English

Shqipëria, humbje e turpshme në Luksemburg

Tiranë, 6 Shtator 2011 NOA/ Rid Bulku – Ishte veç një turp, ajo që pamë sonte. Një kombëtare e zhytur në paaftësi, në prepotencë dhe në dorëzim të dukshëm pas golave të kundërshtarit. Arroganca, po ashtu shoqëroi disa pjesëtarë të kombëtares. Erion Bogdani, meritoi karton të kuq kur bëri xhestin e radhës dhe mori dy kartonë të verdhë të njëpasnjëshëm që përfunduan me daljen nga fusha e gjelbër. Më herët, edhe Ansi Agolli u ndëshkua me karton të kuq. Kjo erdhi pasi në një dyluftimi me Leweck, Agolli goditi me bërryl kundërshtarin dhe mori ndëshkim. Gjatë thuajse gjithë lojës, kuqezinjtë ishin të paaftë të ruanin ritme të larta që të mundësonin fitore, ndonëse përballë kishin një kundërshtar aspak të fortë që të mund të trembeshin. Pjesa e dytë e ndeshjes ishte edhe më keq. Kuqezinjtë u dorëzuan sapo u bë edhe goli i dytë nga ana e Luksemburgut. Këto minuta u shoqëruan deri në fund veçse me lojë të shpërfillur dhe prepotencë. Minutë pas minute me çastet kryesore të ndeshjes Luksemburgu kalon sërish në avantazh me Shqipërinë, 2-1 Kombëtarja shqiptare luajti këtë ndeshje me Luksemburgun në fushën kundërshtare, duke humbur një pas një, dy pjesëtarë të ekipit. Pas largimit me karton të kuq të Agollit, në minutën e 84-t u dha një tjetër karton i kuq, këtë radhë për Erjon Bogdanin. Kartoni që e nxori jashtë fushe, erdhi pasi Bogdani në pak çaste mori dy kartonë të verdhë pasi bëri një ndërhyrje të rëndë dhe u ndëshkua për sjellje antisportive. Luksemburgu e shënoi golin e dytë duke rikaluar në avantazh ndaj kuqezinjve. Ishte Joachim i cili hyri në fushë vetëm pak minuta më parë në minutën e 68-të, ai i cili shënoi golin e dytë të Luksemburgut në minutën e 76-të. Kombëtarja shqiptare arriti të barazojë në minutën e 64-t rezultatin me Luksemburgun në ndeshjen e sotme që po luhet në fushën e kundërshtarëve. Ishte Erjon Bogdani që bëri golin. Ai erdhi pasi Skela goditi brenda zonës dhe topi i pritur nga Joubert u hodh në portë nga Bogdani. Dhjetë minuta para golit, gjyqtari dha karton të kuq për Ansi Agollin! Kjo erdhi pasi në një dyluftimi me Leweck, Agolli goditi me bërryl kundërshtarin dhe kjo u pasua me ndëshkim. Nga kjo minutë, Shqipëria luan me 10 lojtarë. Më herët në pjesën e parë, Luksemburgu kishte kaluar në avantazh në ndeshjen me Shqipërisë, e cila po luhet në fushën e kundërshtarëve tanë. Goli erdhi në minutën e 27-të kur Betmer shënoi brenda zonë së rreptësisë. Një minutë më pas ishte një përpjekje e Bogdanit për barazim por nuk pati sukses. Por në pjesën e parë të ndeshjes, Bogdani kishte dhe një dyluftim me mbrojtësin e Luksemburgut por goditja ishte jashtë portës kundërshtare. Kjo ndeshje, e vlefshme për Eliminatoret e Euro 2012, nuk pritet të sjellë ndonjë të re entuziaste për vendin tonë pasi kombëtarja kuqezi i ka shuar shumë shpresat për një kualifikim në Euro 2012. LUKSEMBURG 2:1 SHQIPËRI Formacionet Luksemburgu: 1. Jonathan Joubert 2. Ante Bukvic 3. Guy Blaise 5. Tom Schnell 7. Charles Leëeck 8. Gilles Bettmer 9. Daniel Da Motta 10. Ben Payal 17. Mario Mutsch (K) 18. Lars Gerson 19. Mathia Janisch Shqipëria 23. Saimir Ujkani 2. Franc Veliu 3. Kristi Vangjeli 7. Ansi Agolli 9. Edmond Kapllani 10. Klodjan Duro 13. Ervin Skela 14. Altin Lala (K) 16. Admir Teli 18. Hamdi Salihi 22. Erjon Bogdani Shqipëria synon tri pikët, por bankierët na kërcënojnë Euro 2012, sot luhet Luksemburg-Shqipëri. Një Kombëtare me shumë mungesa në mbrojtje ka objektiv të vetëm fitoren ndaj Luksemburgut modest. Luajmë me tre sulmues. Dash Frashëri Shqipëria, kundër Luksemburgut synon të harrojë humbjen kundër Francës (1-2), kur të dyja skuadrat e fundit të grupit D eliminator, të ndeshen sot në “Josy Barthel” (sot, ora 20:15), por “bankierët” luksemburgas, me ato që kanë deklaruar në mediat e tyre, na kërcënojnë se dhe ata janë gati për të regjistruar fitoren e parë në këto eliminatore dhe të parën historikë ndaj vendit tonë. Në