Shkodër, 6 shtator 2011, NOA – Pas një grindjeje për motive të dobëta dy shtetas, atë e bir janë qëlluar me armë nga një person tjetër, ku për rrjedhojë ka mbetur i vdekur nga plagët e marra Xhevdet Metaj. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmë rreth orës 18.30, në qytetin e Koplikut të rrethit Malësi e Madhe. Autori i ngjarjes i identifikuar disa orë pas krimit është 45-vjeçari Rasim Zenel Haxhija, banues në qytetin Koplik. Rasim Haxhija akuzohet për vrasjen me dashje të 45-vjeçarit Xhevdet Metaj, i cili pas plagosjes së rëndë u dërgua në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku nuk mundi dot t’u shpëtojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë rreth orës 01.05 të mëngjesit të sotëm. Ndërkohë i biri i tij 18-vjeçari E. Metaj, u plagos lehtë gjatë agresionit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin rajonal të Shkodrës. Disa orë pas krimit 45-vjeçari Rasim Haxhija nga Kopliku i Malësisë së Madhe u arrestua në orët e para të mëngjesit të sotëm nën akuzën e vrasjes me dashje, plagosjes së lehtë me dashje dhe armëmbajtje pa leje. Policia e Shkodrës pas arrestimit të autorit të vrasjes sekuestroi armën e zjarrit pistoletë e tipit TT, dhe një krehër me 3 fishekë, me të cilën Rasim Haxhija kreu krimin. mit/NOA