Nga Mustafa Nano
Diplomacia amerikane është diplomaci e informacionit. Ata informohen, informohen, informohen. S’do ish keq që qysh tani t’u sugjeronim historianëve të nesërm të Shqipërisë që, për të gjetur të vërtetat e ngjarjeve tona, të mos harrojnë të rrëmojnë më së pari në arkivat e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Një dëshmi, fjala vjen, si ajo e Luan Hoxhës, ish-shefit të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, nuk do kishin ku tjetër ta gjenin. Dhe po ndalem pak në këtë pikë. Është e frikshme, apo jo? Rezulton, që shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë ka gjëra të rëndësishme për të thënë, ka dëshmira për të dhënë (në funksion të denoncimit të një regjimi të korruptuar e të denoncimit të “pushtetit të familjes”), dhe nuk ka guxim as t’ia thotë publikut shqiptar, as të informojë institucione të sigurisë kombëtare, të mbrojtjes së rendit publik, të shërbimeve sekrete, apo të hetimit.
Çfarë bën? Shkon për t’u rrëfyer në Ambasadën amerikane, shkon atje për të thënë se djali i kryeministrit është i përzjerë në aferën korruptive të Gërdecit me pasojë vdekjen e gati 30 personave, shkon atje për të thënë se nuk mund ta thotë në vend tjetër këtë gjë; përndryshe, i rrezikohet jeta. Të njëjtën gjë paska bërë dhe zv.kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
E shikoni se në ç’klimë të frikës e të terrorit jetojmë? Dhe me këtë klimë të terrorit prej “familjes” duhen shpjeguar shumë gjëra në Shqipërinë e viteve të fundit, një numër aleancash, heshtjesh, konvertimesh politike, qëndrimesh publike, rreshtimesh opozitarësh e gazetarësh në favor të pushtetit, etj. Ka dhe faktorë e mënyra të tjera për të shpjeguar gjëra të tilla (korrupsioni, sidozot), por klima e terrorit është, me sa duket, mjeti më i parë që mban më këmbë sundimin e familjes. Ç’është Shqipëria? Nuk e di. Mund të ketë shumë përgjigje. Por njërën, afërmendsh, e kam në majë të gjuhës: Shqipëria është një vend, ku një familje sundon e vetme, kryesisht nëpërmjet terrorit. NOA