vetëm rregullat e mira, por ato duhen zbatuar me korrektësi. Këtë mendim e ka shprehur Thomas Markert, Sekretari i Përgjithshëm i Komisionit të Venecias, në një intervistë për programin shqip të DW mbi kontributin, që ky komision mund të japë në kryerjen e reformës zgjedhore në Shqipëri. Duke iu referuar faktit se kryerja e reformës zgjedhore është prioriteti kyç ndër 12 rekomandimet e BE-së për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria, Thomas Markert nënvizon se problemi kryesor në Shqipëri është qëndrimi, sjellja e kandidatëve me njëri tjetrin, që lidhet me kulturën e njerëzve dhe është tipar i demokracive të reja, siç është edhe demokracia në Shqipëri. Sipas tij nuk është e mjaftueshme të kesh rregulla të mira, por t'i zbatosh ato me korrektësi. I pyetur për ndryshimet kushtetuese që pritet të propozojë opozita, Sekretari i Përgjithshëm i Komisionit të Venecias, Thomas Markert i cilëson ato si të parakohshme, duke theksuar se për momentin komisioni do të shohë Kodin zgjedhor, praktikën zgjedhore dhe jo Kushtetutën. DW: Reforma zgjedhore, Z. Markert, është në krye të rekomandimeve të BE dhe Këshillit të Europës për Shqipërinë, që janë të shqetësuara për situatën e krijuar në procesin e numërimit të votave në zgjedhjet e fundit lokale. Këshilli i Europës i ka kërkuar Komisionit tuaj të japë opinionin e tij për përmirësimet e mundshme në Kodin dhe praktikën zgjedhore të Shqipërisë. Cilat janë kompetencat e Komisionit të Venecias lidhur me legjislacionin dhe proceset zgjedhore? Thomas Markert: Komisioni i Venecias është organi kryesor këshillimor për çështjet zgjedhore i Këshillit të Europës. Ky komision u jep në mënyrë sistematike mbështetje për legjislacionin zgjedhor, së bashku me OSBE-në dhe ODIHR-in, kryesisht vendeve në Europën Qendrore dhe Lindore, por edhe vendeve të tjera si Mbretëria e Bashkuar, apo Norvegjia. Lidhur me praktikat zgjedhore ekspertët e Komisionit të Venecias japin rregullisht mbështetje Komisioneve Qendrore të Zgjedhjeve dhe marrin pjesë në takimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për çështjet zgjedhore. DW: Cila ka qenë mbështetja, që Komisioni i Venecias i ka dhënë Shqipërisë për legjislacionin dhe proceset zgjedhore? Thomas Markert: Komisioni i Venecias ka dhënë opinione të përgjithshme për legjislacionin zgjedhor të Shqipërisë që nga fillimet e viteve '90- të. Kontributi më i fundit i takon vitit 2009. Ky komision ka realizuar edhe trainime të ndryshme dhe ekspertët e tij kanë asistuar KQZ të Shqipërisë në situata të vështira, ku më e fundit i takon zgjedhjeve lokale të 8 majit, të këtij viti. DW: Në kontributet e mëparshme të Komisionit të Venecias, a janë përmbushur rekomandimet tuaja nga faktorët politikë vendas? Thomas Markert: Autoritetet shqiptare kanë marrë parasysh rekomandimet tona të mëparshme dhe prandaj legjislacioni zgjedhor i Shqipërisë është në përgjithësi në përputhje me standardet europiane. Problemi kryesor në Shqipëri është qëndrimi, sjellja e kandidatëve me njëri tjetrin. Ky është një problem, që lidhet me kulturën e njerëzve dhe është tipar i demokracive të reja, siç është edhe demokracia në Shqipëri. Nuk është e mjaftueshme të kesh rregulla të mira, por t'i zbatosh ato me korrektësi. DW: Çfarë mbështetje dhe ekspertize mund të jepni për të shmangur në zgjedhjet e ardhshme situatën shqetësuese dhe problemet, që dolën në zgjedhjet e fundit lokale? Thomas Markert: Mbështetja për të përmirësuar legjislacionin dhe praktikën zgjedhore në Shqipëri iu kërkua