Londër, 6 shtator, NOA – Fëmijët shqiptarë e duan leximin më shumë nga të gjithë fëmijët e kombësive të tjera. Kështu pohon të paktën një studim i fundit i realizuar nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, i cili citon se fëmijët nga Shqipëria, Kazakistani, Indonezia apo Peruja, janë shumë të dhënë pas leximit për kënaqësi, në krahasim me leximin e detyruar që u nevojitet për në shkollë, që aplikojnë të tjerët.
Studimi tregoi konkretisht sesi Shqipëria, Kazakistani, Kina dhe Tajlanda kryesojnë tabelën, me më shumë se 90 për qind të 15-vjeçarëve që lexojnë për kënaqësi.
Ndërsa u vu re se rreth 88 për qind e nxënësve në Indonezi ishin lexues aktivë dhe 86 për qind në Peru, ishin lexues aktivë.
Këto vende pak të zhvilluara në dukje, lënë pas ato si Japonia, Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Spanja, Franca, Australia, Italia, Kanadaja, Singapori, Brazili, Rusia dhe Hong Kong, ku fëmijët lexojnë vetëm me detyrim për të arritur rezultate ne shkollë dhe aspak për kënaqësi.
Studimi i OECD-së bën me dije gjithashtu se në vendet e zhvilluara, një mesatare prej 63 për qind e 15-vjeçarëve lexojnë minimumi prej 30 minutash në ditë. Të dhënat e publikuara, vijnë pavarësisht paralajmërimeve nga studiuesit për një "lidhje të fortë" mes fëmijërisë dhe aftësive të leximit.
Ndërkaq, studimi bën me dije se në të gjithë botën e zhvilluar, djemtë kanë gjasa të lexojnë më pak se vajzat. Andreas Schleicher, nga Drejtoria Arsimore e OECD-së, tha se "lexuesit më të mirë, jo vetëm që bëhen të mirë edhe në shkollë, por se ata e vazhdojnë të mësuarit gjatë gjithë jetës së tyre”.
Studimi i fundit tërheq së bashku të dhënat nga OECD, Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA) - një seri të analizave të marra nga nxënësit në të gjithë botën në vitin 2009.
Ai rendit 65 kombe nga përqindja e nxënësve që kanë raportuar se lexojnë për kënaqësi.
Hartuesit e tij kanë deklaruar në fund të studimit se asnjë fëmijë nuk duhet ta humbasë gëzimin e të lexuarit. “Çdo njeri ka një rol në frymëzues dashurie në jetë nga librat që lexon gjatë fëmijërisë”, përfundon studimi.
n.e/NOA