vizitën e fundit në Luksemburg, Kombëtarja jonë fitoi 3-0 për kualifikueset e Euro 2008-s, falë dopjetës së realizuar nga Edmond Kapllani dhe një goli të Ervin Skelës. Por, tani pas katër vjetësh, situata ka ndryshuar, madje si presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ashtu dhe trajneri Josip Kuzhe, e konsidirojnë ndeshjen ndaj “bankierëve” të Luksemburgut, si më të rëndësishmen e edicionit. Kjo dhe për faktin e thjeshtë, se vendasit jo vetëm që janë rritur gjatë këtyre viteve, por në Tiranë fituam me rezultatin e ngushtë 1-0. “Është një ndeshje shumë e vështirë, por ne shkojmë në Luksemburg për të marrë tri pikët” - tha Kuzhe, duke synuar të arrijë fitoren e tij të parë në transfertë në një ndeshje zyrtare me Shqipërinë. “Ndoshta është sfida më e vështirë e Shqipërisë në grup, pasi kemi dëmtime dhe mungesa lojtarësh. Skuadra nuk ka alternativë tjetër, duhet ta fitojë ndeshjen”, - tha presidenti Armand Duka. Në fakt, barazimi 0-0 i Luksemburgut me Bjellorusinë, është paralajmërimi më i qartë se udhëtimi në “Josy Barthel” nuk ka për të qenë kurrsesi një vizitë turistike, dhe se kuqezinjtë duhet të djersisin fort për të regjistruar fitoren e tretë në këtë fushatë. Gazeta luskemburgase, “Le Quotidien”, shkruante se “qysh prej të premtes në mbrëmje dhe humbjes në stadiumin ‘Qemal Stafa’, përballë Bluve (Francës), lojtarët e Josip Kuzhesë nuk mund të ëndërrojnë më për të qenë në finalet e Euro 2012-s. Ajo ishte gati e mundshme, por tani, është e sigurt se nuk kanë asgjë për të humbur në grupin D. Tani, shqiptarët janë gati të shpërthejnë kundër Luksemburgut”. Kroati do të ketë mungesën e katër lojtarëve në repartin e mbrojtjes. Lorik Cana, Armend Dallku dhe Andi Lila do të mungojnë për shkak të pezullimit me kartonë, ndërkohë që Debatik Curri është i dëmtuar. Drejt Luksemburgut udhëtuan 20 lojtarë, përfshirë edhe të sapothirrurin Endri Vrapi. Shqipëria ka zhvilluar 4 ndeshje kundër Luksemburgut, 3 zyrtare dhe 1 miqësore, duke pasur këtë bilanc: 3 fitore, 1 barazim, 0 humbje. Golaverazhi: 6-0. Luskemburgu renditet në vendin e 128-të në ranglistën e FIFA-s, ndërkohë që Shqipëria në vendin e 57-të nga 206 ekipe. Në renditjen specifike të UEFA-s, Luskemburgu renditet në vendin e 50-të, ndërsa Shqipëria në vendin e 32-të nga 53 ekipe. Po sot, për grupin tonë, Bosnja do të presë në Zenica, Bjellorusinë, një ndeshje që do të thotë shumë për vendin e dytë. Bosnja renditet e dyta në grup, me tri pikë më pak se Franca kryesuese, ndërkohë që Bjellorusia mbeti në kuotën e 12 pikëve dhe në vend të tretë. Në sfidën tjetër, Rumania vendase e Viktor Picurkës do ta ketë shumë vëshrirë me “gjelat” e Lorent Blankut. Rumania ndodhet në kuotën e 11 pikëve. Për Rumaninë pikët e lëna në shtëpi do të thotë të humbasin duelin për vendin e dytë me Bosnjën (13 pikë). PRECENDENTËT ME LUKSEMBURGUN ZYRTARE 06.06.2007 Shqipëri-Luksemburg 2-0 Golat: Haxhi, Kapllani Eliminatoret Euro 2008 Trajner: Oto Bariç 10.06.2007 Luksemburg- Shqipëri 0-3 Golat: Skela, Kapllani (2) Eliminatoret Euro 2008 Trajner: Oto Bariç 07.09.2010 Shqipëri-Luksemburg 1-0 Golat: Salihi Eliminatoret Euro 2012 Trajner: Josip Kuzhe MIQËSORE 13.02.2002 Luksemburg- Shqipëri 0-0 Trajner: Sulejman Demollari BILANCI 4 ndeshje; 3 fitore, 1 barazim, 0 humbje. Golaverazhi: 6-0 BALLË PËR BALLË NE EURO 2012 LUKSEMBURGU 8 ndeshje; 0 fitore, 1 barazim, 7 humbje. Pikë: 1 SHQIPËRIA 7 ndeshje; 2 fitore, 2 barazim, 3 humbje. Pikë: 8 NË UEFA Luskemburgu renditet në vendin e 50-të, Shqipëria në vendin e 32-të nga 53 ekipe. NË FIFA Luskemburgu renditet në vendin e 128-të, Shqipëria në vendin e 57-të nga 206 ekipe. EURO 2012 ELIMINATORET GRUPI D Të martën, 6 shtator Luksemburg-Shqipëri 20:15 Bosnjë-Bjellorusi 20:15 Rumani-Francë 20:30 Të premten, 2 shtator Bjellorusi-Bosnjë 0-2 Luksemburg-Rumani 0-2 Shqipëri-Francë 1-2 RENDITJA 1.Franca 7 16 2.Bosnja 7 13 3.Bjellorusia 8 12 4.Rumania 7 11 5.Shqipëria 7 8 6.Luksemburgu 8 1

KOMENTE