komisionit të Venecias nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës. Mendoj se kjo ishte një nismë e tij, pas diskutimeve, që ai pati me BE lidhur me situatë,n që pasoi ditën e zgjedhjeve lokale të 8 Majit në Shqipëri. Komisioni i Venecias nuk u përfshi në periudhën, që pasoi ditën e zgjedhjeve, pasi vendimet do të merreshin nga Kolegji Zgjedhor, që është një organ i drejtësisë, një organ gjyqësor. Dhe Komisioni i Venecias nuk mund të ndërhyjë në procedurat gjyqësore, nëse kjo nuk i kërkohet nga Kolegji Zgjedhor. Prandaj ne nuk reaguam në atë rast. DW: Në cilat dispozita, apo pjesë Kodi Elektoral i Shqipërisë ka nevojë të përmirësohet? Thomas Markert: Kodi Elektoral i Shqipërisë, ashtu si thashë më lart, është në përgjithësi në përputhje me standartet europiane. Por mendoj se është e nevojshme të bëhen adaptime të tjera për t' iu përgjigjur situatave të veçanta dhe për të qartësuar j më tej disa rregulla, duke marrë në konsideratë zgjedhjet e fundit lokale dhe ato të mëparshmet, zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Gjithsesi është herët për të thëne që tani, se cilat do të jenë dispozitat, që kërkojnë përmirësim. Ajo, që mund të them tani, është që përbërja dhe funksionimi i komisioneve zgjedhore dhe procesi i numërimit të votave janë ato pjesë, ku duhen bërë adaptime dhe për të cilat Komisioni i Venecias do të shprehë opinionin e tij. DW: Kur dhe si Komisioni i Venecias do të japë sugjerimet e tij për kryerjen e reformës zgjedhore? Thomas Markert: Mandati ynë është të sugjerojmë përmirësime në legjislacionin dhe në procesin zgjedhor, pra në praktikë. Ekspertët e Komisionit të Venecias kanë filluar të studiojnë dokumentat e ndryshme lidhur me zgjedhjet e 2009 dhe ato lokale të 8 majit. Më pas në Shqipëri do të vijë një delegacion i Komisionit të Venecias, ka të ngjarë të vijë aty nga gjysma e dytë të Tetorit për të identifikuar problemet dhe parë se çfarë zgjidhjesh janë të mundshme. Më 16- 17 dhjetor Komisioni i Venecias do të paraqesë dhe do të argumentojë opinionet e tij lidhur me përmirësimet, që i duhen bërë Kodit Zgjedhor të Shqipërisë. Pas kësaj varet nga pala shqiptare për të realizuar rekomandimet dhe zgjidhjet e propozuara nga Komisioni i Venecias. Por është shumë e rëndësishme që procesi të jetë përfshirës dhe i mbështetur në një konsensus të gjerë politik. DW: A keni shpresa, apo argumenta zoti Markert se konsensusi politik i munguar për një kohë të gjatë do të arrihet? Thomas Markert: Jam i ndërgjegjshëm se konsensusi politik në Shqipëri është shumë i vështirë. Dhe kjo është edhe arsyeja pse organizma ndërkombëtare si Komisioni i Venecias përfshihen, por në fund të fundit arritja e tij mbetet në dorë të aktorëve politikë vendas. Komisioni i Venecias mezi pret për të dhënë kontributin e tij në progresin demokratik në Shqipëri. Komisioni i Venecias dha kontributin e tij në adaptimin e Kushtetutës në 1998, që mendoj së përbën një nga sukseset e mëdha të Komisionit të Venecias. Ne shpresojmë që ky komision do të kontribojë në përmirësimin e Kodit Zgjedhor dhe të klimës politike në Shqipëri. DW: A ka nevojë të ndryshohet Kushtetuta për të realizuar përmirësimet, për të cilat po flisni? Thomas Markert: Do të ishte e parakohshme, nëse do të thuhej kjo tani. Mund të ketë disa zgjidhje, që kërkojnë amendimin e Kushtetutës, por për momentin ne do të shohim Kodin zgjedhor, praktikën zgjedhore dhe jo Kushtetutën. DW/NOA

Në foto: Sekretari i Përgjithshëm i Komisionit të Venecias, Thomas Markert

KOMENTE